Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristaq Turtulli: Bisedë ne prag te ditës së Shën Valentinit

| E shtune, 13.02.2010, 07:43 PM |


Bisedë ne prag te ditës së Shën Valentinit

Dita përpëlitej
Nën harkun e mendimeve të lodhura.
Qielli mbytur kollitej, 
Rëndohej me re,
Grindej era si shtrigë plakë,

Ajo ishte xheloze,

Me bërryla shtynte qoshet e mureve,
Çirrte me thonj  xhamat e dritareve.

Unë të putha fort në buzë.

Ti buzëqeshe

Dhe u rrotullove në brinjë,
Shfaqe dëshirën të ishe flutur e blertë,
Të thithje krejt ajrin e pyjeve
Të qëndroje përkah erërave,
Të ngopeshe me kaltërsinë e deteve,
Të preheshe faqeve të shkëmbenjve.

Përjashta dita po vdiste. 

Era u lodh, u shtri përdhe,

La dëborën të binte.

Mbrëmja me nofulla thërmonte,
Imazhin e rremë.
Unë të thashë:

E dashur,

 Bëhu flutur e luleve, e petaleve, 
 Ti më puthe lehtë në buzë,
 Mblodhe supet dhe pulite sytë gështenjë...

Kristaq Turtulli
Toronto 2010