BAJAME HOXHA - ÇELIKU
TI JE ATJE
Ti je atje...
Me zemrën tënde prej guri
Mundohesh të shërosh plagët e vjetra
Dhe s'ke shpëtim,ajo është hapur sërish
Ritme të gjalla jete, detaje befasuese,
Mallkimi i dashurisë,kështu po të flas
Atë që zemra jote shkaktoi fatkeqësi
Duke harruar ndoshta një fjalë
Gjithçka u lind në drithërimën e kohës
Gjiçka që të dhemb dhe që s'ka harrim
Jo,mos u mundo të shërosh plagët
Ato kanë rrënjë të thella
Të është thërrmuar zemra prej guri
Gjithçka që humbe do ta mbështjellësh sërisht
Dhe e di se s'ka harrim.
Le të gjejë shpirti yt i praruar
Një fjalë të bukur të kohëve të shkuara
Një shpresë, një ndezje sado e vogël si yll
Le të jetë...
JO AQ LARG
Ke mbetur shumë larg nga unë
Në mes asaj kohe makabre
Eja, nxito në natën e kthjellët të pranverës
Le të vazhdojë të rrëshqasë dashuria
Përmbi rënkimin e zemrave
Po, le të rrëshqasë
si një ujvarë e shkumëzuar
Përmbi trupat tanë të përtrirë.
Me ngjyra zjarri duket horizonti
diku atje larg...
Dashuria ime e parë.
DIMER
Njoh buzëqeshjen e ngrirë mbi buzët e tua
Si bryma që rrëshqet mbi lule dhe i thanë.
Po si nuk e ndjeja akullin në shpirt?
si nuk e ndjeja dëborën që na ndan?
KUJDES
Ti më the se jam si mollë
se po çmendesh,
se më do
Mbamë në duar,
ledhatomë
Po kujdes,
mos më kafsho.
ÇAST
Shpuzë unë e shpuzë ti,
Trupi, shpirti na u ndez,
Zemra ime përmbi ty
Deshi që të vdes.