Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bashkimi Demokratik Shqiptar: Stop arrogancës VMRO-BDI!

| E shtune, 27.02.2010, 08:03 PM |


STOP ARROGANCËS VMRO-BDI!

Përkundër revoltës së madhe që ka shkaktuar vendimi i qeverisë  VMRO-BDI për  imponimin e mësimit të maqedonishtes nga klasa e parë e arsimit fillor për nxënësit shqiptar, arroganca e partnerëve qeveritar nuk ka të ndalur.
Minsitri Todorov, në cilësinë e zëdhënësit të koalicionit qeverisës,  bëri me dije se Qeveria VMRO-BDI nuk do të heqë dorë nga vendimi dhe pret nga  Gjykata Kushtetuese për të shqyrtuar vlefshmërinë e këtij  e tij.
Nga ana tjetër, BDI nuk e shpall të pavlefshëm pjesën e programit të vet partiak ku si prioritet cakton  “ mësimin e gjuhës së mjedisit nga klasa e parë e arsimit fillor” dhe pret qëndrimin e Gjykatës Kushtetuse lidhur me këtë vendim.
Duke parë arrogancën e udhëheqjes së BDI-së rreth kësaj çështje kërkojmë nga anëtarësia e BDI-së që të ushtrojnë të gjitha format e presionit mbi udhëheqjen e partisë për ta anuluar këtë pjesë të programit partiak.
Ky qëndrim partiak, i shndërruar në vendim qeveritar, prek interesat e të gjithë shqiptarëve. 
Bashkimi Demokratik Shqiptar është i vetëdijshëm se Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, si organ i vulosjes së politikës antishqiptare në këtë shtet, do të vulosë ligjshmërinë e vendimit qeveritar dhe të programit të BDI-ë. Në të njëjtë mënyrë siç i dha vulë ndalimit të flamurit kombëtar shqiptar.
Bashkimi Demokratik Shqiptar kërkon që përfaqësuesit e institucioneve të demokracive perëndimore të reagojnë edhe më ashpër ndaj politikës që nxit tensione dhe rrezikon destabilizimin e rajonit.

Bashkimi Demokratik Shqiptar
27 shkurt 2010