Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vebi Xhemaili: Deri kur ne shqiptarët do të shërbejmë si mercenarë për hir të politikës ditore

| E merkure, 24.02.2010, 10:57 PM |


DERI KUR NE SHQIPTARËT DO TË SHËRBEJMË 
SI MERCENARË PËR HIRË TË POLITIKËS DITORE

Nga Prof. Dr. Vebi Xhemaili
Ligjërues në USHT                 
Jemi dëshmitarë të kohës më të re për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë,  kërkojmë pandërprerë një qëndrim, pasi jemi një komb, rezultati nuk del ashtu si shprehemi apo siç dëshirojmë ne shqiptarët. Në veçanti kësaj radhe do të ndalemi në disa fusha të jetës politike, shoqërore, shkencore, kulturore historike e fetare.
Së pari do ta filloj me ne profesorët e historisë, të cilët janë më të thirrur, për të vu në spikamë padrejtësitë që i bëhen kësaj pjese të popullatës shqiptare që jetojm me një shtet të përbashkët me maqedonasit. Pse historianët shqiptarë nuk e ngrenë zërin për padrejtësitë që i bëhen këtij populli autokton nga politika dominuese sllave, e cila ka falsifikuar me të madhe historinë e popullit shqiptar dhe po vazhdon të falsifikoj edhe sot e kësaj dite historinë tonë. Kësaj radhe po i citoj vetëm disa libra të historisë që mësojnë nxënësit shqiptarë, ku për fat të keq në ato libra përveç maqedonasve ka edhe autorë shqiptarë. Të cilët të paguar për honorarë prej 1200 euro kanë firmosur ndoshta pa vetëdije këto libra të historisë, që të botohen dhe me këto libra të edukohet ardhmëria e kombit shqiptarë, pra e kam fjalën nxënësit shqiptarë. Po i citoj disa nga këto libra që janë në përdorim e sipër, të lejuar nga Byroja për Zhvillimin  e Arsimit të R. e Maqedonisë. Që sot e kësaj dite këto libra  përdoren kundër vullnetit të vetë profesorit  të historisë, duke filluar nga shkolla fillore dhe të mesme. 
Për mësimin e historisë të popullit shqiptar në librin për klasën e VI, f. 53, thuhet:” Me ndarjen politike të Maqedonisë në vitin 1913, shteti grekë menjëherë ka filluar të zbatojë politikë aktive të shkombëtarizimit dhe asimilimit të maqedonasve. Emri maqedonas dhe gjuha maqedonase do të ndalohen, kurse maqedonasit do të emërtohen sllavofonë grekë. Të gjithë maqedonasit ishin të detyruar që me forcë ti ndërrojnë emrat dhe mbiemrat e tyre. Gjuha maqedonase ka qenë ndaluar, njëkohësisht ishte ndaluar rreptësishtë madje edhe në shtëpitë e tyre, të flasin në gjuhën maqedonase”:” ndërsa një pjesë e territorit etnik-historik maqedonas, HYRI NË PËRBËRJEN E SHTETIT TË POSAFORMUAR TË RI TË SHQIPËRISË”. Unë nuk dijë për cilin territor të maqedonas që ka mbetur nën shtetin shqiptar. Me siguri këtë e din dhe mban përgjegjësi historiani shqiptar që ka firmosur këtë libër të historisë që të mësojnë nxënësit shqiptar, por me këtë u plasohet edhe një e pavërtetë historike edhe nxënësve maqedonas “se Shqipëria e cunguar pas ndarjes së saj në vitin 1913 në dy pjesë, paska në territorin e saj, pjesë të territorit të Maqedonisë”. 
 Ndërsa në këtë libër që mësojnë nxënësit shqiptarë, fare nuk përmendet politika hegjemoniste serbe,  e cila me vendosjen e tyre në trojet tona, u ndaloi shqiptarëve përdorimin e gjuhës shqipe, por edhe maqedonasve. Gjuhë zyrtare u shpallë vetëm gjuha serbe. Maqedonishtja në atë kohë fare nuk njihej, ndërsa gjuha shqipe u ndalua me ligj.  Me siguri sllavët e Maqedonisë duan ta fshehin këtë fakt historik, për sjelljet e pushtetit serb ndaj gjuhës së tyre, por në pozitë më të vështirë kanë qenë elementi jo sllav, është fjala për shqiptarët.   
Në faqen 55 të njëjtit libër shkruan: Në luftën e prillit të vitit 1941, populli maqedonas nuk ishte aq i motivuar për të mbrojtur mbretëritë monarkiste, hegjemoniste dhe diktatoriale të Jugosllavisë dhe të Greqisë. Këta historianë maqedonas, mashtrojnë nxënësit, pasi Greqia u pushtua një vit para Jugosllavisë, kurse këta me padurim pritnin ardhjen e Bullgarisë. Më poshtë thuhet :” Në kushte të tilla Maqedonia u bë pre e lehtë dhe u nda ndërmjet katër pushtuesve  fashistë: Gjermanisë, Italisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë”. Sipas tyre të shkruar në këtë librër në f. 95, thuhet: “Italia fashiste si fuqi e mori një pjesë të Maqedonisë Perëndimore me qytetet: Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Mavrovë, Dibër”. Në korrik të vitit 1941 territori që ishte i okupuar nga Italia iu dha për aneksim Shqipërisë kuislinge. Por vërteta është ndryshe; Me Marrëveshjen e Vjenës në maj të vitit 1941, Fuqitë qendrore territorin shqiptar pa Shkupin ia kthyen shtetit amë. Ata këtë të drejtë historike të popullit shqiptar për vetëvendosje e paraqesin me të padrejtë si territor të Maqedonisë Perëndimore, që deri në këtë kohë nuk ka pasur as Maqedoni Perëndimore, as shtet të Maqedonisë, por ka pasur vetëm “Banovinë të Vardarit”, ku shumica e popullsisë në këtë krahinë ka qenë shqiptare. Prandaj politika serbo-jugosllave e nënshkroi traktatin me Turqinë në vitin 1938, për shpërnguljen e shqiptarëve nga “Banovina e Vardarit”.
Për maqedonasit termi çlirimtarë qëndron, pasi ata u çliruan nga politika hegjemoniste serbe dhe u bashkëngjitën me bullgarinë, ku kanë një gjuhë, një histori, një traditë dhe një besim. Prandaj populli sllav i Maqedonisë i ka pritur bullgarët me lule, kudo që hynin bullgarët, maqedonasit këndonin këngë për car Borisin, duke e trajtuar si çlirimtar të tyre. Por ata tani tentojnë të falsifikojnë të vërtetën historike të vitit 1941, duke deklaruar se; “Fëmijët dhe rinia shkollore maqedonase ishin të detyruar të mësojnë një gjuhë të huaj BULLGARE dhe atë SHQIPE, gjë që për popullatën maqedonase haste në qëndresë të madhe. (Lib. i vitit të VI, f. 96.) Nga korriku i të njëjtit vit 1941, “në pjesën e Maqedonisë Perëndimore, në administratë dhe nëpër shkolla, për nxënësit maqedonas, për herë të parë u vu në përdorim gjuha shqipe”. 
“Krahas grabitjes së ekonomisë, popullata maqedonase u nënshtrohej edhe dhunës masive, plaçkitjeve dhe përndjekjeve, proceseve gjyqësore e tjerë. Për shkak të trysnisë, maqedonasit e pjesës perëndimore të Maqedonisë shpesh shpërnguleshin. Zbatohej edhe vendosja e organizuar e popullatës  shqiptare dhe shqiptarizimi i territoreve të pushtuara”. Por faktet historike flasin krejt ndryshe se para luftës kur nuk ka pasur Maqedoni Perëndimore, ky territor është trajtuar si Banovinë e Vardarit, ndërsa ata që u vendosën në këtë pjesë të Shqipërisë Lindore nuk ishin maqedonas, por ishin kolonistë serb të ardhur nga krahina të ndryshme të Serbisë. Prandaj nuk mund të tolerohet kjo e keqe, që na vjen nga politika ditore sllavo-maqedonase, kur në fund bëhet pyetja “Në cilat veprimtari ishte më e organizuar propaganda bullgare dhe ajo shqiptare.?” Tolerimi i kësaj propagande sllave kundër historisë sonë kombëtare, dëmton thellë çështje kombëtare shqiptare, kjo heshtje e profesorëve shqiptarë është pastër tradhti, këto njësi mësimore nuk mund të emancipojnë rininë shqiptare, pasi nuk mësohet e vërteta historike me të gjitha anët pozitive dhe negative. Rinia shqiptare do të ngelë pa perspektivë, pa rrugë drejt bashkimit kombëtar, para kësaj rinie shqiptare po paraqitet një kaos i vërtetë, pasi nuk i jepet mundësia të mësojë në mënyrë objektive, për kontributin e atdhetarëve që udhëhoqën Lëvizjen Kombëtare Shqiptare nga periudha turke deri më sot.
PSE, NUK PËRMENDET SHKUPI, SI KRYEQYTET I KOSOVËS

Në librin e vitit të klasës së VII, në f. 70, shkruan: Meqenëse Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912 pati suksese të mëdha, qeveria e Stambollit më 18 gusht 1912 deklaroi se i pranon kërkesat e shtruara nga Hasan Prishtina, por me disa ndryshime të vogla, Por nuk përmendet se Hasan Prishtina ishte në atë kohë në Shkup dhe këtu i vazhdonte bisedat. Shqiptarët kishin hy në Shkup dhe kishin çuar lartë flamurin kombëtar. Fare nuk përmendet Shkupi si qendër politike dhe ekonomike e shqiptarëve në atë kohë. Për këtë kryengritje më të madhe shqiptare janë të shkruara vetëm 11 reshta të shkurtë. Ndërsa siç dihet Hasan Prishtina e ka shkrirë tërë pasurinë që ka pasur në Selanik dhe Shkup, duke i shitur edhe 24 lokale për çështje shqiptare, ka mbajtur mbi 20 studentë me parat e veta në Normalen e Elbasanit. Poashtu këtë normale e ka furnizuar edhe me libra gratis, ka ndihmuar me të madhe edhe shkollat shqipe në Shkup, ku ishte nxënës edhe Qazim Bakalli. Ndërsa ne sot, lejojmë që sllavët e Maqedonisë të shkruajnë disa reshta mbrapsht për këtë vizionar të madh të kombit. E keqja më e madhe e këtij atdhetari ishte vdekja makabre, në rrugët e Selanikut, kur një i paguar i Zogut, pas shpine vrau ketë atdhetar, kur ky qëndronte shtrirë për toke, në fund dorasi i shkrepi edhe një plumb në ballë. A thua vallë këtë e meritoi Hasan Prishtina, që na la Kosovën dhe parapërgatiti autonominë e Shqipërisë!.                   
  
KURË KA EKZISTUAR “SHQIPËRIA E MADHE”

Në librin për klasat e VIII, në f. 80, përdoret termi “Shqipëria e  Madhe”?, ky është një term që nuk mund tu falet autorëve shqiptarë, profesorëve dhe arsimtarëve që i kanë përdorur këta libra me plot karakter antikombëtar, të stërmbushura me plotë të pavërteta, që i ka plasuar politika sllavo-komuniste, mbi lulen e rinisë shqiptare, mbi nxënësit shqiptarë. Se paska, pasur ndonjë herë “SHQIPËRI TË MADHE”. Për hir të opinionit shqiptar dhe atij maqedonas publikisht po theksoj: “se shqiptarët gjithmonë kanë luftuar për Shqipërinë Etnike dhe kurrë për “Shqipëri të Madhe”. Ky term është shpifje e ortodoksizmit sllav që i ka rënët në Beograd. Shqipërisë i mëveshët kjo akuzë nga politika hegjemoniste sllavo-serbe dhe merr përmasa ndërkombëtare në Konferencën e Parisit në vitin 1919, kur amerikanët kërkuan krijimin e Shqipërisë Etnike midis Ballkanit, duke mbështetur për kërkesat tona permanente, se populli shqiptar duhet të bashkohet në një shtet identik si ai serb. Kërkesën e drejtë të shqiptarëve për bashkim me pjesën e Shqipërisë Verilindore që kap kufijtë deri në Preshevë e Bujanocë. Politika serbe paraqiti një memorandum në Konferencën e Parisit duke e trajtuar kërkesën e udhëheqësve shqiptarë, si kërkesë për “Shqipëri të Madhe”. Ata me të madhe propaganduan për të “bindur Fuqitë e Mëdha” se shqiptarët duan të krijojnë “Shqipërinë e Madhe”, në dëm të tokave serbe.
Këto kërkesa vazhduan intensitetin e vetë më të madh gjatë luftës së Dytë Botërore kur një pjesë e këtyre qyteteve shqiptare arritën të bashkohen me trungun e vetë dhe të formojnë SHQIPËRINË ETNIKE, jo, “Shqipërinë e Madhe”. Ky term është pjellë e tyre për të akuzuar nacionalizmën shqiptare, pse ajo ka luftuar dhe do të luftojë për të drejtat popullit shqiptar, për bashkimin e tij në një shtet, kudo që jeton. Për këtë kauzë kombëtare nuk mund të akuzosh një popull që lufton për çlirimin e vet nga sllavët dhe komunistët, kjo është dhe do të mbetet  detyrë e shenjtë e çdo shqiptari. Por për fat të keq tonin, sot e kësaj dite ky term sllav, po përdoret jo vetëm nga politika ditore sllave, por ndër ne shqiptarët; në debate, tryeza, por edhe në biseda të përditshme. Pa vetëdije sot e kësaj dite eksploatohet edhe nga disa politikan tanë në Maqedoni, në Shqipëri.
 Po ashtu në f. 89, të njëjtit libër historie, përmendet Maqedonia Perëndimore, ku thuhet:”Ajo ishte nën pushtimin shqiptar, por ka dalë problem sepse Partia Komuniste Shqiptare nuk ekzistonte”. Çfarë çmendurie sllavo-maqedonase; si ka mundësi “shqiptarët të pushtohen nga vetë shqiptarët”. Si mund të jetë pushtim, kur shqiptarët për herë të parë falë asaj politike shqiptare dhe ministrit Ernest Koliqi, që përherë të parë dërgoj mësues për arsimimin e kësaj popullate. Falë kësaj atdhedashurie, shqiptarët për herë të parë kah mesi i vitit 1941, panë me sytë e vetë abetaren e parë në gjuhën shqipe. Gjatë këtij viti  filluan të shkruajnë shqip, të mësojnë për historinë tyre të lashtë. Për herë të parë nxënësit mësuan himnin kombëtar. Shqiptarët e kësaj ane filluan publikisht ta përdorin flamurin e Skënderbeut,i cili valoi nëpër të gjitha qytetet shqiptare, përveç Shkupit. 
Periudha e bashkimit kombëtar prej vitit 1941, deri më 1944, me këto të arritura në të gjitha sferat ishte një fitore e madhe, në veçanti në fushën e arsimit që ndikoi fuqishëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare për bashkim kombëtar. Prandaj, sot bëhet pyetja; si mund profesori i historisë dhe çdo shqiptarë tjetër që këtë periudhë të bashkimit kombëtar ta trajtoj si pushtim nga shqiptarët. Si mund profesori i historisë të dal para stërnipave të Skënderbeut dhe ta trajtojë këtë periudhë historike të pushtuar nga shqiptarët. Çohet një nxënës dhe e pyet profesorin, si ka mundësi që ata mësues të trajtohen si pushtues, kur baba i im në atë kohë falë mësuesve nga Shqipëria e mësoj abetaren në gjuhën shqipe, e ne sot, ata ti trajtojmë si pushtues. Profesori përgjigjet; “unë nuk kam faj, as nuk mbaj përgjegjësi, pasi tjerët e kanë shkruar këtë libër të Historisë”.    
 
Këto libra të historisë janë shkruar në kohën e demokracisë të shtetit të ri maqedonas, pas vitit 1990, kur kemi pasur drejtor shqiptar  të Entit “Për Zhvillim të Arsimit” në Shkup, kemi pasur zyrtarë të lartë në Ministrinë e Arsimit, gjatë kohe kemi pasur edhe Ministër shqiptar të Arsimit. Kemi pasur dhe kemi njerëz që dinë ta shkruajnë dhe  ta mbrojnë historinë e popullit të vet. Por për inate politike kemi zgjedhur njerëzit më të dëgjueshëm të politikës ditore. Vetëm e vetëm për të kënaqur orekset e Ministrit dhe politikës ditore sllavo-maqedonase. Këto tekste shkollore kanë kaluar nëpër duar të atyre komisioneve, që luanin rolin e njeriut pa zë “Vokalium-Instrumentum”. Pra këto njësi mësimore kalonin vetëm me një amin të ministrit. Por në këtë shkrim timin fare nuk më intereson se kush ka qenë ministër, apo drejtor i “Byrosë për Zhvillim”. Por nxënësve shqiptarëve u intereson se ai ministër ku e ka ndërgjegjen, moralin, etikën, egon, Pse? ka lejuar që këto tekste shkollore të historisë, të marrin aminin e tij ku falsifikohet e vërteta historike për shqiptarët. Sot bëhet pyetja deri kur do të shitemi për pushtet, apo për para si: “Arif Hiqmet Kumanova, Sahit Hoxha nga Shkupi, Rexhep Voka nga Tetova”. Por për fat të keq kjo epidemi po vazhdon sot e kësaj dite. Ne patëm problem me palën maqedonase kur Savo Klimovski i ç’piku ato paralelet e përziera tre maqedonasi dhe tredhjet shqiptarë. Politika maqedonase  bëri pastrime të papara nëpër shkolla të mesme e ato fillore deri në vitin 1990. Kjo politikë maqedonase në atë kohë kërkonte nge shqiptarët që toponimia të përdoret vetëm në gjuhën sllave, çdo profesor që nuk e aplikonte këtë akt politik sanksionohej. Ata u futën edhe në familjet shqiptare, ata ndalonin regjistrimin e emrave me taban kombëtar, atyre u pengonte emri; Flamur, Alban, Berat, Shkodran e tjerë. Të gjithë ata që ishin të pa dëgjueshëm ose rezistuan u shpallën si heretik dhe dënoheshin sipas ligjeve të Darkonit. Por ta dinë pala tjetër, se shqiptari kur nuk përkulet, ne nuk jemi përkulur para ligjeve të inkuizicionit komunist, e jo më një farë Todorovi, që vetë nuk  e din se çfarë identiteti ka.   
Një koleg i cili është ligjërues në USHT, në një tryezë debateve në Shkup, në fund deklaroi: “nuk e di se si do ta pranojnë prindit maqedonishten nga Klasa e Parë”. Kjo është pastër poltronizëm, rrënjët  e kësaj deklarate janë pastër tradhti. Prandaj e mbroj fuqishëm tezën e Nikolla Rrotit: Se përveç dijes, shkencëtarit i nevojitet edhe guximi. Kjo nuk guxon tu ndodh shqiptarëve, që merren me politikë, si deputetëve, ministrave e tjerë, që e duan këtë fushë garash. Ne, nuk guxojmë të jemi inferiorë dhe gjithmonë të sillemi përreth tyre, apo të jemi nën hijen e kolegëve maqedonas. 
Ky popull i mrekullueshëm, që sot e kësaj dite nuk mund të lirohet nga ato trauma që përjetoi gjatë sundimit komunist, sot pret! prej neve ta mbrojmë; në të gjitha segmente e jetës, në veçanti kur është në rrezik interesi i identitetit kombëtar, e jo të luftojmë vetëm për interesa personale. Siç po ndodh me ne shqiptarët; në Shqipëri, Kosovë dhe këtu në Maqedoni. Se shumë atdhetarë të këtyre trojeve, për ideal të kombit, janë kalbur dhe po kalben nëpër kazamatet sllave, kemi edhe raste që u kanë ngelur eshtrat edhe në burgun famëkeq të “Goli Otokut” në Kroaci. Ndërsa ne, fare nuk e ngremë zërin të mbrojmë veprën e tyre kombëtare, se po prishemi me sllavin, por ne  asgjë s’kemi të përbashkët me ta. Nacionalizmi sllav i udhëhequr nga VMRO-ja, i ka kaluar kufijtë për një bashkëjetesë të barabartë përkrah njeri-tjetrit. Volebeku, si dikur Tempoja në kohën e komunizmit, po na shet mend për bashkëjetesën me sllavët, në vend që ti akuzojnë ata, se nuk duan të jetojnë me ne. Ata na bien vetëm neve kokës duke na kthyer periudhën Vandershtulit që i trajtonte shqiptarët si pakicë.  
Prandaj në fund apeloj që sa më parë të tërhiqen nga përdorimi këto tekste të historisë për shkollat fillore, se do të na dënoj ardhmëria e këtij populli, do të njollosemi në histori si armiq të popullit dhe kombit, do të trajtohemi në të njëjtën vij si Esat Pashë Toptani, ai u shiti malazezëve Shkodrën ndërsa ne historianët e Maqedonisë historinë kombëtare. Pra ne shqiptarët kemi lejuar që të na shkruajnë historinë tonë sipas arshinit të tyre. Kjo është turp për ne, për brezat që do të vinë, të mësojnë këtë histori me plotë falsifikime. Prandaj stop kësaj historie antikombëtare, se deri tani i kemi helmuar dhe vazhdojmë ti helmojmë  nxënësit tanë edhe më shumë me një histori të huaj, që fare nuk ka asgjë të vërtetë me luftën e popullit shqiptar dhe heronjve të kombit që luftuan për çlirimin dhe bashkimin e kombit.   

21.02. 2010
Tetovë