Luan Çipi
PARA NJË FOTOJE DALË BOJE
Fiksuar në foton, dalë boje, bardhë e zi
Përlotur, gëzueshëm lundroj në përjetime,
Sodis me nostalgji të tre fëmijët e mi.
Zgjohen përtëritur të ëmblat kujtime.
Ishte i bukuri maj, si kudo në botë
Me fëmijët shëtisnim në çdo një maj
Buzë detit të Vlorës, në “Ujin e Ftohtë”.
Foton, si emblemë, pranë vetes e mbaj.
Kjo relikë e dashur, në xhep të kuletit,
Ka peshë simbolike, më shumë nga paratë.
Veç fotot na ngelën - fëmijtë janë kurbetit
Të dyve na lanë, me lotin të thatë.
I pari, im bir, Kamani mërgoi
Në Çikagon e madhe, veriu USA
Lindita në grup, atë e pasoi
Shkoi edhe më tutje- larg në Kanada.
Po, kur iku Arta, vajza kanakare,
Qe kulmi i hidhrimit, majë dëshpërimi
Se ish bashkë me Anxhelën, voglushen manare,
Që na mbyllte plagët, si hilaç shpëtimi.
A, moj foto e vjetër, ç’hape plagë kurbete
Pa do të bëj dhe unë si të tjerë shokë:
Do ti hyp avionit, te fëmijët të vete.
Vërtetë që do shkoja, po ti kisha tok.