Nga Faik Krasniqi
Shtetet moderne perëndimore mund të funksionojnë normalisht po qe se plotësojnë tre kushte elementare: kohezionin e mrendshëm, pra lojalitetin e qytetarëve ndaj sistemit; mirëqenien e qytetarit dhe demokracinë liberale. Maqedonia, para dhe pas marrëveshjes së Ohrit, nuk arrin ta plotësojë as kushtin e parë si çdo shtet multietnik konfliktual. Ekzistojnë fakte të pamohueshme që dëshmojnë të kundërtën. Sikur qëllimshëm nxitet ripërtëritja e konflikteve ndëretnike.
Nëse analizohen të gjitha vështirësitë gjatë bisedimeve të Ohrit lidhur me modelin e dygjuhësisë, mekanizmin e vetos, që mbron interesin shqiptar dhe nuk e rrezikon atë maqedonas, nëse analizohet pozicionimi refraktar para, gjatë dhe pas bisedimeve i palës maqedonase ndaj çdo ndryshimi që e përmirëson pozitën shqiptare në shoqëri dhe nuk e rrezikon atë të maqedonasve, nëse analizohen diskutimet në Parlament dhe lojërat e tjera politike gjatë votimit të ndërrimeve kushtetuese, nëse analizohen modifikimet që i bëhen në vazhdimësi marrëveshjes së Ohrit, nëse analizohen vonesat e qëllimta rreth implementimit të marrëveshjes së Ohrit, nëse analizohet mosrespektimi i ligjit për amnisti, etj,
del qartë se këtu nuk ka gatishmëri e as vizion se si të arrihet pajtimi ndëretnik dhe në këtë mënyrë të eliminohet ai gjenerator që i ripërtërin antagonizmat ndëretnikë. Fatkeqësisht, Maqedonia nuk është rast i jashtëzakonshëm, por vështirësi të tilla në arritjen e kohezionit të brendshëm në shoqëri shfaqen në mënyrë të parezistueshme në të gjitha shoqëritë heterogjene, konfliktuale.
Është fakt se përkundër investimeve kolosale në Bosnjë, kohezioni i brendshëm atje nuk është arritur, por mbahet dhunshëm përmes angazhimit të faktorit ndërkombëtar, në Kosovë serbët gjithnjë e më shumë anojnë kah ideja e ndarjes së Kosovës, ndërkaq në Maqedoni gjithnjë e më tepër shoqëria polarizohet në aspektin etnik.