Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Tahir Bezhani

| E premte, 05.02.2010, 10:48 PM |


Tahir Bezhani


MIKLIM  MALLI

Në kafene “Shkelzeni”
Katër poet kafe pimë
Llafojmë tema të kohës
Shikimet përplasen shpatijeve
Luli,Gjoni e Asllani
Ndrydhin kujtimet në parzëm
Loti tradhton mallin që djegë...
Aromë e pishave freskon
Në qytetin Bajram Curr-
Në Bunjaj e Tropojë,
Valbona këndshëm gurgullon
Nga Shalë e Rragamit,
Te Maja e Hekurave buron
Puhia e Alpeve përplaset në kujtime
Freski në zemra poetësh krijon
Kujtimet lëvrojnë kohët e djegura në kohë
“ Mbi gjashtëdhjetë vite rrugëtim,
Për tridhjetë minuta udhëtim....”
Thotë poeti Hamit Aliu
Tingull i ëmbël në kohë solemne

Gjakovë
06.janar,2010


EKSPOZITË TMERRI

Ecin nënat ngadalë
Nënat ecin
Me sy të shqyer mureve
Rroba duke shikuar

Me zemër të djegur
E shpirt të përvëluar

Ecin nënat ecin
Vëllezërit,motrat ecin
Ekspozitë tmerri
Shikimi digjet në rroba
Të shpuara nga plumbat
Të prera me thikë xhelati
Ekspozitë mortore
Gjenocid i argumentuar
Para syve të botës

Nënat shikojnë rrobat e shpuara
E plagët përtërihen
Lotët rrjedhin mollëzave të thara
Heshtja lëvron thellësinë e shpirtit
Ekspozitë çmendurie
Nënat të lëna shkret ecin

Ekspozitë për histori
E shekujt
Sa herë ndrydhen
Në damarë kullon gjak
Kujtesë e paharruar

E dielli prapë nxenë
Ekspozitë tmerri
Shikohet në Rahovec

13,dhjetor,2002
Nga përmbledhja”Pëlcitje e vonuar”2004


SI T’IA BËJË

Nuk dijë si t’ia bëjë
Që të pëlcas kënga
Jashtë vetës sime
Dikund në hapësirë
Le të ikë vuajtja nga brendia
Nga retë e lotëve të jem i lirë....

Si  të fitoj betejën me zjarrin
Me vajin ditën,
Me vajtimin natën
Lëmsh i skuqur brenda....

22.janar,2010
G j a ko v ë


PRINDËRIT E VETMUAR

Kurbeti përpiu në vorbullën e vet
Rininë tonë për një kore buke
Tretur sokaqeve të botës
Me mall në zemër për vatrat
Prindër të vetmuar
Rrugëve të shkretëruara
Me sy të përlotur nga malli
Dridhen si fletët e zverdhura në vjeshtë
Kot shqyejnë sytë rrugëve
Për të shuar mallin me të tjerët

Kur nata shtrin krahët në natyrë
Në dhoma të vetmuara vetëm mjaullimë
Macash të zeza që të fusin tmerrin
Sytë në halucinacione
Shohin figura fëmijësh,
E kur ikën terri e dita vije
Etje e zjarrtë nga malli
Vetëm në përqafime mundet të shuhen

Oh!.. si qenka shkruar jeta!..
Ndarje për së gjalli
Saç i skuqur,shkrumb,
O mall,puhizë përvëluese.


VETIMA MË VRET NË PABESI

Terri më kafshon thellë
Në dritën e hënës
Brenda diçka ulërinë
Shpirti proteston në heshtje
Vetmia më vret në pabesi....

27.10.2009
Gjakovë