Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Flet skenaristja e filmit "Shekulli i dhimbjes..." Helena Halilaj

| E marte, 23.02.2010, 09:42 PM |


Flet skenaristja e filmit "Shekulli i dhimbjes..." Helena Halilaj  

Ky filëm do të pasqyrojë martesën mes cucës së Lumës dhe komandantit serb



Poetja dhe publicitja Helena Halilaj, pas botimit të disa librave me poezi tashmë në bashkpunim me regjisorin e talentuar Ylli Pepo kanë filluar xhirimet e filmit "Shekulli i dhimbjes...". Një film që po mbledh artistë të spikatur shqiptar, pasi dhe tema është me një vështrim hostorik mbi një trevë të veccantë, si ajo e Lumës, ku Helena ka kaluar fëmijërinë. Në film paraqitet një kurorëzim martese mes cucës së Lumës dhe komandantit serb perifrazuar si një dashuri në kohë lufte, hakmarrje dhe urrejtjeje mes dy popujve. Filmi daton në vitet 1913 në masakrën e Lumës së Kuqe për të marrë para shumë ngjarje të pathëna e të pashkruara që bëjnë rrëmujë në këndin historik pasi kërkojnë vendin e tyre.

1) Mund të na bëni një hyrje në këtë intervistë duke na sjelle dhe njëherë në vëmëndje tematikat që do trajtoni me Ylli Pepon në filmin tuaj?

Po, bashkëpunimi do jetë me prof Ylli Pepon dhe me një grup aktorësh të përzgjedhur në frontin e skenarit. Kemi menduar të jenë aktorët më të mirë që ne kemi alternuar simbolikisht me silazhet e artit të sotëm. Por si fillim dua t'i mëshoj idesë në thelb emocionale dhe adekuate me vete realitetin kolovitur ndër vite që ky film do pasqyrojë. Duke i mbledhur vitet në fjongon e kohës bëhet një tyfë e madhe që rrezaton një shekull në meridiant e kohërave. Prandaj vendosëm si stoli të artit titullin "shekulli i dhimbjes..." duke mos e shtrirë në anekset e filozofisë apo të misticiteteve bërë të modës tashmë. Dhe për të zbritur në pyetjen Tuaj më duhet të përshëndes pak Emersonin i cili thotë që "pas çdo muri ka një portë të madhe..." dhe Ne kemi të bëjmë me katër mure të mëdha ku kërkojmë t'i shëmbim për t'i kryqëzuar në një të vetëm rrugët që të shpien në një shesh të përbashkët,
dhe ky është vetë realiteti.

Unë nuk kam pretenduar që me skenarin tim të shkruaj historinë, por kam dashur t'i turbulloj sadopak këto ujëra që po rrinë në qetësinë e harrimeve. Ne duam që dikush, mbase dhe Ne të pranojmë që jemi vazhdonjës të historisë por që mbi supe mbajmë një barrë të rëndë të shumë viteve derdhur hambarit përplot të kohës. Duam t'i ndezim paksa thëngjijtë e viteve të mbuluara nga hiri shekullor. Le të jetë një detyrim binjakëzuar me nevojë për reflektim njëkohësisht. Këta mure brinjëkufitare janë : historia e Lumës, etnografia plot kolorit dhe specialitet, marëdhënia sociale me fenomenet e saj dhe në komunikim me trevat përtej kufijve, si dhe një kurorëzim martese mes cucës së Lumës dhe komandantit serb perifrazuar si një dashuri në kohë lufte, hakmarrje dhe urrejtjeje mes dy popujve. Filmi daton në vitet 1913 në masakrën e Lumës së Kuqe për të marrë para shumë ngjarje të pathëna e të
pashkruara që bëjnë rrëmujë në këndin historik pasi kërkojnë vendin e tyre.

2) Pse duhet të jeni pikërisht Ju me këtë skenar dhe në bashkëpunim me profesor Yllin vahduesit e artit kinematografik?

Duke marë shkas rënien e arsyes në lakun e habisë apo fronteve që duhet t'i kenë vetëm të vjetrit përparësitë dhe duke marrë parasysh ardhjen e shumë zhurmave që mund të bëhen më pas më duhet të ricikloj dhimbshëm nënvizimin e Klintonit në 99 në Kosovë " të falim por të mos harrojmë...". Kjo fjali është një spango që mat përfaqësinë intelektuale-historike të shumë pretendonjësve që struken në mbulesën e fjalëve nën zë duke mos guxuar t'i ngrejnë gjërat në art. Vetëm arti i zgjon mendjet e regjura në heshtje për të sjellë pak shamatë në qelizat e fjetura të ndërgjegjies. E them këtë pasi s'mund t'i vëmë një maskë kirurgjikale të vërtetës që ushton brigjeve të historisë akoma më fort, valëviten vitet e sjellin veri të ftohtë në kujtesën e gjithsecilit. S'është zgjidhje ikja prej të vërtetës por ne ndjejmë qëniet tona vetëm kur realitetin e kemi si të vetmen shtrojë ku rrinë
këmbëkryq historitë tona. Por Ti do thuash e kujt i intereson gjithë kjo kohë në shërbim të së shkuarës? Dhe ju them keni të drejtë derisa të hasni një digë ndërgjegjie të gjurmëve të etërve tanë që s'mund t'i dredhojmë dot rrugën shumë pseudoartistëve. Sot është bërë më e këndshme ajo pema zbukuruese pa fryte sesa ai lisi i vjetër në Gjalicën a Korabin tim që më ruan gjakun e këngën e gjyshit tim. Dhe kjo s'ka të bëjë fare me patriotizëm apo me formalizëm se unë po parashtroj një projekt filmik me një regjizor të nderuar dhe vlerësuar por dua të nënvizoj madje ta kuadratoj me të fortë këtë që do them më poshtë. Realiteti në art mendoj që është imazhi më i merituar dhe priviligjuar i historisë në tërësinë e saj, vetëm në art historia konservohet përjetsisht duke u servirur e freskët gjithmonë. Por do thoja që unë nuk e kam bërë historinë, unë dua që me grupin që kemi
zgjedhur të punojmë me në krye profesor Ylli Pepon të arrijmë ta vazhdojmë historinë tonë. Historia na ka mbetur si i vetmi amanet nga fosilet e dokompozuara tashmë të gjyshërve tanë dhe kjo a nuk do ishte një premtim i mbajtur duke dashur thjesht të ua pasojmë brezave ashtu si është dhe jo të shtrembëruar nga mjeshtërit e politikës që historianëve do ju ngjallnin të vjella po të ishin sot gjallë. Ne duhet të vëmë mbi moçalet e interesave të ngushtë disa gurë që e shkuara e ndritur të mos fundoset. S'besoj se Ne duhet t'u besojmë apo t'i lexojmë shumë gjumashë të përgjumur shumave të majme që u dhurojnë qetësine dhe këto huazime ti injektojmë tek brezat e rinj si vaksinë laboratorike e sotme miku im se gjoja është e kohës. Ky është infektim dhe komë njohjeje-informative mbi identitetin tonë. S'mund të lejojmë që të na rrëmbejnë publicitetet groteske që vetëm e sotmja është e domosdoshme,
jo se mohojmë të sotmen por për këtë të sotmen tonë do shkruajnë brezat që do vijnë, kineastët do e ngrenë në art të bukurën dhe negativen e kësaj të sotmeje. Ne do e jetojmë duke e përmisuar dhe jo shkarravitur si ai fëmija kur i jepet stilolapsi për herë të parë në dorë. Por kjo e sotmja është një jetime djerrë pa të kaluarën dhe ky hibrid do ishte farë e një bime të shartuar në një kompleks të paemër larg origjinalitetit tonë.

3) Ju po hidhni kritika të forta mbi filmat e dy dekadave të fundit realizuar në Shqipëri, mendoni se vetëm realiteti është gjithçka dhe sa realist është filmi Juaj?

Realiteti është busulla e çdo arti qoftë artistik apo letrar dhe si objektivi më i mrë, i patjetërsuar a luhatur nga qënia njërëzore me modifikime që e shpërfytyrojnë, ai është aureolë e gjithçkaje. Por dua të theksoj se shumë filma në koshiencën tonë artistike si një popull i izoluar në teori dhe praktikë mendoj se janë hije filmike, ose më keq dhe aty ku ka pak dritë më duket sikur është marrë hua tek komshiu për të mos rënë në ndonjë qorrsokak. E ç'është e vërteta s'më pëlqen t'i atriboj vetës aftësi kritike mbi artin të cilin se kam studiuar por mprehtësinë e syrit, përjetimin emocional, apo qortimin në heshtje dhe me zë ku dëgjohem s'mund të ma etiketojë askush si recetë e skaduar kohës.

Pranoj që arti  si çdo gjë kërkon para dhe mund, por nuk mund të pranoj dot komerçialitetin shpirtëror që lulëzon sot ku dhe trungushtët të duken të Zotë vetëm se janë në tribunën e udhëheqjes së pushtetit të artit. Jo po ky nuk është art miku im? Ai nuk është realiteti im se unë nuk jam aty, as gjyshi apo nipi im? Ky është një lustrim sipërfaqësor për të justifikuar shpenzimet apo kohën që u mer ky pseudoart. Ajo këpuca e vjetër sado t'i hedhësh bojë, ato hullitë e largëta e të thella në kohë një furçë fjalësh në skenë a film s'i fsheh dot!

Apo që arti është bërë një mjet fitimi mes shumë producentëve ne duhet ta pranojmë si të zakonshme?

Apo që njërëzve të varfëruar gjer në palcë u mungon një kafshatë si taksapagues dhe shkojnë dëm duke sjellë shumë herë filma aspak edukues për t'më lënë në grykë dhe atë kafshatë të zbutur me pështymën e pritjes...çdokush kërkon vëndin e tij përfaqësues në film, emocion dhe ripërtypje mes vetes kërkon arti i vërtetë të shkaktojë tek shikuesi. Por dhe shkallët e fajit janë pafund, mendoj që ne kemi në dorë restaurimin e kateve përdhe se ato majat bien e zgjohen në shputat e dhunjëta e mendjet e ndritura të popullit.

4) Arsyet bazë mbi të cilat skenari juaj e mbështet fitoren, sa ndikon bashkëpunimi me  Ylli Pepon?

Kur stacionohemi tek Ylli Pepo mendoj që puna e tij krijuese në art ka një pasqyrë dritëplotë. Unë i besova skenarin tim pasi pretendoj që është regjizori që rri në sinkron të vazhdueshëm me humanitetitin e patundur dhe artit të vërtete duke luftuar në përsosshmërinë e punës së tij. Por këtu do veçoja së jo vetëm nga profesor Ylli varet suksesi i filmit pasi janë shumë faktorë dy-tretësor që frenojnë ose stimulojnë arritjet e pritshme. Dëshira e profesorit është më e madhe se imja që ky të jetë një film me përmasa të mëdha pasi kemi një realitet brenda shumë realiteteve ku qëndron dhe bukuria e filmit. Dua të theksoj dhe që tensionimi i vazhdueshëm mes historisë për mbijetesë, të dhimbjes dhe dashurisë së njerëzve për shumçka lidh dhe orientimin e këtij kompleksiteti artistik duke i dhënë vlera të çmuara. Kur flas për vlera e kam fjalën për ngjarjet që janë gërshetuar përbrenda
filmit. Por më kujtohet Albert Kamy që thotë "sa më e fortë të jetë revolta e një artisti kundër realitetit  të botës dhe fenomeneve, aq më e madhe do të jetë pesha e realitetit që do ta ekuilibroje..."Pra unë kisha dhe kam një arsye të vetme që besoj, një arsye që rri si pishtar i lakuriqsuar pa kostume gjithçfarë ngjyrash a stofesh që e fshehin fytyrën e vrazhët dhe të bukur por të moçme, kjo arsye është vetëm realiteti me gjithçka. Pra janë akumuluar historitë, betejat luftarake, jeta me vështirësitë e saj, gjuha, etnografia, turizmi që jepet nëpërmjet bukurive natyrore, traditat dhe normat, përfshirë në metamorfizimet e vazhdueshme në hapat e kohërave. Mund të prekej secila temë më vete por menduam se bashkimi i tyre do formonte një tërësi të plotë të imazhit kalendarik mbi bazën e ndodhive ku profesor Ylli e sheh si risi të bukur por pak të lodhshme në realizim këtë film. Vështirësia
qëndron se përveç shumë ngjarjeve do ketë një numër të madh aktorësh si dhe terreni i thyer dhe akoma më keq se do kemi një pjesë në dimër ku do duhet mot me furtunë dhe borë. Ne duam të prekim gjithçka që ju të ndjeni gjithçka kjo është motoja jonë. 

5) E ardhmja juaj cfarë do na ofroj?

E ardhmja ime, e shumëkujt shfaqet në gushën e kohës si një horizont me re vështirësisht të kalueshme, rreze të vakëta që dhe ato duket sikur s'duan të bien në rrugicat e jetëve tona. S'jam e fokusuar vetëm tek pesimizmi pasi duhet dhe të shpresojmë ndopak si ai piktori i vjetër që s'po e kujtoj për momentin emrin. Ai pikturonte trëndafila në dhomën e Tij dhe jashtë bëhej luftë, kur e pyetën u shpreh që : Unë kështu e dua botën dhe pse jashtë këtij gardhi të betonizuar populli vuan e derdh gjak...". Por them që ky transformim progresist i jetës me evolimet e shpeshta në koncept dhe teknologji do na shërbejnë si frymëzim grotesk, i dhimbshëm apo dhe i lumtur?

Besoj se në ujërat e letërsisë dhe artit do notojnë vitet e mia. Asnjë tregim, novelë apo roman që i kam përfunduar apo që janë buzë finishit s'mund t'i konceptoj dot larg artit, çoftë film apo pjesë skenike pasi vetë realiteti është një breshëri situatash dhe ngjarjes dhe jo vargje, ndjesi të shëndrruara në poezi apo frymëzim i një shkrimtari të vetmuar?

Përveç një skenari të ri që sapo kam nisur do kem dhe disa dalje të shpejta me poezi dhe prozë. Kam një kohë heshtjeje në sytë e dashamirësve të mi dhe pse brënda vetes s'kam ndjerë asnjë çast përkdhelitë atarakse, vetëm trazime të shumta që shtojnë revoltime të forta duke servirur vepra sigurisht tek lexuesi dhe artdashësi.