Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabit Rrustemi: Pritjen time nuk e blenë askush (Cikël poetik)

| E diele, 14.02.2010, 08:16 PM |


Sabit Rrustemi 

PRITJEN TIME NUK E BLENË ASKUSH 

NDJENJA 

Pres të më lajmërohet 
A këtu 
Brenda e kam 

Nuk po e shoh 
Vetëm po e ndiej 
Tek pulson me ritmet e zemrës 

O Zot 
Seç më drithëron 

Ma vë para syve 
Ta shoh 
Ta prekë 

Mes buzësh të saja 
Dua të pushoj 
Gjatë gjatë e pambarim 


PRITJA 

Nuk ka orë që e mat prtijen 
Përveç zemrës 

Ajo shënon vonesën 
Dhe atë trokitje 
Aq të pritur 


SYTË 

Nuk na i falën 
Sall për të ëndërruar 

Ata digjen në pritje 
Për ta parë atë 
Që një jetë e ëndërruan 


ËNDËRR 

As është këtu 
As atje 
Është zhytur thellë në pritje 

Ajo dorë që shkundë 
Këtë ëndërr 
Është tek Ty 


ECJA 

Një jetë ecë 
Kah vetja 
Ende në fillim 

Sa jetë më mjaftojnë 
Për ta arritur njëherë 
Atë që kam thellë 
Në timin shpirt 


CAKU 

Në cilën do pjesë të universit 
Caku im je ti 

Po e mbledh kohën e ikur 
Përmes së tashmes 
Që s’mjafton 

Në kohën që vjen 
Jam atty 
Ku s’u takuam kurrë 

(Gjilan, 23 Kallnor 2010)


DO TROKAS E DO TROKAS 

përtej asaj që dua 
nuk kam ku shkoj 
prapë je Ti... 

mund të dyshosh 
sprovave të vjetra 
të më kthesh 
e portën të ma mbyllësh 
dritaren 

atë zë që më kthjellë 
të mos ma falësh 
mundesh 

po unë sërish 
tek ty do trokas 
e do trokas 

tokë moj 
imja dashuri 

nuk kam si të të harroj 

do shtrihem në ty 
atë ëmbëlsi të mallshme ta shijoj 

brenda asaj që dua 
jam 
zemrës sime i besoj 

(25 kallnor 2010)


PËR DASHURI 

Ti shtegtar jete nëpër kohë 
nga ç'anë të nisesh në ç'krah 
këmbë apo kaluar 
për tokë apo kaltërsisë së pafund 
tek bart atë ndjenjë 
që kurrë s'e ke tradhtuar 
për asnjë çast mos harro 
vetëm dashurinë voto 

Po u godite me hirë a pa hirë 
si zog në fluturim e këndim 
nga dorë e ligë rrugaçësh 
a plumba gjahtarësh 
tek ajo kuti zemre kur t’afrohesh 
nuk ke pse kujtohesh 
ballëhapur e pa dro 
për dashuri voto 

Po të zuri dhe fati 
i një gjethi me vjeshtë 
në kopsht park a kudo 
dhe fshisë pastruesish 
a gjuhë erërash 
të fshijnë e hedhin ngado 
ti mos hezito 
për dashuri voto

(14 nëntor 2009)


PRITJA MË TEPRON

e shtunë është
ditë tregu në Gjilan

unë
midis qendrës 
nga dritarja vështroj
atë rrugë të djeshme 
plot mall
nënën time që ish në hall 

ç'kmishë t'i jepte babës 
kur të vetmen që kish 
nata e kish bërë qull 

dhe ajo erë
e shkreta erë 
papandehur
shi kish sjellë

im At doli pa k'mishë
mbështjellur me gunë e një shall 
doli se fjalë kish lënë
borxh kish për të larë

a unë
ç'të lajë sot
ç'të nxjerr në treg 
përpos PRITJES 

e jap gratis 
e nuk e blenë askush

secili ka pritjen e vet
po mua më tepron

(Gjilan, 30 Kallnor 2010)


TË ZGJOHEM … 

Eja lehtas 
pahetueshëm 
tek shtrati ku flej 
symbyllas ku të ëndërroj 

largoje atë mbulesë nate 
e ngrohmë 
me frymën tënde 

si puhizë e valtë mëngjesi 
që shushuritë 
nëpër gjethe bliri 
dhe përkëdhelë 
atë lëkurë të butë dafine 
përmes flokësh tua 
trupin tim mikloje 
me të puthura mbuloje 

unë do duroj e do duroj 
përderisa ëndrrën ta dëboj 

kur të bindem se je ti 
do përpushem 
e do zgjohem 
syve tu 
moj peh’rri 

ti mos u tremb nga zgjimi im 

puthmë parreshtur e pafund 
deri sa ta shkundim 
tërë atë përmallim 
mbledhur e strukur 
gjirit tend 
krahërorit tim 

(8 - 10 shkurt 2010)


ËMBËL E SHIJOJ

jam aty 
ku më ke kërkuar
dëshiruar 

mbylli sytë
hapi krahët
e më merr në gji

më shtrëngo me afsh
deri në pakufi

aty jam
përngjitur trupit tënd
nga poshtë lartë

shtrihem nëpër ato degë,
për t’i puthë 
ato sy-tha lulesh

atë floknajë bleroshe
për ta shkrehur

rri shlirë
mos u tremb
më shumë se veten
nuk të shkund 

si sytë e ballit
të ruaj

pemë e ëmbël e jetës
imja dashuri

nëpër secilën ditë
stinë
tek rrënjët tua
shprush ëndrrën time

atë fryt të saj
ëmbël e shijoj

(9 shkurt 2010)