(Nuhi Ismajli: “Aktualizime letrare”, SAS, Prishtinë, 2009).
Nga Nijazi Ramadani
Vepra “Aktualizime letrare” është një vazhdim i interesimit të këtij autori për t’u marrë me shkrimet e hershme shqipe.
Preokupim kryesor i autorit në këtë vepër është ndriçimi i vlerave të heshtura e të pavërejtura letrare, më parë - letërsia shqipe e shek XVI-XVII, dhe mendimi i paqëndrueshëm për të.
Nëpërmjet shkrimeve të veprës “Aktualizime letrare”, autori ndriçon mjaft karakteristika të përgjithshme e të veçanta dhe vlera të fillimeve të njohura të letërsisë shqipe dhe të asaj të shek. XVI-XVII, si edhe qëndrimin që mbajti mendimi shkencor ndaj kësaj letërsie.
Në shkrimin: “Fillimet e modernes në lëtërsinë shqipe”, autori vë në dukje një varg veçorish të lëtërsisë shqipe të shek.XVI-XVII, të cilat e dallojnë atë nga letërsia e Mesjetës dhe të cilat e shquajnë modernitetin e saj, si: koha e krijimit, llojet letrare, pikëpamja për moskufizimin e vlerës letrar nga përmbajtja e saj fetare, dukuria e përmbajtjes fetare në veprat e modernes, pasuria tematike (fetare, politike, kombëtare etj.), fryma humaniste, trajtimi i aktualiteti etj).
Në shkrimin “Letërsia shqipe e humanizmit dhe letërsia romantike”, bëhet përqasja ndërmjet letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII dhe letërsisë së romantizmit shqiptar, me ç’rast vihen në dukje mjaft karakteristika të përbashkëta të këtyre letërsive, veçmas karakteri i theksuar kombëtar i tyre, për ç’arsye autori thekson se letërsia shqipe e shek. XVI-XVII mund të quhet rilindja e parë, duke marrë termin e Françesko Altimarit.
N. Ismajli është marrë me ndriçimin e historisë së llojeve të ndryshme të shkrimeve. Kështu, në veprën “Aktualizime letrare” ai, ndër të tjera, ka ndriçuar edhe çështjen e historisë së polemikës shqiptare. Përkundër studiuesve të tjerë, që theksojnë se historia e polemikës shqiptare fillon me parathënien e veprës “Historia e Skënderbeut” të M. Barletit, ai fillimet e polemikës shqiptare i vëren te letra e Skënderbeut, e datës 30 tetor 1460, dhe, madje edhe te vepra “Epistolat” të autorit ilir Shën Jeronimi t (340-420).

Në vazhdën e ndriçimit të historisë së shkrimeve, N. Ismajli, në veprën “Aktualizime letrare”, flet edhe për fillimet e prozës dhe të poezisë shqipe (“Poeti dhe prozatori i parë në letërsinë shqipe”). Sipas veprave të njohura shqipe, ai kundërshton mendimin e atyre që fillimet e poezisë dhe të prozës shqipe i vërejnë te vepra e Budit.
Ai thekson vëllimin dhe vlerën e madhe që ka poezia dhe proza e Budit, por thekson edhe vlerën dhe ekzistencën e poezisë së Palit të Hasit, të cilin e përmend vetë Budi, pastaj vlerën e pamohueshme të poezisë së Lekë Matrëngës dhe, sidomos, vlerën e poezisë dhe të prozës së veprës së Buzukut. Prandaj, duke marrë parasysh veprën e Buzukut, ai thekson se “që në veprën e parë, të njohur, të letërsisë shqipe, i kemi edhe shembujt e parë të poezisë dhe të prozës në letërsinë shqipe, kurse Buzukut, duke marrë parasysh krijimet origjinale, natyrën dhe vlerën e përkthimeve etj., duhet t’i njihet roli dhe vlera e autorit krijues në poezi dhe në prozë, në këtë rast, të poetit dhe të prozatorit të parë në letërsinë shqipe” (f. 81-82).
Shkrimi i tij: “Pikëpamjet e P. Budit për poezinë”, flet gjerësisht për pikëpamjet e P. Budit për poezinë. Ai interpreton aktin e frymëzimit poetik, aktin e krijimit shqip, i cili, sipas poezisë së Budit, është akt i frymëzimit hyjnor, ide kjo, që, sipas këtij studiuesi bazohet edhe në mësimet, këshillat, porositë e pikëpamjet biblike (f. 86); aktin e krijimit, si “akt i përsosmërisë artistike e motivore, gjuhësore e letrare” (f. 87), dhe “si akt dhe hap të afrimit të poetit me natyrën hyjnore” (f. 87); krijimin si mundim i pafund dhe çlirim shpirtëror (f. 88), pikëpamjet e P. Budit për vlerën e poezisë, poetin dhe poezinë si monument përjetësie etj.
Shkrimi: “Krijuesi model” është një shkrim, i cili i kushtohet talentit e erudicionit të Frang Bardhit dhe vlerave të mëdha kulturore e kombëtare të veprës së tij, të cilat, sipas autorit, janë të krahasueshme me vlerat e veprimtarisë së Akademisë Franceze, të themeluar në kohën e botimit të “Fjalorit” të F. Bardhit..
Në veprën “Aktualizime letrare”, një histori e hollësishme është dhënë edhe lidhur me zbulimin dhe ribotimin e veprës së Gj. Buzukut.
Veprës së Buzukut, studiuesi N. Ismajli i është qasur edhe nga aspekti letrar. Në veprën e tij, ai jep historinë e interesimit për vlerën letrare të veprës së Buzukut, qëndrimin e studiuesve ndaj saj, si heshtjen dhe mohimin e vlerës letrare, në njërën anë, dhe vlerësimin e drejtë të disa studiuesve të rëndësishëm, duke filluar me E. Çabejn, në anën tjetër, të cilët ndriçuan vlerat e pamohueshme letrare të veprës së Buzukut.
Teksti metakritik: “Vlerësimi i letërsisë së vjetër shqipe”, në mënyrë të gjerë jep pasqyrën e trajtimit të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII, mangësitë e vlerat e atij trajtimi, si dhe nevojën e një ritrajtimi më objektiv të letërsisë së përmendur.
Duke shikuar nga aspekte të ndryshme dhe duke u marrë me vlerat e larmishme të letërsisë shqipe të shek. XVI - XVII, N. Ismajli nuk ka mbetur pa u marrë edhe me vlerat gjuhësore të saj. Një aspekt të veçantë, në kuadër të vështrimeve të tij gjuhësore, përbën edhe vështrimi i tij për vlerësimin e pikëpamjet e E. Çabej për gjuhën e njësuar të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII. Në vështrimin e tij, autori ka vënë në dukje vërejtjet e rëndësishme të E. Çabejt, për vlerat e gjuhës së autorëve të shek. XVI-XVII, për interesimet dhe kontributin e autorëve shqiptarë të shek. XVI-XVII, për krijimin e gjuhës letrare (të njësuar) shqipe.
Pjesë e rëndësishme e veprës “Aktualizime letrare” është vlerësimi kritik i mendimeve të deritashme për vlerat e letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII, problem me të cilin autori është marrë mjaft në veprën e tij.
Në vlerësimet e e tij, ai çmon lart vlerësimet e autorëve të ndryshëm, sidomos vlerësimet e E. Çabejt, të cilin e vlerëson lart, për shkak se tek ai sheh studiuesin më të thellë dhe më objektiv të shkrimeve shqipe të shek. XVI-XVII.
Vepra pasqyron qëndrimin mjaft mospërfillës, injorues dhe mendimin e paqëndrueshëm të studiuesve, ndaj vlerave të ndryshme kombëtare, politike, ideore e letrare të kësaj letërsie. Në të autori shpreh edhe pikëpamjet dhe këndvështrimet e tij, të cilat vënë në dukje veçori e vlera të rëndësishme të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII, si dhe nevojën e një trajtimi më shkencor të saj.