Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bardhyl Mahmuti: Marrëveshje të re për misionin e vjetër antishqiptar

| E diele, 14.02.2010, 08:56 PM |


OPINIONIT PUBLIK
PËRMES MJETEVE TË INFORMIMIT

MARRËVESHJE TË RE PËR MISIONIN E VJETËR ANTISHQIPTAR

Për ata që nuk kanë pasur rastin ta dëgjojnë më parë Kryetarin e PDSH-së se si flet kur nuk është pjesë e pushtetit të Maqedonisë, intervista e tij për “Kanal 5” mund t’i duket si shpalosje e një platforme të re në interes të shqiptarëve! 
Madje, kur Menduh Thaçi pranon gabimet e shumta që ka bërë si argat i qeverive të njëpasnjëshme që kanë aplikuar politikë antishqiptare, mund t’i duket se flet sinqerisht dhe nuk ka asnjë mision tjetër pos mbrojtjes së interesave kombëtare. Duke u përputhur me realitetin e rëndë të diskriminimit që përjetojnë shqiptarët nuk e përjashtoj faktin se mund të gjenden të tillë, si unë dikur, që mund të besojnë se ky njeri ka ndërruar nga personaliteti i vet!
Duke dëgjuar me vëmendje këtë intervistë më dilnin parasysh premtimet e shumta që u dhanë para dhe gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2006:
Në Konventën e PDSH-së në mënyrë solemne u shpalos Platforma e Re e partisë: Që kjo Platformë të jetë më bindëse Menduh Thaçi ju drejtua popullit dhe rivales së saj BDI-së:
Ne ju garantojmë se
- për 60 ditë do të zyrtarizohet gjuha shqipe në të gjitha nivelet e institucioneve shtetërore;
- për 60 ditë do të sillet ligji për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare në gjithë territorin e shtetit;
- për 60 ditë do të sillet ligji për dëshmorët e kombit dhe invalidët e luftës;
- për 60 ditë do të bëhet kompensimi i plotë i dëmeve që shkaktoi konflikti i vitit 2001;
- do të ndërpresim plaçkitjen e pasurisë sonë dhe do të imponojmë ndarjen proporcionale të buxhetit të shtetit;
- për 60 ditë do të imponojmë rishqyrtimin e të gjitha proceseve të montuara gjyqësore dhe do të lirohen shqiptarët e  pafajshëm;
- për një afat maksimal një vjeçar do të realizojmë tërësisht Marrëveshjen e Ohrit;
- ne ju garantojmë siguri dhe nuk do të lejojmë që në zonat shqiptare të ketë ekzekutime klasike mafioze......
- U bëj një Apel të përgjithshëm që të demonstrojmë pjekuri të lartë nacionale dhe civilizuese! Të gjithë ata që do të mundohet ti manipulojnë zgjedhjet këtu, duhet të kenë parasysh se do ti mallkojë historia dhe pasojat e zgjedhjeve të parregullta në Maqedoni do të jenë fatale për pavarësinë e Kosovës! 
- Unë, në emër të Kryesisë së partisë, të gjithë atyre që u kemi bërë dëm JU KËRKOJ FALJE PUBLIKE! Nëse dikush përpiqet të më arsyetoj se nuk e kam ditur se çka është bërë u them se funksioni im më detyron ta di! Në të ardhmen çdo gjë që mund të ndodh në dëm të shqiptarëve faturën do ta paguaj unë!
- Ju apeloj krerëve të BDI-së, të mos i frikësojnë njerëzit, të mos i frikësojnë funksionarët e tyre sepse nuk do të ketë hakmarrje dhe revanshizëm!
- Ne kemi punë që ditën e parë të qeverisjes, me partnerin maqedonas që ti zgjidhim hallet, problemet dhe çështjen shqiptare këtu! Nuk do të kemi kohë që të merremi me ta!. 
- Partnerët maqedonas duhet ta dinë se pa realizim të drejtave kolektive të shqiptarëve, NATO, Unioni Evropian, janë vetëm ëndrra të maqedonasve... 
- Ata duhet të vënë gishtin në mendje dhe të bëjnë marrëveshje me ne... Në të kundërtën përgjegjësia e luftës do të bie mbi ta! 
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH Gjykata Kushtetuese ndaloi përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare;
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH nuk u zyrtarizua gjuha shqipe;
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH nuk u soll ligji për dëshmorët e kombit dhe invalidëve të luftës;
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH nuk u bë asnjë investim në territoret me shumicë shqiptare;
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH nuk u realizua Marrëveshja e Ohrit;
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH u bënë përpjekjet më të mëdha për të penguar njohjen e Kosovës si shtet i pavarur! 
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH me mijëra shqiptarë u torturuan në forma të ndryshme;
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH, Karadaku, Pollogu dhe Malësia e Tetovës u përballën me format më të tmerrshme të terrorit shtetëror; 
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH, Terror në Tanushë, Terror dhe vrasje në Vaksincë, Terror dhe vrasje në Haraçinë, Terror dhe vrasje në Odri, Terror dhe vrasje në Tetovë, Masakër në Brodec....
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH në vend të rishqyrtimit të proceseve të montuara gjyqësore dhe lirimit të shqiptarëve që padrejtësisht mbahen në burgje, BURGOSJE TË REJA DHE MONTIME TË REJA TË PROCESEVE GJYQËSORE!
Në diktaturën dyvjeçare VMRO-PDSH nuk u bë kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga konflikti i vitit 2001 POR U SHTUAN DËMET E REJA NGA KONFLIKTET E NXITURA NGA KJO DIKTATURË; 
Nga të gjitha premtimet paraelektorale vetëm një premtim e mbajte: EKZEKUTIMET E SHQIPTARËVE NUK U BËNË NË FORMËN E EKZEKUTIMEVE KLASIKE MAFIOZE POR NË FORMËN E TERRORIT SHTETËROR!
Të implikuar në krimet antishqiptare dhe nga frika se mund të shpërthente një revoltë e përgjithshme Mendu Thaçi, Si pjesë e koalicionit antishqiptar, kërkonte shpëtim në anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO, ta forcojë ushtarakisht këtë shtet që të luftojë edhe më me forcë kundër shqiptarëve.
Në intervistën për “Kanal 5” Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, pranoi publikisht se as ai e as partia që ai udhëheq asnjëherë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim ekstrem kundër shtetit të Maqedonisë. 
Përkundrazi, populli shqiptar i ka përjetuar mbi kurrizin e vet se deklaratat luftënxitëse janë të drejtuara kundër tij.
Dallimi i vetëm  i fushatës së re të Kryetarit të PDSH-së nga fushata që e solli në instalimin e diktaturës VMRO-PDSH qëndron vetëm në një fjalë: në vend të fjalës “Platformë” të 2006 figuron fjala “Marrëveshje”
Me një fjalë, Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, kërkon  MARRËVESHJE TË RE PËR MISIONIN E VJETËR ANTISHQIPTAR.
I rikujtoj kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçit vetëm një angazhim që morri publikisht në vitin 2006: Në të ardhmen çdo gjë që mund të ndodh në dëm të shqiptarëve faturën do ta paguaj unë!
Gjatë mandatit tënd të dytë qeveritarë u bënë krime monstruoze kundër shqiptarëve! Është koha që të paguash faturën e hises që të takon në këto krime! Fatura më e lehtë për ty është që të LARGOHESH nga skena politike kombëtare!

Lufta për realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarë në Maqedoni është luftë politike që kërkon mbështetje të fuqishme nga forcat e mirëfillta demokratike në Maqedoni, Ballkan, Evropë dhe SHBA. Ajo nuk mund t’i besohet personave që mbajnë mbi supet e veta krimet antishqiptare!

Bardhyl Mahmuti
Kryetar i Bashkimit Demokratik Shqiptar
12 shkurt 2010