 |
z. z. Gagica në shoqërim të Dr. Ibrahim Rugovës, Shtutgart, 2002 |
BASHKIMIN LDK- LDD SI DHE UNIFIKIMIN E RUGOVISTËVE MUND TA BËN VETËM z. HAFIZ GAGICA
Shkruan: Rexhep Elezaj
Në vazhdën e përpjekjeve të fundit për lidhjen e koalicioneve midis disa partive politike në Kosovë, siç është nisma e AAK-së, LDD-së dhe asaj ORA për të bërë koalicion ose për t’u bashkuar me LDK-në, nga opinioni politik në Kosovë vijnë reagime dhe komente të ndryshme pro dhe kundër këtyre iniciativave. Mirëpo, ajo që për momentin tërheq më së shumti vëmendjen e analistëve është fakti se si do t’iu përgjigjet këtyre partive, gjegjësisht letrave të tyre kreu dhe udhëheqja e LDK-së. Ngase ofertat e këtyre partive opozitare për koalicion ose ribashkim me partinë dikur më të madhe në Kosovë, LDK-në, vijnë në kohën kur kjo e fundit ende vazhdon të jetë në koalicion bashkë qeverisës me PDK-në.
Mirëpo, çështja që ditëve të fundit ka dalë, jo aq befasishëm në opinion , është propozimi që ka dhënë deputeti i LDD-së z. Naser Rugova, “që Ukë Rugova (djali i presidentit Ibrahim Rugova, v.j.) të vihet në krye të LDK-së, dhe se është personi i vetëm i cili mund ta shpëtoi LDK-në, gjegjësisht që mund t’i bashkojë Rugovistët” (Gazeta Express, e shtunë, 20. 02. 2010). Mbase, ideja për aktivizimin e djalit të Rugovës, Ukës, në politikë i cili do kontribuonte në unifikimin e dy krahëve politik LDK dhe LDD është e kamotshme, dhe se mbetet për t’u pa nëse ai dëshiron të merret me politikë dhe kyçje në ndonjë iniciativë të tanishme. Ndonëse, ideatorët e parë të afërsisë mes LDK-së dhe LDD-së, kanë qenë Nëndega e LDK-së në Rheinlandpfalz të Gjermanisë me kryetarin e saj dhe veprimtarin Idriz Zeçiraj.
Se, LDK kishte rënë në krizë serioze pas vdekjes në janar 2006 të udhëheqësit të saj shpirtëror dr. Ibrahim Rugova, dhe se që nga ajo kohë vazhdon të jetojë dhe veprojë në rrethana të vështira politike, nuk ka asnjë dyshim, sepse këtë e kanë dëshmuar qartë rezultatet e dobëta që ajo ka arritur në zgjedhjet nacionale të vitit 2007 si dhe në zgjedhjet lokale të nëntorit 2009, në të cilat po ashtu pësoi rënie. Dhe, ç’është më e keqja, gjendja në të cilën u gjet LDK pas zgjedhjeve 2007 e detyroi udhëheqjen e saj që të bën dhe nënshkruaj marrëveshje për bashkëqeverisje me kundërshtarin e saj numër një politik, PDK-në, me të cilën që dy vite e më tepër ndajnë qeverisjen e vendit, duke u arsyetuar para elektoratit se këtë koalicion e ka bërë për interesa shtetërore si dhe për realizimin e pavarësisë së Kosovës.
 |
Në rezidencën e presidentit, Prishtinë, viti 2000 |
Pas vdekjes së presidentit Rugova, siç dihet në Kuvendin e -VI-të të LDK-së (Dhjetor 2006) ajo u nda në dysh për shkaqe ende të panjohura, hiç këtu supozimet dhe analizat gazetareske, duke u dobësuar dhe humbur kështu primatin e partisë më të madhe në Kosovë, ndarje e cila i ka kushtuar shumë popullit shqiptar dhe Kosovës, posaçërisht në aspektin e shtet-bërjes, ndërtimit të demokracisë parlamentare, zhvillimit ekonomik, social dhe kulturor. Meqenëse koalicioni që ajo bëri me PDK-në nuk ishte i natyrshëm dhe as politikisht i qëndrueshëm, por as dobiprurës për ecjen më të shpejt të Kosovës drejt BE-së dhe aleancës verioatlantike, meqë një koalicion i llojit dhe dallimeve aq të mëdha strukturore partiake dhe ideologjike që kishin këto dy parti në mes vetës, ka qenë gati iluzore të pritet se kjo qeverisje do të “prodhojë” zhvillim dhe prosperitet të gjithanshëm në Kosovë. Siç flasin rezultatet e deritanishme dyvjeçare kjo qeverisje popullit të Kosovës në vend se t’i ofrojë zhvillim të mirëfilltë ekonomik, i ka ofruar një keqqeverisje, rritje të korrupsionit, krimit të organizuar ekonomik, rritje të papunësisë, varfëri ekstreme, shitje të pasurive natyrore të Kosovës, stagnim të njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, diplomaci amatore, arsim ende të pa reformuar, shëndetësi të sëmurë, dhe kështu me radhë.
Prandaj, zërat e fundit të dëgjuara këto ditë nga disa anëtarë të kryesisë së LDD-së për koalicion ose ribashkim me LDK-në, përkatësisht përpjekjet për të gjetur një personalitet me karizmë politike i cili do t’i bashkonte të dy krahët e ndarë te të njëjtës parti, e që supozohet se do të ishte djali i presidentit Ibrahim Rugova, Uka, e themi me bindje të plotë se propozimet e këtilla aq sa janë hipotetike, po aq janë të arsyeshme në aspektin e ribashkimit të anëtarësisë së LDK-së, veçse me një dallim të madh këtu, sepse sipas mendimit të shumë analistëve politikë, Uka nuk i përmbushë kriteret e të qenit lider karizmatik i një partie gjithë popullore të përmasave siç ishte LDK-ja e udhëhequr nga lideri i saj historik dr. Ibrahim Rugova. Prandaj, nisur nga ky si dhe shumë parime tjera politike, propozimi në fjalë që Uka të vihet në krye të LDK-së si garant i bashkimit të LDD-së dhe LDK-së dhe si unifikues i rugovistëve, është propozim i pa justifikuar politikisht, kur dihet se ai deri më tash nuk ka krijuar kurrfarë karizme politike si një aktivist i madh i LDK-së, të cilin madje nuk e njeh mirë vetë anëtarësia e saj.
Për të qenë konkret por edhe pragmatik rreth përpjekjeve që janë bërë tash e dy-tri vite nga disa aktivistë të dalluar për shpëtimin dhe rikthyerjen e primatit të dikurshëm të LDK-së në skenën politike kosovare, si pjesëmarrës aktiv në ngjarjet që shënuan epokën për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës e ndjejmë për obligim njerëzor dhe kombëtar që ta themi mendimin tonë, para së gjithash, për hir të sakrificave të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe demokraci, për hir të së vërtetës dhe historisë së rritës dhe ngritjes së LDK-së si front gjithëpopullor kundër okupimit të egër serbosllav në Kosovë, për hir të atyre mijëra dëshmorëve që ranë dhe u flijuan për çlirimin e Kosovës, për hir të mijëra mërgimtarëve shqiptarë anë e këndë Evropës, SHBA-ve, Kanadës, Australisë, Zelandës së Re, etj, të cilët organizuan dhe mbajtën me qindra protesta dhe demonstrata nëpër metropolet më të mëdha të botës për internacionalizimin e çështjes së Kosovës duke çuar zërin e popullit shqiptar tek kancelaritë më të mëdha të diplomacive botërore, etj, etj, se është pikërisht z. Hafiz Gagica, njëri ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe më të afërt të presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, personaliteti më i merituar i cili mund të kontribuojë më së shumti në afrimin e këtyre dy grupeve, nga vet fakti se në Kuvendin e ndarjes ka qenë më i zëshmi për gjetjen e formulës së përbashkët dhe uljes se tensioneve, dhe në veçanti ka qenë personi kyç në momentet më vendimtare në ruajtjen e LDK-së, sidomos në kohën e marrjes peng të presidentit Ibrahim Rugova. Duke mos harruar as faktin se në kryesinë e LDK-së menjëherë pas mbarimit të luftës ishte aktivizuar një grup jo formal që ka punuar me “zell” për dobësimin e krahut të dr. Rugovës si dhe largimin e tyre në mesin e të cilëve ishte edhe z. Gagica. Mjerisht, ky grup edhe sot është aktiv në pengimin e afrimit të dy krahëve të Lëvizjes nacionale që njihet si LDK me ish
 |
z. Gagica bashkë me presidentin, Köln, 1991 |
Dr. Rugovën në krye. Përveç kësaj z. H. Gagica ka merita të mëdha në formimin dhe rritën e LDK-së brenda dhe jashtë atdheut, ishte ndër figurat kryesore të LDK-së që mbështeti politikisht, moralisht, materialisht dhe fizikisht presidentin historik të Kosovës, dr. Rugovën, kudo në Evropë dhe Amerikë, qoftë duke i qëndruar pranë në çastet më të vështira nëpër të cilat po kalonte Kosova (1989/2000), qoftë pas çlirimit të saj. Zotëri H. Gagica, pranë kontributeve të mëdha që ka dhënë për forcimin dhe zgjerimin e LDK-së, ai për 12 vite rresht do ta udhëheq me shumë sukses Degën e saj në Gjermani, duke qenë njëkohësisht edhe kryetar i Kolegjiumit te të gjitha degëve të LDK-së për tërë diasporën shqiptare.
Ndaj, si njeriu dhe politikani i cili u ka qëndruar besnik parimeve kombëtare si dhe politikës largpamëse të liderit karizmatik të LDK-së, Dr. I. Rugova, e po ashtu edhe dispozitave themelore të Statutit dhe Programit të LDK-së, më vonë edhe si kryetar i Degës së LDD-së në Gjermani, gjegjësisht si anëtar i kryesisë qendrore të saj në Prishtinë, është pa mëdyshje personaliteti dhe figura më e shquar e LDK-së dhe LDD-së që dallohet për merita të veçanta brenda Lëvizjes sonë kombëtare për çlirim dhe pavarësi të Kosovës. Me karizmin dhe vizionin politik dhe kombëtar që ka është, pothuajse figura e vetme, e cila do t’ia dilte t’i ribashkojë LDD-në dhe LDK-në, gjegjësisht t’i unifikojë në një front të ri politik të gjithë ithtarët e vërtetë të filozofisë dhe trashëgimisë politike rugoviane. Përndryshe, të gjitha orvatjet tjera që mund të ndërmerren në të ardhmen në këtë drejtim duke anashkaluar eventualisht figurën kombëtare dhe politike të z. Gagica do të përfundojnë pa ndonjë sukses.