Naser Aliu
E dashura ime
Bashkëshortes G.C.A.
Shikim mbi shikim,
palosa
Shtresë – shtresë
Dëshira të flakta mbi qëllime të zjarrta
rendita
Palë-palë
Premtim mbi pretim
shtresova
një mbi një
Drithërimë mbi drithërimë
shpresë mbi shpresë
çiltëri mbi çiltëri
murova
Fjalë mbi fjalë
dhe
ndjenjë mbi ndjenjë
ndërmjet radhëve
plot ngrohtësi!
Atë ditë shtatori të vranët
Të mora për dore
ëmbëlsisht
e hyre në kasollen time
krenare
me kurorë dafinash
dhe shih, palëtuam tok në perandorinë sublime:
përkëdhelje mbi përkëdhelje
shtresuam
Puthje mbi puthje
vendosëm
Ëndërr mbi ëndërr
e afsh mbi afsh
valë-valë
emocionet
Vetëm me dy lëndë ndërtimi e dashur:
Respekt dhe pasion
me pasion dhe respekt
ngritëm Kështjellën e Dashurisë
Pëllumbesha ime!