Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Uka: Një grua nga Ballkani e denoncon veten e saj në policinë kanadeze

| E merkure, 24.02.2010, 10:16 PM |


Një grua nga Ballkani e denoncon veten e saj në policinë kanadeze

Nga Blerim Uka

(Frymëzuar nga një lajm në anglisht i Agjencisë së Shtypit Kanadez)

Në fillim të shkurtit 2010, dy familje me origjinë nga Ballkani e kanë humbur nënshtetësinë kanadeze për shkak të fshehjes së të dhënave identifikuese. Në momentin e kompozimit të këtij shkrimi ndodhen në paraburgim deportimi. 

Një mbrëmnje, gruaja (A.V.) e provokon një zënkë me të shoqin (I.K) dhe e thërret policinë me qëllim që ta akuzojë atë për dhunë ndaj saj. Siç konstatohet më vonë, zonja A.V. kishte bërë disa herë më parë thirrje në polici në kuadër të një plani për përgatitjen e ndarjes nga burri (i cili e kishte sponsorizuar) me shpresë se një dosje e ndyrë e burrit do të ishte në favorin e saj sa i përket ndarjes së pasurisë së përbashkët. 

Fatkeqësisht për të, me denoncimin e fundit, ajo e aktivizon një dosje tjetër që burri e kishte hapur kundër gruas në mënyrë konfidenciale. I shoqi, zoti I.K. për një kohë të gjatë kishte bluar në kokë dyshimin se e shoqja e kishte një vajzë të lindur para martesës, para se të vinte në Kanada, të cilën e kishte fshehur nga burri e gjithashtu nga autoritetet kanadeze. Vajza e mitur në fjalë ishte e regjistruar si bijë biologjike e së motrës dhe kunatit, gjithashtu me qëndrim dhe nënshtetësi kanadeze.

Kur vjen policia në banesë për të konstatuar konfliktin, kërkon në të njëjtën kohë të takojë motrën e denoncueses, kunatin e denoncueses dhe të bijën e deklaruar si të tyren, të cilët banojnë në të njëjtën ndërtesë. 

Që në shikim të parë, dy elemente e konfirmojnë dyshimin e burrit në sytë e policisë. Vajza ka sy të kaltërt ndërsa prindërit e deklaruar kanë - që të dy - sytë kafe. Vajza ka trup të gjatë për moshën e saj, ndërsa të dy prindërit e deklaruar janë të shkurtër. Vajza e mitur i ngjan dukshëm denoncueses, tezes së deklaruar, që në të vërtetë është e ëma. 

Pas analizës së ADN-it, të dy familjet e përziera në fshehjen e identitetit të vajzës e humbin nënshtetësinë kanadeze dhe paraburgosen me qëllim deportimi në vendin nga ku janë me originë. 
Kështu, burri i akuzuar për dhunë lirohet nga ferri i jetës që ia kishte krijuar gjatë disa viteve ish-bashkëshortja me sekretet dhe planet e saj sekrete.