Bisedë ne prag te ditës së Shën Valentinit
Dita përpëlitej
Nën harkun e mendimeve të lodhura.
Qielli mbytur kollitej,
Rëndohej me re,
Grindej era si shtrigë plakë,
Ajo ishte xheloze,
Me bërryla shtynte qoshet e mureve,
Çirrte me thonj xhamat e dritareve.
Unë të putha fort në buzë.
Ti buzëqeshe
Dhe u rrotullove në brinjë,
Shfaqe dëshirën të ishe flutur e blertë,
Të thithje krejt ajrin e pyjeve
Të qëndroje përkah erërave,
Të ngopeshe me kaltërsinë e deteve,
Të preheshe faqeve të shkëmbenjve.
Përjashta dita po vdiste.
Era u lodh, u shtri përdhe,
La dëborën të binte.
Mbrëmja me nofulla thërmonte,
Imazhin e rremë.
Unë të thashë:
E dashur,
Bëhu flutur e luleve, e petaleve,
Ti më puthe lehtë në buzë,
Mblodhe supet dhe pulite sytë gështenjë...
Kristaq Turtulli
Toronto 2010