Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Suzana Kuqi: Endrra si veshje

| E shtune, 20.02.2010, 09:59 PM |


Suzana Kuqi

Endrra si veshje

Desha t'i vishja mendimit rrobën e ëndrrës...
e vesha e dola...
me hap të brishtë fluturak flatrash të brishta
hap flatrash të brishta...
më sulmuan, ma shqyen, ma vodhën, ma copëtuan
në një mijë copëza...

Copëzat i morën dhe i përdorën si lodërza
dikush i shiti për interes
dikush me to para derës thurri një tapet
për të pastruar këmbët
dikush i ruajti në bllok për ta treguar si barcaletë
për të qeshur, për të treguar sa të pastër e të mprehtë i ka dhëmbët
...një copëz ëndërr për barcaletë...

Pothuaj lakuriq, nudo mbeta, nga veshja ëndërr asgjë
asgjë nuk kish mbetur...
fat, aty pranë ish ndodhur një pemë fiku...
më hodhi sipër ca gjethe të ashpra, gërricëse e lënduese si qortimi
lënduese e të idhta si pendimi...
... kisha guxuar të vishja një ëndërr...

Teksa loti dridhej nga të ftohtët e turpi...

Teksa të ftohtët e turpi lotin ma dridhnin
një pendë trumcaku ma rrëmbeu...
një pendë trumcaku ma rrëmbeu e prapë ma ktheu...
Një fije ylberi kish vjedhur e në të kish mbjellur...
... një fije ylberi...