Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arlind Farizi: Vdekja më vjen prej syve të tillë

| E enjte, 04.02.2010, 09:23 PM |


REAGIM
(ndaj librit FILOZOFIA E KROKAMËS të autori Sylejman Aliu, botuar nga Grand Prind, Prishtinë, 2009)

VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË

Nga Arlind FARIZI

FILOZOFIA E KROKAMËS, qe titulli i librit që e shqetësoi lexuesin e thjeshtë, lexuesin e panjohur, të fshehur në anonimitet. E hallakat tmerrësisht atë saqë merr guxim dhe t’i kundërpërgjigjet këtij antilibri dhe të bind autorin se “fjalët janë të pafalshme, se ato vrasin”... 
Lexoj dhe çuditem! Akrobacione artistike, thellësi e gjatësi mendimi, imponime të dhunshme të shijes estetike… Çfarë elegance antireklamuese, papa! Sihariq i shekullit! Autori flet me vigjilencë Danjolli për akademik Rexhep Qosen. Ai nuk del vetë para pasqyrës por vendos këshilla tjerëve. Autori ka sy të kokalltë dhe vështrim prej psikopati. Autori ka vello të dukshme cinizmi. Autori s’ka haberin më të vogël se çka mund të shkaktojë ky botim i këtij antilibri. Autori qenka gazetar sklerotik që përvoja e mësoi se të kritikosh të mëdhenjtë mund të bëhesh i njohur. Autori flet me një “gjuhë qeni” për akademikun e pakontestuar prej askujt për vlerat që ai posedon. Ai ka një detyrë në këtë antilibër: “sikterisjen e një shpirti akademiku”... 
Ky kasnec mendon se libri është Hyde Park, se letërsia është truall banaliteti, ku mund vjellësh lukthin e tij plot vrer kundër akademik Rexhep Qoses dhe nuk jep asnjë fakt, pos ca krahasimesh që s’krahasohen... Ky levantin i Konicës mendon se grigja jonë letrare e ha esull këtë marifet estetik?! Po teoria e përgjigjes së lexuesit? Lexuesit virtual? A e ka frikë lexuesin ky Danjoll i Sherkës? Po përgjegjësia ndaj fjalës? Ai shkruan me idenë e reagimit. Shkruan që ta duan “antiqoset” dhe urrejnë “antikadereanët”. Ky është mesatari, ky është i arti, ky është mesi mes dy testive që djersitet kur ka siklet... Libri i tij është sall një potere e ngjashme me atë të thesit të arrave në rrokullisje. Autori është një Adhamut erudit që ringjall edhe një herë mesjetën e inkuizicionit, na bind se prirja për të keqen është me e madhe se prirja ndaj së mirës, dëshmon në praktikë anën e vërtetë të ferrit dantesk... Ky autor, në librin e tij konverton në tradhtar gjithçka që është majë letrare, gjithçka që është vlerë, gjithçka që prish mesataren e tij dhe rendit të “sadikave, gjithçka që s’është në frekuencë mendimi me grupin e tij me valencë të njëjtë shpirtërore... Ai nuk la plesht pa i vënë zile. Ai drogon për gjunaf lexuesin e painformuar me të pavërtetat e tij se kush Rexhep Qosja. Ai gënjen. Ai shet grahma shqip n’tezgë t’djallit. Shet keqkuptim gratis dhe mashtron veten se ia arriti qëllimit se një kritikë e tij ndaj Qoses do ti shkaktojë orgazëm Kadaresë kur ta merr vesh. Ky autor, mendon se qenka rritur shumë, aq sa e paska kap Zotin për testise, është ngatërruar unikatshëm me vetveten, me kapacitetin e (t)ultë kulturor, dhe s’ka kacik t’i bëjë vërejtje një akademiku. A mos ka libra e thirrje shkencore, a mos qenka ky akademiku, a mos ditka shumë për Qosen ky e pritka momentin me u derdh, a mos qenka ky spiuni, antishqiptari, anitvetvetja, antikoha... A? Pse kjo filozofi inati? Pse t’i gjuhet Qoses me kaq turr, me të pestën shpejtësi, n’ler teposhtëzës... 
A nuk është ky rast i njëjtë me atë të autorit të veprës SHTATËZANIE E NJË MASHTRIMI të pseudonimit Avdi Berisha, të botuar në Prishtinë. Ai për Pjetër Bogdanin shkruan: “gomar i neveritshëm që Zoti ua hodhi qenve”, “majmuni shqiptar”, “pusi u ujit të ndytë”, “pis humanisti”, etj... Të tilla fjalë me një gjuhë edhe më pezhorative dhe epitete plot këlbaza vreri gjen edhe te antilibri FILOZOFIA E KROKAMËS. Po numëroj disa: “Qosja paska logjikë PseudoZoti”, “ka vese të sëmura”, “paska bëma profetike“, “ka iluzione folklorike”, “mjeshtëri stërkeqës”, “sajesë e përbindshme”, “fabrikon heroizmin individual karshi sakrificës kolektive”, “hija e djallit”, e deshi Titon dhe Enver Hoxhën”, “ka filozofi krrokame”, “armik i Kadaresë”, “mit i LKJ-së”, “avokat i Titos,”, mohues gjenial i atdhetarëve”, “tregtar tokash shqiptare”, “pirat i vërtetë i fjalës e mendimit të tjetrit”, “ka poetikë negative dhe frymëzim rrënues”,” ligjëron me trillime”, “është patologji e një mentaliteti”, “ka fiksione psikopati”, “i vonuar në disa shekuj”, ecetera, ecetera budallakish tjera e konstatime të pa baza. Gjithë këto thurje janë veç hyrje në galerinë e madhe pamfletiste të tradhtarëve shqiptarë, në krye të së cilës qëndruaka (sic!) Rexhep Qosja, “babai i kombit”, i cili mëkatoi rëndë se i “bërtiti” pakëz Kadaresë. Në këtë afish prej antilibri del nudo autori i saj si xhelati i historisë, si Pilat i rrenës për ta shpallë atë të vërtetë dhe të kryqëzojë me fjalë një Jezu. Pjetër Bogdanit e Gjergj Fishtës nuk u dihen varret, eshtrat e Faik Konicës ruhet me polici speciale, Rexhep Qoses i mohohet çdo gjë prej atyre që kanë vetëm rezultate minimale e na flasin për ideale kombëtare. Ata që do besojnë marrëzisht llafeve të tilla me aromë atdhetarie, duhet të lexojnë Kur-anin, sepse Iblisi për të painformuarit vazhdon të shtirret engjëlli i Perëndisë.

*Asistent në Universitetit Shtetëror të Tetovës
katedra e Gjuhës dhe letërsisë shqipe