Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adnan Abrashi: Lëvizja ''Vetëvendosje'' dhe ana tjetër e politikës amerikane

| E enjte, 25.02.2010, 10:56 PM |


LËVIZJA “VETËVENDOSJE” DHE ANA TJETËR E POLITIKËS AMERIKANE

Nga Adnan Abrashi

Të gjithëve na kujtohet se, sikur diku ish ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tina Kajdanov, ashtu edhe ambasadori i tashëm aktual, z. Christopher Dell, shpesh kanë ditur të prononcohen ashpër pas disa aktiviteteve të lëvizjes “VETËVENDOSJE”, dhe, se, këto prononcime të tyre, pa dyshim, i kanë sjell dëme të konsiderueshëm autoritetit të kësaj lëvizje në masë. Sikur atëherë, por edhe sot, pak kush nga ne ka pasur urtësi dhe vizion intelektual që ta kuptoj se ato qëndrime zyrtare amerikane, në dukje kundërthënëse rreth kësaj lëvizje, janë vetëm të përkohshme dhe si nevojë në shërbim të interesave të politikës ditore. Pra, të asaj politike të matur diplomatike, e cila, së paku jo ashiqare, do të ketë kujdes që mos ta konfrontonte këtë shtet të fuqishëm tejoqeanik me interesat e tjera globale që ajo ka në raportet me bashkësinë e shteteve aleate evropiane (BE). Së paku, deri atëherë kur të vërej se mu tani ka ardhur momenti që njëherë e përgjithmonë t’i thuhet “BOLL MË” diçkaje që në çfarëdo mënyre mund ta rrezikoj apo luhat interesin afatgjatë amerikan në këtë regjion. 
Amerikanët, çdo politikë dhe interes të tyre strategjik, parimisht e realizojnë në dy drejtime: e para, duke vepruar sipas situatës momentale të politikave ditore, dhe e dyta, duke u bazuar në një strategji analitike afatgjate globale më parë të përcaktuar si synim.
Se SHBA-të, janë një mike e sinqertë dhe e pakontestueshme, sikur e shqiptarëve në përgjithësi, ashtu edhe neve kosovarëve (si shtetas) në veçanti, nuk ka aspak dyshim, por, nga ana tjetër, kjo e vërtetë, nga shumica nesh, nuk duhet marrë ashtu sikur na duket në shikim të parë: me patetikën e një “jaranie” klasike, por si një balancim në mes të kërkesave tona reale dhe asaj strategjie afatgjate të interesit amerikan në këtë rajon. 
Pa dashur që më gjatë ta elaboroj këtë konstatim, desha të jem më konkret me shembuj nga praktika e jonë: ta zëmë, zakonisht të gjitha protestat e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, gjithmonë, ato janë gjykuar zyrtarisht nga po kjo politikë ditore amerikane, por, nga ana tjetër, në favor të sensibilizimit të kërkesave tona të drejta popullore, mu kjo politikë, i kishte aktivizuar mediet më të fuqishme botërore, duke parapërgatitur sikur opinionin e vet, nga njëra anë, ashtu edhe atë botëror, nga ana tjetër, për veprimet e ardhshme strategjike që do t’i ndërmarri më vonë. 
Iluzioni tjetër i yni rreth politikës amerikane është se ata, gjoja na e paskan si mik këtë apo atë politikan. Jo, assesi! Ata gjithmonë janë në anën e politikës dhe politikanëve që në rend të parë e kanë përkrahjen sa më të gjerë të popullit të vet. Pra, e favorizojnë autoritetin individual të një politikani, përmes të cilit do t’ua imponojnë vullnetin e tyre popullit që e përkrah atë. 
Si shembull të dëshmimit të këtij konstatimi t’i marrim ngjarjet e viteve 98-99. 
Atëbotë, amerikanët nuk shkuan të bisedojnë, sikur bënin zakonisht, me Ibrahim Rugovën, i cili veç e kishte humbur ndikimin e tij në popull, por shkuan dhe u ulën këmbëkryq në odë të burrave për të biseduar me përfaqësuesit e UÇK-së, të cilët, realisht e kishin përkrahjen e madhe tek masat e gjera . Shembulli i njëjtë është edhe me emërimin e Hashim Thaçit, e jo të Ibrahim Rugovës, si udhëheqës të bisedimeve të palës shqiptare në Rambuje. 
Andaj, sipas mendimit tim, në këtë kontest, aspak nuk është e rastit dhe as anakronike edhe intervista e fundit e ambasadorit amerikan , z. Christopher Dell, dhënë BIRN-it, ku në mes tjerash konstaton: “ .. pas stabilitetit, Kosovës tash i nevojitet PJEKURIA. Partitë politike në Kosovë nuk dallojnë shumë nga njëra tjetra, dhe se ky është një rast i mirë për një parti të re”. 
Kjo intervistë e z. Dell, padyshim bëri një bujë të madhe, si në opinionin kosovar, ashtu edhe më gjerë. Ishte ashtu, ndoshta mu pse ajo erdhi edhe si koecidencë me deklarimin paralele të liderit të lëvizjes “VETËVENDOSJE” , z. Albin Kurtin, se kjo lëvizje, aktualisht, është në fazën e një ristrukturimi të brendshëm organizativ - politik, prandaj edhe nuk përjashtohet mundësia e profilizimit të saj edhe si parti politike. 
Pa marrë parasysh se çfarë do të ndodh në të ardhmen organizative dhe profilizuese të lëvizjes “VETËVENDOSJE”, nuk mund të mohohet assesi se, kjo lëvizje, e treguar gjer më tani si e pa komprometuar, me orientim të pastër kombëtar dhe atdhetar, e guximshme, parimore, dhe përherë vizionare ndaj realiteteve politike në Kosovë, dita më ditë po has në përkrahje të madhe tek qytetarët e saj. Së fundi, këtë përkrahje të sinqertë, e dëshmon edhe përgjigja masive e popullit ndaj kundërshtimit të procesit të padrejtë politik të rihapur nga EULEX-i kundër Albin Kurtit, të cilin, deri më sot, e kanë firmosur rreth 100 mijë njerëz. 
Me këtë rast, mos ta harrojmë ta cekim as diasporën tonë shqiptare. Ajo që gjithnjë ka qenë përkrahëse e çdo lëvizjeje të mirëfilltë atdhetare për Kosovën dhe shqiptarin në përgjithësi. Mërgatën tonë të fuqishme atdhetare, e cila, ashtu sikur dikur për UÇK-në, tani haptas dhe fuqimisht qëndron në përkrahje të pa rezervë të lëvizjes “VETVENDOSJE” dhe liderit të saj, Albin Kurti. Mjafton që, në këtë kontest, ta cekim vetëm një fakt të pamohueshëm të emigracionit ton shqiptaro-amerikan në SHBA, të cilët, të zhgënjyer me përkrahjen e gjertanishme të bërë politikave dhe politikanëve të komprometuar kosovar, sot fuqimisht po profilizohet në anën e lëvizjes “VETËVENDOSJE” dhe liderit të saj Albin Kurti. Çfarë ndikimi ka sot ky LOB shqiptar në qarqet e politikës së lartë zyrtare shtetërore amerikane, besoj se nuk do koment. 
Dhe, së fundi, duke e përfunduar këtë artikull, nuk do ta lë pa përmendur edhe një shqetësim të padjallëzuar që ma bëri në besim këto ditë një aktivist i lëvizjes “VETËVENDOSJE”: “A thua, si t’i kuptoj sot këta njerëz, e veçanërisht disa militant të partive të ndryshme politike, të cilët, dikur, në çdo hap na përbuznin, e tani, nuk na hiqen qave duke na u vardisur dhe duke u treguar si më të zëshëm në përkrahjen tonë”?!! 
Pse janë ata dhe shumica e të tjerëve tashti kështu, mund t’ia qëllojmë të gjithë, por, unë si njohës sado i vogël i karakterit dhe etikës kolektive të këtyre djelmoshave, desha t’u tërheqë vërejtjen të gjithë atyre hipokritëve servil, dhe sahanlëpirësve shëtitës partiak se, pa marrë parasysh lëvizja “VETËVENDOSJE”, a do të shndërrohet në parti apo jo, le të qëndrojnë larg aspiratave të tyre të sëmura karrieriste se mos ndoshta mund të kërcejnë edhe këtu sikur kanë bërë diku tjetër
Jam më se bindur që këta djelmosha të rijnë janë aq të urtë dhe të pjekur, saqë do ta dinë mirë se kush në të ardhmen meriton të radhitet si anëtar i ri në radhët e saj ( qoftë parti apo lëvizje) !