Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Dy ditë pas dyvjetorit të (Pa)Varësisë

| E shtune, 20.02.2010, 10:55 PM |


Dy ditë pas dyvjetorit të (Pa)Varësisë

Nga Blerim Rrecaj

Duke u hamendur ia dërgova atij një sms me fjalët: A kemi farë agjende sot në këtë ditë të shënuar? Më telefonoi dhe e lamë të dilnim në ora njëmbëdhjetë si zakonisht pa ndërruar vendtakim. Më pas hapa që na shpiejnë në kafenenë e pëlqyer për ne. Dhe fjalë, fjalë e fjalë që nxisin fjalë të tjera. Dikur e dhe propozimin për të shkuar e shikuar lojën futbollistike “Kosovë-Shqipëri”. Ia mësyejmë stadionit, në këtë përvjetor dhe dita është e vranët. Paguajmë dy bileta dhe përzihemi në atë tollovi njerëzish para dyerve të këtij stadiumi futbollistik të betonuar vrazhdë e pashije qysh kaherë dhe i cili të paktën ka mbetur ashtu siç ishte. Ulemi në ato karrika të kaltërta që kanë nisur ta humbin ngjyrën në pjesën përendimore gati në mes dhe shohim pjesën e lindjes ku veçohen ai grup spektatorësh të gjallërishëm me parullën “United States of Albania” e cila gati edhe ajo është e mbushur me spektatorë. Dy anët e tjera janë të zbrazëta. Pas këndimit të himnit kombëtar i vije rradha edhe këtij të Kosovës i cili përcillet edhe me fishkëllima dhe të shara e me reagime gishtërinjsh. Loja fillon dhe mjaft fareshitës dhe pijeshitës do ekspozojnë këto produkte. Shiu dikur do fillojë të bije dhe pa hezituar do hedhim xhaketat mbi kokat tona për t’u mbrojtur. Loja do vazhdojë në atë terren gjelbërosh e të papërshtatshëm me atë baltë vende-vende. Do përfundoj edhe pjesa e parë. Gjatë pushimit do këndohet një këngë për Camërinë shoqëruar nga një grup valltarësh por edhe nga mbishkrimi ”Pa Kosovë e Camëri s’do të ketë Shqipëri” që e mbanin ata dy djelmosha. Pjesa e dytë është po aq simpatike sikurse e para me disa aksione të rrjedhshme, me dyluftime burrërrore për top, me gola. E çdo gol pamarrëparasysh se në cilën rrjetë shënohet ngjall brohorima e gëzim tek të pranishmit. Përfundon edhe kjo lojë dhe stadiumi nis të boshatiset. Fillojmë të shprehim mendimet tona për të. Kur dalim rrugëve të qytetit shumë njerëz vazhdojnë ecejaket në turmë. Dëgjohet edhe sirena nga veturat që kryesisht mbajnë dy flamuj. Kur të filloj të erret do jem në shtëpi. M’u duk ditë fort e zbehtë i them vetes. Atyre mysafirëve vetëm kur i përcjell te dera u them duke qeshur: Urime Pavarësia. Nëpër natë veturat vazhdonin duke bërë xhiro me flamuj dhe brohorima. Në telefon kështu shkruava: Të ecim përtokë-Shkruaje një reportazh të mirë/ Si gazetar i lirë/Për ditën e (Pa)Varësisë/ Në Kosovën e robënueme/. Desha ta nisja këtë që ndjeva por s’më kishin ngelur para as për një sms në telefon.
Të nesërmen kur të thashë se gëzimi i kësaj dite m’u duk histerik aspak nuk të pëlqeu. Dita e parë e pas 17 shkurtit ishte një ditë e rëndomtë jo pa zymtësi. Në telefon kështu shkruava:
Në një ditë pas ditës së (Pa)Varësisë
Të ngarkuar mendërisht, nurotikisht, emocionalisht
Me zhgënjime e ndrydhje mendimesh, vetvetesh
Kokëfortësi dhe përballje e kacafytje në ato që themi
Nëse më fton për të dalur nesër në qytet nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese
Dua të pushoj!(Ky ishte një varg i asaj përmbledhjeje poezishë tuat që i lexova duke ecur… 

Sot shoh disa shkrime që i kushtohen kësaj date. Pajtime, mospajtime, kundërthënie, hakërrime...