''Bota demokratike duhet të kujdeset më shumë për Kosovën, kosovarët e bashkuar të kujdesen për të mirën e kombit!''
Gjuha shqipe më intereson për shumë arsye, nuk mund të mohoj se ndiej krenari se e zotëroj
– në disa aspekte – më mirë se shumë nga shqiptarët vetë. Nga ana tjetër kur shqiptarët flasin shpejt midis tyre – sidomos në dialektet e Kosovës – duhet të pranoj se shpeshherë ”mbetem me gisht në gojë”!
Shqipërinë e vizitova për herë të parë në vitin 1970, pastaj në 1978, 1979, 2004 dhe 2005. Në Kosovë përveç seminarit të vitit 1977 mora pjesë edhe në seminarin e vitit 2004.
Bukuria e natyrës, mikpritja e njerëzve, këto janë përshtypjet më të forta nga atje.
Me shqiptarët, përveç simpatisë sime për këtë popull zemërgjerë, më lidh fakti se e kam gruan shqiptare dhe të afërmit shqiptarë të cilët kanë rëndësi të madhe dhe pozitive për mua.
Nga Sokol DEMAKU
Kisha me ju lute per nje prezentim të shkurtër.
U linda në Kristinehamn, në rrethin e Vermlandës, në vitin 1934. Gjimnazin e kreva në 1953 dhe shkollën pedagogjike në vitin 1957.
Bëra 40 vite në profesionin e arsimtarit në shkolla të ndryshme këtu në Suedi. Që nga viti 1999 jam në pension por profesioni im i dytë si përkthyes vazhdon.
Si lindi miqësia Ullmar Qvick – Shqpëri – Kosovë?
Pikënisja ishte dëgjimi i muzikës popullore shqiptare në rini. Që nga mosha 11-vjecare jam i pasionuar pas radios ndërkombëtare – dhe kështu e gjeta Shqipërinë. Miqësia me Kosovën u zhvillua shumë më vonë, me pjesëmarrjen time në seminarin e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës në vitin 1977.
Keni qene ne vizite në Shqipëri – Kosovë, cilat janë pershtypjet e juaja nga atje?
Shqipërinë e vizitova për herë të parë në vitin 1970, pastaj në 1978, 1979, 2004 dhe 2005. Në Kosovë përveç seminarit të vitit 1977 mora pjesë edhe në seminarin e vitit 2004. Më shumë po ”udhëtoj” me libra, me radio, me muzikë…. Vizitat fizike nuk janë aq të nevojshme se sa ato shpirtërore.
Përshtypjet? Bukuria e natyrës, mikpritja e njerëzve, këto janë përshtypjet më të forta.
Përvecse nje shkrimtar me renome, jeni edhe poet dhe perkthyes i njohur nga gjuha suedeze ne shqipe ashtu edhe nga shqip ne suedisht. Do te ishte me interes te mesonim nga ju se si e perkufizoni rolin e shkrimtarit dhe perkthyesit ne jetën bashkëkohore?
Nuk jam i lirë të veproj siç më don zemra. Kam detyrime ekonomike të cilat drejtojnë veprimtarinë time. Para dy vitesh gruaja ime hapi një dyqan të vogël, dhe para se të japë leverdi veprimtaria e saj, do të jem i detyruar të zgjedh punë që jep pará, thjesht për ekzistencën tonë! Fatkeqsisht në këtë botë puna kulturore paguhet keq. Për hir të ekonomisë familjare, pra, duhet të merrem me përkthime me karakter praktik (dëftesa, vërtetime, ankesa, artikuj, dokumente të ndryshme). Dua të theksoj se kam disa dorëshkrime suedisht, pa lidhje me shqiptarët, të cilët nuk më ka lejuar koha të përfundoj… Edhe më keq: projekti i Fjalorit shqip-suedisht, me të cilin po punoj bashkë me mikun tim Lars-Erik Morin, mbeti i papërfunduar deri sot, sepse ne të dy jemi aq të zënë me përkthime praktike për hir të shqiptarëve në Suedi përmes firmave të përkthimit.
Krijimtaria juaj i perket nje periudhe të gjatë kohore. Cila eshte tema dhe motivi ne veprat e juaja?
Kam prodhuar disa vëllime me përkthime të poezisë shqipe, një dramë në përkthim, mjaft tregime, një libër dokumentar për shqiptarët, dhe si bashkëpunetor, një numër veprash gjuhësore (fjalorë) etj.
Ju keni botuar ne shqip por edhe ne suedisht, merreni me publicistikë, pune ne radio cfarë mund ten a thoni per gjithë keto?
Sidomos në të kaluaren mora pjesë në polemika të ndryshme rreth problemeve shqiptare. Ballafaqime të rrepta u zhvilluan me disa serbë në Suedi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë. Më përpara shkrova shumë artikuj për “Albanien och vi”, organ i Shoqatës Suedezo-Shqiptare. Në fund të viteve ’90 isha prodhues i një emisioni javor në gjuhën shqipe, Radio Arbëria, këtu në Norrköping. Nga 3 vitet kur punoi kjo radio kam kujtime të bukura, bashkëpunimi me një ekip rinor shqiptar ishte i shkëlqyeshëm!
|
Ullmar me Tergiten me 28 nentor 2009 |
Cka ka botuar deri me tani Ullmar Qvick dhe cka pret lexuesi nga ju tani?
Përgjithësisht kam treguar për botimet e mia në përgjigjet e mëparshme. Vepra ime kryesore është ”Mera hjältemod än vete”, dokumentar i përkthyer edhe shqip nga Hajdin Abazi. Në këtë dokumentar përshkruhet jeta e shqiptarëve në shekullin njëzet, me shumë heroizma por edhe barbarizmat dhe akte terroriste nga ana e komunistëve shqiptarë, një periudhë më e errët se sundimi 450-vjecar osman për arsye se shqiptari i mjerë u fut në shtratin e Prokustit nga Enver Hoxha me shokë. Armiku i cili mund të luftohet me armë në dorë mund të tolerohet më shumë se armiku i brendshëm që ju kapë për fyti dhe përpiqet të deformojë trurin tënd!
Disa më kanë bërë sugjerime për vepra të reja letrare dhe sidomos autorët shqiptarë kërkojnë përkthime suedisht të librave të tyre. Momentalisht nuk jam në gjendje tu plotësoj dëshirat, kuptohet nga komentet e mia të mëparshme, as nuk dua të punoj me porosi, dua të jem i lirë të zgjedh çka më intereson më shumë. Projekti i vonuar të Fjalorit shqip-suedisht është nr 1 në listë!
Kur kemi te bejme me perkthimin e autoreve shqiptar ne suedisht, ideja e nje perkthimi vjen nga emri i autorit apo ajo qe le gjurme tek ju dhe qe ju shtynë te merreni me te?
Pikë së pari interesimi im është faktori vendimtar. Nuk kam dëshirë të punoj me tekste të dobëta të cilët janë me interes vetëm për autorin! Dhe lexuesit suedez duhet të marrin diçka me vlerë, tregu letrar është i mbushur me vepra të të gjitha anëve të botës, dhe pse të parapëlqejë lexuesi i rendomtë një libër shqiptar? Një shkrimtar i nivelit të Kadaresë apo një temë me interes të veçantë do të jetë faktor vendimtar për botimin.
Cilët janë poetet, shkrimtarët shqiptarë të perkthyer ne suedisht nga ju, mendimi i juaj per letrat shqip, poezinë shqip por edhe prozën në shqip?
Kam botuar mjaft poezi, shumica prej tyre të përfshira në antologji të ndryshme. Vëllime me poezi kam përkthyer pak, më kujtohen tani Shefki Oseku: Një lloj drite tjetër (Ett annat slags ljus), Ibrahim Abedini: Brenga e liqenit (Sjöns smärta). Më tej, dramën e Anton Pashkut Gof (Glöd).
Nga poetët më pëlqen më shumë Fatos Arapi, për mua ai është më i madhi!
Dua të përmend edhe një ditar me përmbajtje prekëse, realiste, Ditari i zemrës sime nga e reja kosovare Ardita Beqiri. Ky është vepër dokumentare në shqip dhe suedisht. Më mërzit shumë fakti se kjo vepër modeste nga lufta në Kosovë nuk krijoi kurrfarë reagimi pozitiv, as në anën suedeze, as në atë shqiptare. Ardita nuk ishte një Ana Franku, megjithëkëtë mosinteresimi më indinjon shumë!
Cka ju lidhe ju me shqipen dhe me shqipetaret
Gjuha shqipe më intereson për shumë arsye, nuk mund të mohoj se ndiej krenari se e zotëroj
– në disa aspekte – më mirë se shumë nga shqiptarët vetë. Nga ana tjetër kur shqiptarët flasin shpejt midis tyre – sidomos në dialektet e Kosovës – duhet të pranoj se shpeshherë ”mbetem me gisht në gojë”! Me shqiptarët, përveç simpatisë sime për këtë popull zemërgjerë, më lidh fakti se e kam gruan shqiptare dhe të afërmit shqiptarë të cilët kanë rëndësi të madhe dhe pozitive për mua.
Si e kalon Ullmar Qvick një ditë pune?
Jetoj një jetë përgjithësisht të qetë. Zgjohem rreth orës 6.30, bëj mëngjesin, rreth orës 8 filloj të lexoj e-mail të ardhur gjatë natës. Pastaj me disa ndërprerje punoj me përkthime deri në orën 13.00, ose, kur koha është e përshtatshme, bëj shëtitje në pyll për një orë para dreke. Drekën e kam mjaft vonë rreth orës 13.30-14.30, sepse normalisht buka e mëngjesit është e bollshme dhe më lejon të pres! Pas dreke vazhdoj me pak punë, por me ndërprerje për të dëgjuar disa stacione të radios. Pas punës, edhe në mbramje kam disa mesazhe për të shkruar në lidhje me këtë hobi. Po mbaj kontakt me radioamatorët e botës dhe gati çdo ditë po vijnë letra dhe kartolina prej tyre. Argëtim i thjeshë por një ”kundërpeshë” e mirë, sepse kush merret vetëm me punët shqiptare do të ndiej monotoni dhe interesimi do të zhduket! Po merrem edhe me lexim të librave shqip, suedisht dhe anglisht (bile lexova vitin e kaluar një libër të trashë spanjollisht!). Më zë gjumi rreth orës 23 ose pak më vonë.
Një shkrimtrar, një publicist kërkon te jetë pothuajse për gjithçka i informuar. Kjo ka të bëjë kryesisht me natyrën e personit. Thjesht doja një përgjigje te shkurtër. Si është Ullmar nga natyra?
Jam i interesuar për shumë gjëra, por jam më shumë me emocione se me sy realist dhe kritik. Në një aspekt jam i dishiplinuar, por përgjegjësia e madhe më frikëson. Dua të përballoj kërkesat, por në rast se nuk mund të kontrolloj rrethanat, kur kërkohet të bëj të pamunduren, po nervozohem shumë. Kam të bijen 13-vjeçare, shumë e ëmbël, por ajo si të rinjtë dhe të rejat në përgjithësi, shkakton shpesh kriza nervore te prindërit… Edukimi i rinisë sot është më shumë si të kalosh ujëvarën e Niagarës mbi konop! Shpeto kush mundet!
(Nga përshkrimi i natyrës sime shpresoj se humori im është në dukje…)
Ju jeni një publicist, perkthyes shumë i talentuar, cfarë është aktiviteti juaj në media. Si e ndieni veten si shkrimtar, publicit, përkthyes dhe mik i shqiptareve?
Bëra 3 vite si prodhues i një programi të radios në gjuhën shqipe. Sot merrem shumë pak me mediat. Krijova një faqe web për Komitetin suedezo-shqiptar, pjesëmarrja është e dobët. Në të kaluaren kam shkruar më shumë, mora pjesë në programe të radios suedeze, edhe më kanë intervistuar në televizion dhe radio në Kosovë, Shqipëri, SHBA, Suedi, Norvegji, Zvicër dhe Australi. Më përpara më lejoi koha dhe më detyroi situata të merrem më shumë me mediat se sa sot.
|
Në kuzhinën e e tij Ullmar me te shoqën |
Cili është medimi i juaj për shqiptaret ne Suedi?
Shqiptarët në Suedi, duke i krahasuar me ata të Anglisë, më shumë vijnë nga klasa punëtore, ka mjaft njerëz të pashkolluar. Numri i intelektualëve është më i vogël. Shumica e shqiptarëve po merren me punë të dobishme në shoqërinë suedeze, sidomos në komunikacionet publike, shumë prej grave punojnë në institucione të shëndetsisë dhe të pleqërisë dhe normalisht janë të njohura për punë shumë të rregullt. Pastaj grupi që merret me kriminalitet si duket janë prej një karakteri jashtzakonisht të vështirë, dhe ata fatkeqsisht janë në dukje shumë dhe krijojnë një përshtypje negative te suedezët. Nga ana tjetër suedezët që kanë vizituar botën shqiptare janë shumë të kënaqur me bujarinë dhe mikpritjen e treguar.
Do të dëshiroja një bashkëpunim më të madh ndër shqiptarët në Suedi. Kjo punë nuk kryhet me lehtësi. Merrni me mend, ata që jetojnë në një qytet vijnë nga të gjitha anët e botës shqiptare. Normalisht kanë të afërmit e tyre, por çka i bashkon me shqiptarët e tjerë në atë vend? Shumë pak. Ka raste mosbesimi bile hasmerie. Të ndershmit nuk duan të merren me ata që shikojnë si të dyshimtë, aventuristë. Nga ana tjetër, interneti ju jep mundësi të veçanta të kontaktoheni me bashkëatdhetarë me interesa të njëjta!
Nëse do te kishe mundësinë te jepje ndihmësen tende në realitetin që jetojmë ne shqiptaret, ku mendon konkretisht që duhet ndryshuar diçka nem ketu dhe ne vendin tonë?
Kryesorja është ekonomia. Dhe përparime në lëminë e ekonomisë kërkojnë bashkim dhe një drejtim të mirë. Shqipëria si duket është përparuar mjaft në dekadën e fundit, ndërsa Kosova për shumë arsye nuk zhvillohet si duhet. Faktorët pengese janë traditat negative në jetën shoqërore, pengesat që krijojnë ndërkombëtarët dhe serbët, udhëheqja e dobët me korrupcion dhe paaftësi etj.
Kush ka mundësi të bëjë investime nga jashtë në Kosovë sot?
Si e sheh Ullmar Qvick sot Kosovën dy vite pas pavarësisë?
Faktorët negativë janë në dukje. Dhe kjo rini e mrekullueshme meriton të ardhmen më të mirë, brenda Evropës. Ky është problem edhe i Evropës. Nëse investojnë arabët në Kosovë, nëse vijnë ”misionarët” fundamentalistë për të tërhequr rininë kosovare, ç’farë rezultat do të shohim? Tmerr, konflikte, bile luftë civile!! Bota demokratike duhet të kujdeset më shumë për Kosovën, kosovarët e bashkuar të kujdesen për të mirën e kombit!
Cili ka qene dhe eshte profesioni me i preferuar i Ullmar Qvick?
Profesioni i përkthyesit, nga ana tjetër vitet në shkollë më kanë dhënë shumë kujtime të bukura – dhe disa të hidhura…
Përveç artit te të shkruarit dhe publicistikes, si e kalon kohen e lirë?
Me radio, me libra, me familjen, me shëtitje.
Cka ju benë të lumtur dhe cka ju mundon më së shumti në jetë?
Lumturia ime ka të bëjë më shumë me punën e kryer. Nuk më pëlqen të kaloj ditën kot. Natyrisht fjalë dhe vepra të mira nga ana e të dashurve të mi luajnë rol shumë të madh për shpirtin tim. Më mundon më shumë situata në botë, me problemet ndërkombëtare, edhe më mundon kur të afërmit e mi kanë probleme shëndetsore.
Dhe së fundi cila është porosia e juaj për Shqiptarët ?
Për Kosovën dhe Shqipërinë: Të punoni në bazë, në organizata jo-qeveritare, me edukimin e demokracisë, me projekte të dobishme, pastaj me njohuritë e fituara të ndërroni përbërjen e klasës në udhëheqje, përmes votimeve dhe me pjesëmarrjen tuaj në jetën politike për të drejtuar politikën shqiptare kah sistemi demokratik pa korrupcion, pa abuzime, me frymë të shëndoshe e humane. Vetëm kaq.
Tack så mycket
Sokol