 |
Kujtim nga martesa |
LULET E DASHURISË
(Kur na flasin lulet)
Jorgo S. TELO
Na dëgjoni pakëz, o njerëz!
Mos na shihni me tjetër sy…!
Mos na përçmoni emrin hera - herës..
Mos na shpërfillni ngjyra e freski.
E kush s’i zë miq karafilat
Në lindje, miqësi e martesa?
Ne jemi miq me trëndafilat
I gjallërojmë tejet gjallesat…
Na përçmon , kush s’njeh kryendjenjën
Nuk na njeh, kush s’ndien kurrëgjë.
Na keqpërdor , kush nuk ka zemër.
Kur në shpirt s’i kumbon asnjë zë…
Ne veten e njohim për lule
Me vlera bukurie dhe aromë.
Vetë ju na rritni me pekule.
Rrallëkush neve na përçmon.
Na mbillni ju nëpër oborre
Na mbillni JU dhe në saksi.
Me trëndafilët dorë për dore
përhapim gjithkund hijeshi.
Hijeshi ngjyrash dhe aromash
Në shkallë banesash e ngado.
Buzëqeshim ne në dritare dhomash.
E në duart tuaja – domosdo.
Në botën e luleve shumëngjyrëshe
Formësojmë ylberësitë e gjalla.
S’ka pse të përdoremi ndryshe…
Teksa ju dhurojmë aromat e rralla.
Siç duket Valentini nga Kupidi
Për Kish marrë njerëzoren porosi:
Të shtohej trëndafili e karafili
Ushqim për të ëmblën dashuri.
Siç duket kopshtet manastiri
I kish plot trëndafila e karafila.
Këmbënguli me hak San Valentini
Dashuris’ t’i këndonin bilbilat…