Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Në prag të një përvjetori

| E hene, 15.02.2010, 10:28 PM |


Në prag të një përvjetori

Nga Blerim Rrecaj

17 shkurti njihet si data e Pavarësisë së Kosovës. Tashmë kjo datë ka humbur shkëlqimin e saj dhe dita ditës njerëzve nuk po u bë më aq përshtypje. Gjendja aq shumë është stërkequr sa që as që po na bije më ndërmend se çka paraqet kjo datë. Në prag të këtij përvjetori kemi pakënaqësi si asnjëherë më parë. Por edhe greva, protesta dhe paralajmërime për të tjera shprehje pakënaqësish. Në njëren anë varfëri e paimagjinueshme e në anën tjetër zbulim e shpalosje korruptive, hajnish, alleshverishesh të të gjitha llojeve. Një gjykim të paralajmëruar të udhëheqësit të “Vetvendosjes”. Zërit të vërtetë opozitar në Kosovë me emrin universal të “Vetëvendosjes”. Atij dhe atyre që nuk u pajtuan me paketë Ahtisari, me himn dhe flamur të imponuar. Dhe që bëri e bëjnë me gisht nga kolabracionistët e kolonistët modern. “Udhëheqësit tanë institucional” në prag të shpalljes së Pavarësisë edhe na patën paralajmëruar se s’do ta kemi edhe aq lehtë, duhet të përgatitemi për sfida, për t’i ndryshuar fjalët në prag fushatash zgjedhore me superpremtime pa kurrfarë mbulese. Dhe po shihet qartë se ata kanë qenë pjesë e strukturave korruptive, kriminale, mafioze qysh kaherë, edhe atëherë kur karremi i tyre me anë deklaratash mashtruese hahej më lehtë. Nga të gjitha këto të zeza ata janë ngarkuar aq rëndë saqë janë verbuar fare e kjo verbëri e tyre ka kaluar në një tirani të paparë e vazhdimin e së cilës ata shpresojnë ta vazhdojnë pas një gjykimi dhe një burgosjeje. Këtë janë duke e pritur edhe taborri i njejtë pra partitë “opozitare” që kritikojnë qeverinë vetëm çështje pushteti pa pushtet. Që do të thotë servilizëm ndaj misioneve kriminale protektorale. Derisa jam duke menduar për robërinë që na ka kapluar dëgjoj edhe këngën kushtuar Cerçiz Topullit “Te rrapi në Mashkullore” cila tingëllon më aktuale se kurrë. Më vijë në mendje edhe disa shkrime dëshmorësh të kombit qofshin shkrime publicistike, tregime a poezi nga të cilat ushqehemi shpirtërisht në këto ditë të rënda. Dhe ato janë shenja të një kohe nëpër të cilën ata kaluan. Dhe në to vërehen trazime, shqetësime, dëshira, shpresa por nuk mungon besimi në fitore që i shoqëroi. Ata nuk ndalen edhe atëherë kur ndodh t’iu humb ndonjëherë besimi. E pyesin zemrën. Dhe zemra e tyre hesht. Dhe luftëtarëve të dritës u kthehet besimi thotë shkrimtari brazilian Paolo Cuelho në librin “Manuali i luftëtarëve të dritës. Në një copëz tjetër shkrimi ai shkruan se luftëtarët e dritës nuk pajtohen kurrë me të papranushmen.Agim Ramadani në poezinë “A mjafton pritja” shprehet: A mjafton/ Të presim vetëm/E të shikojmë/Duke larguar perdën/Për të parë si na vjen liria.
Duke bashkëbiseduar me të dhe të tjerër shpirtërisht dëshmori Bahri Fazliu tha kështu në poezinë: Para dëshmorit: Nëse te dëshmori, shohim të kaluarën e tij,/ Ne se kemi parë dëshmorin po kornizën që e rrethon,/ Nëse te dëshmori s’kemi parë të ardhmen e tij,/ Ne s’kemi parë dëshmorin por një kufomë.
Agimi dhe Bahriu bëjnë pjesë në grupin e shpirtërave të lartë. Ashtu siç folën me pendë ashtu folën edhe me pushkë pa farë kontradite e me besa-besë. Fjalët dhe veprat iu përputhën sikurse dy dëshmorëve të fundit Mon Balajt e Arben Xheladinit. Porosia kryesore në Akademinë kushtuar 10 shkurtit ishte se s’duhet llogaritur asnjë çmim sa i përket lirisë dhe të drejtave që na takojnë. Në anën tjetër Kuvendi i deputetëve vazhdon seancat tragjikomike e në gazeta flitet edhe për luftim korrupcioni nga Eulexi e Qeveria, por edhe jepen njoftime për festën e “Pavarësisë” të organizuar nga Qeveria dhe Satchi and Satchi. Gjatë një bisede dëgjova se në fshatin ndërkombëtar diku në Veternik po përqëndrohet “elita” duke blerë shtëpi luksoze e përbërë nga politikanë, gazetarë, analistë, vipasha.... të cilët po presim me padurim se çdo të bëhet me gjykimin e paralajmëruar…