''NËSE DI TË DUASH GJITHÇKA E BËN ME
NDJENJË DHE PËRKUSHTIM''
Bisedoi: Raimonda Moisiu
Kristaq Turtulli beson në fuqinë njerëzore; është ky parim që e ka
mbështetur në formimin e tij si shkrimtar, si gazetar, por edhe në vitet kur ka
punuar si mësues. Këto aftësi shkrimtari i sheh si profesione të bukura, të
ndjeshme shpirtërisht. Janë 'këshilltarë besnikë' të ngjarjeve, karaktereve,
fakteve, të profesioneve, në krijimtarinë e tij të pasur, të talentuar,
produktive, gjithmonë me besimin se çdo libër ka rëndësinë dhe mesazhin e
kujtimeve, dhimbjes, mallit, dashurisë njerëzore, nostalgjisë, universin
jetësor të botës shqiptare dhe individuale, të cilat bashkohen në një emëruës
të përbashkët: ndjenjën e përgjegjësisë dhe përkushtimin për ato që shkruan dhe
misionin që i ka vënë vetes.
Kristaq Turtulli është një shkrimtar bashkëkohor i letërsisë shqipe që
krijimtarinë e tij e shtrin midis dy kontinenteve, dy vendeve, dy kulturave të
ndryshme: Kanadasë dhe Shqipërisë. Në krijimet e tij ai sjell muza e frymëzime
që e kanë bërë një autor të vlerësuar, jo vetëm nga kritika letrare shqiptare,
por edhe nga kritika amerikane, në kontinentin ku ai jeton dhe punon tashmë. Të
qenurit mes Kanadasë e Shqipërisë nuk e kanë penguar aspak që librat e
shkrimtarit të lexohen me ëndje nga lexues të shumtë dhe bëjnë vlerësime për
tematikat e larmishme që autori trajton në to. Bile disa libra të Turtullit
janë përkthyer në anglisht dhe pritur shumë mirë nga audienca amerikane e
lexuesve.
Për më shumë unë po ju lë nën shoqërine e bisedës me shkrimtarin, poetin dhe
publiçistin Kristaq Turtulli.
1-Ç kupton për ju të jesh
shkrimtar shqiptar në Perëndim, konkretisht, në Kanada?
Të jesh shkrimtar është diçka e mirë, e respektuar, edhe në
perëndim, në Kanada, së paku nga ana morale. Por ta mbash këtë, duhet të punosh
shumë, ta justifikosh, tu imponohesh, sepse ndryshe mbetesh shumë shpejt
mënjanë. Jam anëtar i shoqatës së shkrimtareve Kanadezë (The Writers’ Union of
Canada). Ti e di mirë të bësh letërsi është një akt vuajtjeje dhe vetmie.
2-Kush është Kristaq Turtulli, diçka nga fëmijëria
Tuaj?
U linda dhe hodha hapat e para
në një nga rrugicat karakteristike me kalldrëm të qytetit të Korçës, diku pranë
çezmave të reja dhe rrugës së përpjetë të Shën Thanasit. E përmend këtë fakt
mbasi gjunjët dhe çorapet e mia asnjëherë nuk u thane nga çapkënllëqet
fëmijërore duke shkarë në dëborë me skinë e vogël prej dërrase përgatitur me dy
këmbëza karrige të vjetër. Jam fëmija më i vogël i familjes dhe prindërit e mi
u munduan të më pajisnin me njohuri, kuptohet aq sa ju a lejonin kushtet e
vështira të jetesës.
3-Mbiemri "Turtulli",
një vlerë qytetare dhe historike e Korçës sonë? Ç' mund të na thoni për këtë
familje të fisme, autoktone korçare.
Ndjehem krenar që i përkas familjes se fisme “Turtulli”. Familja
Turtulli zbriti në Korçë rreth mesit të shekullit 18 fill mbas djegies së parë
të qytetit të Vithkuqit. I cili aso kohe sipas të dhënave kishte rreth 30,000
mijë banorë, 26 lagje dhe një tregti të zhvilluar. Kjo familje luajti rol të
rëndësishëm ne zhvillimit e qytetit të Korçës, bamirësia e tyre ka përmasa
ballkanike. Ne i dhuruam qytetit të Korçës; tre pikat kyçe të domosdoshme për
një qytet me fytyrë evropiane; spitalin, liceun e famshëm ku u arsimua
inteligjenca e saj kohe, bibliotekën, ku studiuan dhe morën njohuri rinia
korçare, pa përmendur këtu bamirësinë për ndërtimin e shtëpisë se jetimores,
ndihmën monetare për ndërtimin e mitropolisë e shumë të tjera bamirësi.
Po sa vlenin të gjitha të këto bamirësi në vitet e gjata të
diktaturës. Po ju tregoj një shembull që me ka lënë gjurmë në kujtesë. Isha në
klasën e tretë të shkollës fillore. Mësuesja e klasës Julia, një grua e dashur
mori lejen e lindjes. Një mëngjes na hyn në klasë sekretarja e shkollës së
cilës nuk dëshiroj ti a përmend emrin. Ajo do të zëvendësonte Julian e ëmbël.
Filloi të lexonte emrat e nxënësve, përmendi emrin tim, ngriti kokën. Ngihu në
këmbë, më tha ftohtë. Unë u ngrita. Më hodhi vështrim të akull, të gjatë. Ulu,
më tha, unë u ula. Në orën e tretë kishim lexim. Një tregim të Migjenit. Ngrihu
Turtulli, dëgjova zërin e saj të mprehtë. U ngrita ngadalë, i mpirë, ndjeja
diçka e keqe do të fshikullonte mbi mua. Pa më thuaj ti Turtulli, si e
shfrytëzonin borgjezët, tregtarët popullin e shumëvuajtur shqiptar, konkretisht
Ju Turtullit, e sa gjakpirës ishit ju? Unë nuk kisha idenë për se bëhej fjalë,
kaq të tmerrshëm të ishin këta borgjezë? Unë isha lindur dhe rritur me kothere.
Babai e nëna rropateshin gjithë ditën për të na ushqyer, ku dreqin ishte gabimi
i tyre! Përgjigju, dëgjova zërin e çjerrtë saj. Unë u drodha. Në gjoks kisha
një lëmsh të madh sa një mal. Qenke nxënës i mirë hë, nëse nuk më përgjigjesh
do të vë njësh të madh. Unë nuk u përgjigja, e ç’mund të thosha, ne me zi
ngopeshim me bukë, çfarë borgjezë ishim ne! Ajo më vuri njësh. Ajo donte të
qaja, të qullosesha aty në klasë. Nuk qava. Shkova me vrap në banjë dhe qava me
dënesë.
4-Kini mbaruar studimet për
gjuhë letërsi. Çfarë iu shtyhu te studioni ne këtë degë?
Në fëmijëri babai im më tregonte shumë
ndodhi, ai ishte njeri i bredhur i shkolluar. Ndjeja një forcë të brendshme të
shprehja të pathënat e babait tim të mrekullueshëm, e te gjitha ato qe
përjetoja. Shkollimi im nuk ka qenë e lehtë, nuk më jepej e drejta e studimit
për arsye të biografisë. Mbas shumë vite kërkesë më dhanë të drejtë e studimit,
në Tiranë, gjuhë letërsi.
5-Kini punuar mësues dhe
gazetar. Ç'kuptim kanë për Ju këto fjalë, dhe a kanë lidhje mes tyre?
Mësuesia dhe gazetaria janë profesione
të bukura, të ndjera, ke të bësh direkt me njerëzit, në mësuesi me moshën e
brishtë, të papërsëritshme fëmijërore dhe rinore ndërsa në gazetari je në
kontakt me të gjitha moshat, mëson, ngjarje, fakte dhe karaktere, të cilat të
ndihmojnë shumë në krijimtari. Për mendimin tim të dyja këto profesione kanë
shumë gjëra të përbashkëta, mbi të gjitha duhet të jesh i përgjegjshëm për
detyrën qe kryen.
6-Ç’ka keni shkruar ndër vite?
Cila është gjinia Tuaj e preferuar?
Më pëlqen të shkruaj poezi, tregime,
letërsi për fëmijë, para do kohe botova edhe një novelë për fëmijë në anglisht
(Friends) ‘Shokët.’ Nuk e di, por kohët e fundit çuditërish më tërheq romani.
Ndoshta është zëri i fshehtë i tim ati që më cytën së largu të them ato që nuk
mundi ti thoshte ai. Janë pa rëndësi kilometrat tokësore, përpara zërave të
zëmrave që u tretën brigjeve të vuajtjes.
7-Jeni autor i disa librave,
sidomos të romaneve: Hija e Ariut, Hani me dy porta, Ç’është jeta e një njeriu,
Vetmia e Zërave, Dëgjo floriri im. Ripunimi, përkthimi dhe botimi i suksesshëm
i romanit Hani me dy porta etj. Çfarë kini bërë Ju, për të marrë kaq shumë
frymëzim e dashuri nga jeta?
Për mendimin tim, artistit,
shkrimtarit i bën mirë të ndeshet me dallgët e jetës, ai mëson, kalitet. Po ta vësh re ciklin e dallgës,
vjen me tërsëllëm, si një mal për të gllabëruar gjithçka që gjen nën vete.
Pastaj tërhiqet si me trishtim, me dhembje. Dikur në fëmijëri kam parë një
njeri që luante me dallgën, ai ishte artist dhe donte jetën, por njëherësh
donte të pikturonte dallgën me të gjitha të fshehtat e saj. Përgjatë rritjes të
ngritjes, apo të ringritjes së njeriut duhet ta duash jetën ashtu siç të jepet,
të mos bësh kompromis, atëherë e kupton së thelli dhe nxë gjithnjë e më tepër
nga jeta.
8-Kur filluan hapat e para
letrare, prozë, poezi apo publicistikë?
Fillova te shkruaj poezi në moshe
shume te re, frytin e botimit e ndjeva shpejt bile dhe çmimet, se bashku me
zhgënjimet. Vinin sinjalizimet nga Korça. Mbiemri Turtulli u shkaktonte
pështjellim pushtetarëve dhe shërbëtoreve te tyre, paçka se isha akoma fëmijë.
Unë nuk u tërhoqa asnjëherë isha i dashuruar mbas letërsisë.
9-Fjala dashuri është aq e
virgjër, e bukur dhe universale. Ku qëndron forca e saj, që ju frymëzon ta
jetoni apo ta shkruani?
Dashuria
është vërtet e virgjër, e bukur, universale. Dikur kam njohur xha Tolen, burrë
plak, rreth të tetëdhjetave, i cili jetonte një rrugë më poshtë se shtëpia ime.
Ai ishte plak fjalë-pakët, ngjiste çdo ditë të përpjetën e Shën Thanasit,
shkonte tutje në kodrat e qytetit, mbarte një trastë të vjetër me vegla të
thjeshta. Ai donte qytetin, pyllin, natyrën, ujërat e kaltra të burime,
ndërtonte së bashku me pleq të tjerë çezma të thjeshta pranë monopateve të
kodrave dhe maleve. Ai mbarte dashurinë për të tjerët, jepte ujë për të
papirët. Është dashuria ajo që e bën njeriun të japë diçka nga vetja, dashuria
për prindërit, për fëmijët, njeriun e thjeshtë, e të gjitha këto bëjnë
dashurinë e madhe. Nëse di të duash gjithçka e bën me ndjenjë dhe përkushtim.
10-Jeni një krijues i
mirëfilltë në gjininë e romanit. I vlerësuar nga kritika letrare dhe lexues të
shumtë. Sa qëndron kjo te krijimtaria Tuaj?
Mbase romani është dashuria ime e
madhe, më pëlqen të merren me personazhet e mia të krijoj me dashuri, ti bëj sa
më bindësh, të pasqyroj shtresat e ndryshme të shoqërinë, me të mirat dhe të
këqijat e saj. Romani është një arenë e vërtetë, je gladiator dhe spektator
njëherësh. Romani të lodh, të sfilitën, të shkakton strese, të drithëron, të
than gjuhën. Të duket sikur kap horizontet, krijon një mikrobotë më vete. Por
nëse krahët e tua janë prej dylli, shkrihen menjëherë nga kontakti i parë, të
jep zhgënjimin më të madh, goditesh brinjë më brinjë, nuk ke qullosur gjë,
është një dokument i keq ku
tregon mëndje shkurtësinë tënde.
11-Ju sapo botuat romanin
"Dëgjo floriri im", stili dhe mënyra e të shkruarit, të shprehurit
mjaft të goditura e të bukura. Ç'mund të na thoni për këtë? Si ju lindi ideja
për ta shkruar?
Dikur në klasën e shtatë kam pasur fatin
të kem mësuese Olenën flokë arte, një ruse bardhoshe, bukuroshe, e cila ishte
martuar me një inxhinier shqiptar. Ne shpesh herë qeshnim nën zë me shqipen e
saj të lodhur. Të gjithë një zëri e quanim ‘Helena e Trojës’. Herën e parë ajo
qeshi dhe luajti kokën lehtë. Kur shakaja u përsërit, ajo e gjente të shkuar me
germa të mëdha në dërrasën e zezë ‘Helena e Trojës’, skuqej, nervozohej, e
fshinte dërrasën e zezë duke na vështruar me bisht të syrit. Na dukej e
çuditshme, ruska e bukur ishte degdisur mësuese në shkollë tetë-vjeçare të
qytetit jug lindor. Ajo ishte shenjtëria vetë. Disa vite më vonë të shoqin e
futën në burg, ndërsa Olenën mësuesen time të mrekullueshme e internuan. Ne nuk
kuptonim, ishim fëmijë, të
duash është një gjë madhështore, paçka se mbart vështirësi të panumërta. Vonë
more vesh se ajo nuk pranoi të largohej nga Shqipëria.
Ngjarja e Olenës ishte unike ajo dinte
të jepte dashuri dhe të
sakrifikonte. Më dukej se
ndjenja detyrim për atë grua të përsosur dhe jeta e saj. Por arti ka mision më
të madh, ka përgjithësimin.
12-Duket sikur gjinia tuaj e
preferuar është proza, tregimi, romani. Por ju keni shkruar edhe poezi, bile
edhe poemë, publicistikë. Ku e ndjeni veten më mirë në këto gjini?
Mendoj se ndjehem më mirë tek romani,
por sidoqoftë edhe kur shkruan poezi të ndjerë me katër rreshta dhe thua shumë,
provon kënaqësi.
13-Kini botuar romanin
dygjuhësh ;shqip & anglisht Hani me dy porta. I vlerësuar nga kritika
amerikane. Si ju lindi ideja për ta shkruar në të dyja gjuhët? Ç'mund të na
thoni?
Romanin Hani me dy porta e kam botuar
ne mesin e viteve 90 aso kohe pati sukses për mënyrën e trajtimit të temës, dhe
skalitjen e personazheve, në qendër të librit kam vënë një plakë dhe një vajzë,
vuajtjet e tyre. Djali im Virgjili e lexoi librin e pëlqeu dhe shfaqi dëshirën
për ta përkthyer. Nisën të punonim së bashku, mu duk sikur libri kishte nevojë
për me shumë frymëmarrje, njëkohësisht më duhej të bëja më të komunikueshëm për
lexuesin anglishtfolës. Shtova disa kapituj funksionalë, ndryshova fundin e
librit, u mundova ti jepja diçka shprehëse. Në variantin e parë mbyllja ishte
tejet e dhimbshme, rrëqethëse. Libri u botua u prit shumë mirë.
14-Si iu duket kritika letrare
sot? A ka kritikë të mirëfilltë letrare? Ç'mund të na thoni për këtë temë që
shqetëson njerëzit e letrave shqipe?
Arti në përgjithësi dhe letërsia në
veçanti ka nevojë për një kritikë të kualifikuar, të mirëfilltë, të
përgjegjshme. Kritika letrare sot me duket e plogët, e njëanshme, pasiononte,
duke u nisur nga arsye pozite ose paraje dhe jo letrare, prandaj lexuesi
shqiptar është larguar nga libri artistik shqiptar dhe rend mbas letërsisë së
huaj. Kur botova librin ‘Dëgjo floriri im’ bisedova me botuesin tim ta çonte sa
më parë në librari, kisha telefonata nga miqtë e shumtë në Shqipëri, ata
kërkonin ta lexonin. Ai më tha; libraritë janë të mbushura dingë me letërsi të
huaj. Nuk ble sot njeri letërsi shqipe, me ndonjë përjashtim të vogël. A është
libri im i mirë, i thashë. Shumë i mirë, mu përgjigj ai. Po atëherë? Ai ngriti
supet. Duhet të punojë shtypi, reklama, kritika e mirëfilltë, në mënyrë të
ndajë shapin nga sheqeri. Dua të përmend krijuesin dhe kritikun Fatmir Terziun,
i cili po bën një punë të lavdërueshme në fushën e kritikës letrare.
15-Në prozën tuaj, kini
trajtuar nga jeta e përditshme e njerëzve të thjeshtë, familjes shqiptare, brenda kornizave të mentalitetit
shqiptar. Si ndjeheni kur dëgjoni, për krimin në familje, veset e tjera, që
kanë përfshirë rininë, droga, prostitucioni, etj? Si mund të reflektojë
shoqëria shqiptare për lehtësimin e këtyre plagëve?
Droga, prostitucioni, krimi,
korrupsioni dhe veset e tjera janë fenomene që hynë vonë dhe rrëmbyeshëm në
jetën shqiptare. Ne u gjendëm të papërgatitur, naivë në këtë mjedis të
rrëqethshëm, të veshur me petk të shndritshëm. Si zakonisht më provuese është
negativja për tu thithur më shpejt se sa pozitivja. Kuptohet si gjithnjë rinia
mosha më e bukur dhe më e brishtë, preket shumë shpejt nga këto viruse të
rrezikshme. Të luftosh këto vese nuk është e lehtë, mbasi janë shumë hallka
zinxhiri të cilat të mbajnë të tendosur në kahun e kundërt, por përsëri nuk ka
asgjë të pamundur, shteti, shoqëria shqiptare, shoqatat ndryshme, duhet të
bëhen barrierë. Të parandalojë rreziqet dhe ti dënojnë ato. Letërsia e vërtetë,
e fuqishme luan një rol të rëndësishëm në pasqyrimin me vërtetësi të
rrezikshmërisë në jetën shqiptare të këtyre veseve.
16-A ka ndonjë ngjarje të tillë
në letërsinë tuaj?
Porsa përfundova romanin ‘Në trenin e
linjës’. E prek me kujdes dhe përgjegjësi problemin e drogës dhe të
prostitucionit, pasojat që lë ajo në jetën e një familje të vuajtur shqiptare.
Nuk e vuan vetën njeriu që merr drogë apo bëhet prostitutë. Gjithë familja e
vuan këtë sëmundje,gjithë shoqëria, pasojat e mëtejshme vazhdojnë. Shpesh herë
bëhesh aksidentalisht fajtor sepse të ka rrëmbyer vala e euforisë së
mosnjohjes, e kur gjendesh në mes të qerthullit të fajit kërkon të dalësh por
nuk del dot.
17-Cili autor ju inspiron?
Në letërsinë botërore ka shumë
shkrimtarë të mëdhenj, që kanë bërë epokë, mua më pëlqen Ken Follet. Është
shkrimtar bashkëkohor shumë i talentuar anglez, mënyra e të shkruarit të tij
është intriguese. Ai është njohës i thellë i jetës angleze. Edhe ne kemi nevojë
për shkrimtarë të jenë njohës të thellë të jetës shqiptare.
18- Nga letërsia shqipe?
Edhe në letërsinë shqipe kemi shkrimtarë shumë të mirë, por unë do
të veçoja Mitrush Kutelin dhe Petro Markon. Të dy këta për mendimin tim mbeten
shkrimtarë të mëdhenj dhe njerëz të mëdhenj.
19-Sa jeni integruar në jetën
kanadeze?
Jam përpjekur të integrohem në jetën
kanadeze si të gjithë emigrantët e tjerë, të mësoj gjuhën, të gjej një punë, tu
përshtatem rregullave të lojës së vendit ku jetoj. Në tërësi mendoj dhe veproj
njësoj, ushqehem sikur jam në Shqipëri. Më duket diçka artificiale të veproj
ndryshe.
20-Cilat janë marrëdhëniet me
fëmijët Tuaj? Sa ju mbështet bashkëshortja dhe fëmijët në aktivitetin Tuaj
krijues, letrar, artistik?
Shumë të mira. Gruaja dhe fëmijët më
kanë mbështetur dhe më mbështetin në krijimtarinë time. Ata janë lexuesit dhe
kritikët e parë të krijimtarisë sime.
21-Diçka për krijimet Tuaja në
të ardhmen?
Ju thashë posa përfundova romanin ‘Në
trenin e linjës.’ I cili trajton temë sociale. Gjithashtu kam në tavolinë duke
punuar një roman voluminoz, me titull’ Hidhësia e puthjes’ me shtrirje kohore
në tre shtete, në Korenë e veriut, në Greqi, dhe kuptohet në Shqipëri.
22-Si një ndër shkrimtarët e
talentuar, plot larmi temash e në zhanre te ndryshme, cili është mesazhi për
talentet e reja?
Vendosmëri, punë, përpjekje, kritikë
të thellë vetvetes.
23-Çfarë do dëshironit të
kishte Shqipëria nga kultura demokratike e Kanadaze?
Respektimin e së drejtës, shmangie nga
pasionet e sëmura.
24-A do te kthehet Kristaqi në
atdhe?
Nuk e di, ndoshta.
Ju faleminderit
Edhe juve faleminderit!
Bisedoi
:Raimonda Moisiu
Kristaq
Turtulli ka botuar një seri me tregime, novela, poezi, poema dhe romane; disa
prej të cilave janë vlerësuar me çmime kombëtare:
· "Nëna", novelë, 1981
· "Aventurat e
Arushit Topic", përrallë për fëmijë, 1988
· "Zogjtë",
tregime dhe novelë për fëmijë, 1989
· "Ana",
novelë, 1989
· "Hija e
Ariut", roman, 1996
· "Hani me dy porta",
roman, 1997
· "Ç’është jeta
e një njeriu", roman, 2004
· "Vetmia e Zërave",
roman, 2007
· "Friends ", novelë
për fëmijë, (botim në anglisht), 2008
· "The Inn with Two
Doors", ribotim në anglisht, 2009
· "Dëgjo, floriri
im", roman, 2009
Së afërmi:
· "The
Last Child", novelë
· "Në
trenin e linjës", roman
· "Hidhësia
e puthjes", roman