Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Marrëdhëniet vëllazërore apo deformimi i diskursit publik

| E shtune, 27.02.2010, 10:58 PM |


Marrëdhëniet vëllazërore apo deformimi i diskursit publik
 
Nga Ndue UKAJ

Në momentin e parë kur humb sensi logjikë i interpretimit të gjërave, natyrisht vjen në shprehje antipodi i logjikës, injoranca me tërë përmasat e saja çoroditëse që si e tillë prodhon deformime publike. Por, të quhet, vetëm injorancë ajo që dëshirojmë të vëmë në spikamë në këtë tekst, nuk duket ashtu, ngase kuptimet dalin më të thellë, prekin dimensionet psikologjike dhe botëkuptimore dhe natyrshëm këtu hynë në interpretim qëllimi, apo qëllimet si mjete e instrumente për të ndërtuar një marrëdhënie të qartë mes së shkuarës dhe së ardhmes, si dhe për të vënë në spikamë një koherencë kombëtare, për të cilën aq shumë kemi nevojë.

Përtej një deformimi e degjenerimi kulturor, interpretimi i vizitës së Kryeministrit të Kosovës Agim Çeku, me një delegacion të gjerë në Turqi, paraqet edhe precedent të rëndësishëm, jo për përmasën e vizitës, as për rolin që ka Turqia në marrëdhëniet ndërkombëtare, por, për të analizuar dhe kuptuar rezonimet e një pjesë të mediave të Kosovës, për të kuptuar performancen e disa qarqeve të Kosovës, për të ardhmen e Kosovës, në fund të fundit, për të vënë një marrëdhënie të qartë me të kaluarën tonë, jo aq të largët.
Në parim, vizita e delegacionit të Kosovës në Turqi është krejt në parime të shëndosha të ndërtimit të marrëdhënieve të shëndosha politike me çdo vend, por pa asnjë ngarkesë emocionale, pa asnjë mbishtresë apo parashtresë a prapashtesë. Është vizitë politike dhe e tillë duhet trajtuar.
Në emisionin e mbrëmjes së lajmeve në Radio Televizionin e Kosovës ,u tha, madje me një patetizem e ngashënjim të pashembullt, se Kosova dhe populli i Kosovës ka marrëdhënie “vëllazërore” me Turqinë. Cilësori vëllazëror u theksua fuqishëm. Kjo në gjuhën me të zakonshme, për mendimin tim quhet trishtim. U habita. Madje, u trishtova, më kapi një ankth, një frikë e një nervozizëm: është e mundur që me ata me të cilët kemi luftuar për pesë shekuj, ata që na kanë degjeneruar e deformuar kombin, me ata që na kanë katandis në pellgun e padijes e moszhvillimit, me ata që na kanë thithë gjakun, ne, pikërisht sot, kur po synojmë të kthejmë kahen drejtë botës së qytetëruar, të kemi marrëdhënie vëllazërore. O Zot, thash, po a kaq e vogël, apo kaq djallëzore qenka memoria jonë kombëtare. Po, po, s’do të shkojë shumë, po të njëjtit do të proklamojnë marrëdhënie vëllazërore edhe me Serbinë një ditë, sepse kështu ne jetojmë përmbysësh historisë sonë.
Për çudinë e situatës, në ditën e kësaj vizite dhe të këtij llapsuzi publik (apo qëllimi djallëzor!), unë lexoja tregimin brilant të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, “Lumturia e së Keqes”, ku autori, ashtu sikurse në një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij, edhe njëherë stigmatizon shtypjen barbare të turqve kundër shqiptarëve; rrëfehen me një ironi tronditëse qëllimet më djallëzore të këtij shteti për të shprishur kombin shqiptar, për të vënë barriera të patejkalueshme për të ardhmen e tij; për ta ndarë e përçarë dhe kështu për t’ia prerë rrugët e emancipimit dhe zhvillimit. Ky tregim shkruhet në kontekstin e kohës së ikjes së turqve nga trojet shqiptare.
Për të kuptuar qëllimet më djallëzore që ka pasur Turqia ndaj Shqiptarëve, për të kuptuar çfarë të metash kombëtare e çfarë plagësh trashëgojmë sot nga ky pushtim, për të kuptuar se krejt tragjikja e historisë sonë vjen po nga ky pushtim, ju lutem gazetarë, politikan, lexues të dashur, merreni e lexoni tregimin e shkrimtarit të madh Ismail Kadare “Lumturia e së keqes”. Lexojeni pa asnjë paragjykim dhe do të kuptoni se, ne jo që s’jemi vëllezër me turqit, por, janë ata që na kanë prurë këtu ku jemi, na kanë ndarë e përçarë, na kanë larguar nga bota përparimtare, na kanë përçudnuar mentalitetin.
Pa dashur këtu të analizoj çfarë në të vërtetë përfaqëson Turqia në botën përparimtare, merrni e shfletojeni shtypin ndërkombëtare, shiheni si përflitet për regjimin e këtij shteti, shtypjen që ju bën krijueseve të tyre, gazetarëve, shkrimtarëve, e mos të flasim për kurdët. Po këto ditë në mediat ndërkombëtare flitet shumë për ikjen e nobelistit të Letërsisë Orhan Pamuk nga Turqia dhe strehimit të tij në Amerikë, për asgjë tjetër, përpos se kemi të bëjmë me një komb ende jo të lirë. Jo vetëm ky, por janë njëmijë e njëqind argumente që na lidhin me ABC tonë kombëtare, të cilat na dëshmojnë se ne nuk kemi marrëdhënie vëllazërore me Turqinë, sepse krejt ajo që ne e njohim ne kulturën tonë, është marrëdhënie kundërvënie me Turqinë. Në të kundërtën, duket e çuditshme kjo të vihet në relacion me shtetin tonë amë; ne vazhdojmë të hezitojmë të flasim për marrëdhënie vëllazërore ne Shqipërinë.
Nëse vërtetë ekziston kjo marrëdhënie vëllazërore me Turqinë, pse nuk formojmë një grup ekspertësh, historian, letrar, antropolog dhe të spastrojmë historinë tonë me Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, me Pal Engjëllin dhe formulën e parë të shqipes së shkruar, të shporrim Marin Barletin, Pjetër Bogdanin, Pjetër Budin, Arbëreshët e shumtë të Italisë, Naim Frashrin, Anton Zako-Çajupin, Gjergj Fishtës, Ismail Kadarenë, etj,etj, dhe ta mbushim historinë tonë më mishtë e vëllezërve tanë turq, të cilët po e përsëris që për pesë shekuj na kanë rrjepë e na kanë grirë. Dhe të dalim e të protestojmë e të brohorisim e të klithim: ” Dum Babën”.
Po e përfundoj me një fragment të shkurtër nga tregimi i Kadaresë i përmendur më sipër:
-Katërqind vjet më parë një njeri i hapi plagë të pashërueshme perandorisë sonë. Besoj se e kuptoni për kë e kam fjalën, për të mallkuarin Gjergj Kastrioti. Ka shekuj që është bërë baltë, as varri nuk i dihet, por sa pare bën. Kujtimi i tij jeton dhe bashkë me kujtimin shestimi i tij. Ishte ky demon që e riktheu rrotën e historisë së këtij vendi nga kahja e bekuar që porsa kishte nisur, drejtë Europës. Siç mund ta dish, ai vet u kthye nga Skënderbeu në Gjergj dhe u shpall kalorës i krishterimit.
Ky pasues e personazhit turk, tregon se ëndrra pesëshekullore turke për të “magjepsur” Shqipërinë drejtë rikthimit nga aziatizmi është shpallur e dështuar edhe nga turqit. E ta ringjallim ne, s’ka sens, përkundrazi është çmenduri që s’do koment!


(Ky artikull eshte botuar ne disa media shqiptare ne mars 2007)