Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sabile Keçmezi- Basha: Preken ëndërrat vallë...

| E enjte, 04.02.2010, 10:36 PM |


Tregim

SABILE KEÇMEZI-BASHA
Sabile_basha@hotmail.com

PREKËN ËNDËRRAT VALLË...

-Dëgjo… dëgjo... –më thoshte Tuna, mbrëmë -E di se mbrëmë e kam parë Zamirin... dhe... a e di se ku..., -më pyeste ngutshëm dhe shikonte për rreth thuajse druante se dikush mund ta dëgjonte fshehtësinë e saj. E kam parë, me këta dy sy, mu aty... te ai vendi ku kisha caktuar vendtakimin tonë...- dhe fytyra i çelej si lule dhe,  buzëqeshte nga gëzimi i papritur... 
E shikova e tmerruar dhe më erdhi ta kapi nga krahu dhe ta zgjoi nga kjo ëndërr, që i kishte kapluar tërë qenien e saj. 
-Tunë, - e thirra me një zë qortues, ç’flet kështu, zemër... sa të shoh unë... Ti... nuk je në kllapi... andaj ç’flet përçart... dhe e tranda sa munda, duke i kapur krahun dhe duke e shtrënguar tej mase. Me gjasë, ndjeu dhembje... dhe u kthye vrik kah unë, duke me shikuar drejt në bebëzat e syrit...
- Jo...jo... Martinë, nuk bëjë shaka, me gjithë mend ta them... dje duke kaluar andaj pari... te udhëkryqet... e di... aty te “Grandi”... menjëherë më andaj, pak mëtanë, tek stacioni i urbanit... aty... mu aty... e pash Zamirin... Çka është e vërteta, nuk e pash në fytyrë... por jam shumë e sigurt... se ai ishte... Martinë... –thirri sa mundi dhe mu drejtua, me të njëjtën mënyrë:
-Vërtet ti mendon se nuk e njoh burrin tim... je në vete... Martinë... – djersë të ftohta i mbuluan ballin dhe sytë iu mbushën me lot.
E shikoja Tunen, dhe mbeta për një moment e habitur... dhe assesi të vija në vete... Njëherë mendova se ajo katërçipërisht kishte luajtur mëndësh... pastaj më shkoi mendja se ndoshta... ndoshta dikush i ka ngjarë si Ai... burrit të saj... por, o zot, megjithatë nuk mundja të besoja... Kishte vite... vite të egra që, kishin ikur, e nga Zamiri nuk kishte asnjë lajm. Bile-bile unë isha ajo shkaktarja që e kisha detyruar Tunën që të shkonte gati në të gjitha organizatat kombëtare e ndërkombëtare për ta kërkuar burrin. 
Në UNHACER i kishin thënë se nuk dinin asgjë... pastaj e kishte kërkua edhe në OJQ-në, për të Zhdukurit e Luftës, por më kot... askund nuk i  kishin dhënë asnjë përgjigje... Kishte shkuar edhe në shtetin ku kishte punuar më herët... diku në Zvicrën e largët. E ata... ata ishin habitur, kur Tuna iu kishte tregua se kërkonte ndonjë gjurmë për burrin që se kishte takuar kurrë... Bile... menaxheri, që ishte një burrë i moshuar e kishte pyetur në konfidencë, duke i thënë; “Çfarë Penelopa jeni, ju gratë shqiptare? Ajo, vetëm e kishte shikuar... dhe kishte heshtur...
I kishin thënë, se një ditë vjeshte të vonë, Zamiri, respektivisht burri i saj, kishte ikur me ca shokë për Shqipëri për të depërtua pastaj në zonat e  thella të Alpeve Shqiptare... për të vazhduar për Tropojë... Nikaj të Mërturit dhe për të ardhur në Vendin e Shqipeve... dhe... më tepër, i thanë - asgjë nuk dinim...
Pas kësaj maratone të gjatë kërkimesh, Tuna kishte mbetur e zhgënjyer shumë... Pas këtij udhëtimi të shpifur, ajo krejtësisht humbi shpresat dhe më nuk ishte ajo gruaja që e kisha njohur. Buzëqeshja i iku në pa kthim dhe shumë rrallë takohej me njerëzit që i donte dhe e donin. 
Sa të mistershme janë ca histori njerëzish, mendoja shpesh. Ajo kurrë nuk ishte takua me burrin, por... shpesh... shumë shpesh ishte dëgjua në telefon me Zamirin. Vite të çala ishin vitet që pasuan pas pranverës studentore në  Vendin e Shqipeve, të errësuara nga barbaria. Zamirit në atë stinë i kishte ardhur letra për të shkuar nizam, e ku se... në ushtrinë e Hadit, e besa edhe nuk ishte fort e sigurt  se pas shkuarjes atje se, mund të kthehej fare. Nejse... Ai kishte vendosur që fshehtas të kalonte kufijtë dhe të ikte sa më larg nga vendi që e mbante lidhur me vargojë dashurie. Ishte i ri... bile shumë i ri... posa kishte mbaruar gjimnazin por... ah... kishte lëshuar shtatë për vitet që kishte. 
Donin ta martonin, por ai kishte reaguar dhe kishte ikur me dy shokët e fëmijërisë, Tonin e Nitin. 
Në atë kohë, Tuna ishte çupëlinë, kur Zamiri bredhte rrugëve të Evropës duke marr pjesë në shumë protesta e demonstrata që organizonin njerëzit e dritës. Ai ishte pjesëmarrës aktiv i tyre. Shkruante parulla, shpërndante trakte, gati-gati me një krenari të pa-përshkruar barte flamurin kuq e zi,  në çdo tubim që organizohej. Dhe, ndoshta... mu këto tubime ishin edhe ngallmim i njohjes me dajën e Tunës. Dajës i kishte lënë mbresë të pashlyer trimëria dhe fisnikëria e  çunit nga fshati Q. Më vonë duke u njohur më shumë më të, e kishte thirr edhe në shtëpinë e tij në një qytezë të Zvicrës- Efretikon. E kishte qeras dhe e kishte ftua që sa herë të ketë mundësi, ta vizitonte pa hezituar dhe disi... disi po më dukesh... i kishte thënë njëherë, - si të ishe anëtar i familjes sime...
Më vonë... shumë më vonë i kishte folur për mbesën e vetë - Tunën. I kishte tregua se është shumë e mirë dhe përdëllestare për çdo gjë... E kishte ngritur në qiell dhe kurorë i kishte vu nga yjet. Zamiri nuk kishte qëndrua indiferent, e si të rrinte... kur çdo fjalë e dytë në bisedë me dajën ishte Tuna e bukur. Tuna ishte në bisedat e dajës... e pastaj filloi të bëhet personazhi kryesor i ëndrrave të Zamirit. Filloi ta njoh nga larg, ta përcillte në rrugët e jetës. U gëzua tej mase kur ajo mbaroi shkollën për mami, me sukses të shkëlqyeshëm. 
Një ditë, Zamiri, nga daja, kishte kërkua, si me turp... por megjithatë e bëri zemrën gur dhe i kërkoi adresën për ti shkruar asaj. Frikonte se nuk do marri përgjigje nga ajo... por ndodhi e kundërta... Një ditë vjeshte të zymtë, në kutin postare gjeti letrën që e kishte pritur ... I shkruante Tuna... vajza e ëndrrave.
Daja, të njëjtën muhabet e kishte bë edhe me Tunën. I kishte shkrua shumë fjalë të mira për djalin e zgjuar e flokë zi. Fjalët më të mira i kishte transmetua në të dy kahet e rruzullit. Bisedat e gjata, u gëzua daja kur pa se po japin rrjedhime të frytshme.
Letrat në fillim ishin miqësore... dhe ditë e për ditë shtonin intensitetin e vlimeve. Ishte, ajo-Tuna që i shkruante se diçka po lindte në mes Tyre. Diçka e madhe që po e përpinte atë dhe botën... Zamirit i ndërronte çehrja... 
Gjatë u shkruan me letra, por assesi të takoheshin... nuk ekzistonte as mundësia minimale që të shiheshin. Planëzonin... e çka nuk synonin... Parashikonin takimet që do ti bënin në Shkup... në Berlin... e Rimini... Ëndërronin me sy të hapur se një ditë Tuna do të bëhet nuse... Zamiri i shkruante “ do të jesh nusja më e bukur e globit”, e unë, i shkruante ai, do të jem dhëndri më i lumtur i planetit... 
Tuna për çdo ditë të lume ëndërriste dhe me duart e veta qëndiste fustanin e nusërisë... Oh... o Zot... të nusërisë... 
U kurorëzuan... pa u takuar... pa u parë... kurrë... kurrë... Dëshmitar kishin vetëm fotografit e njëri tjetrit që i mbanin në gji... dhe tinëzisht thurnin folenë e tyre... Jetonin në fotot e femërisë të njeri tjetrit dhe vargonin ditët me ato foto të zbehura nga koha dhe nga malli... Iu pëlqenin fotot që i kishin bërë në kohë e vende të ndryshme... por që për koinçidencë ishin të ngjashme. Me vrap iknin ditët, e... ajo... mikja ime radhiste një nga një fotografit e burrit që nuk ishte takua kurrë dhe kënaqej me to...
-Martinë..., shpesh më thërriste dhe më thoshte, -e sheh se sa i bukur është... duke më treguar fotot e fundit që kishte marr nga ai...
E unë, pa dashje e  ngacmoja se sa larg ishte e bukura nga njeriu që e donte ... U hidhëronte... dhe pastaj më thoshte e acaruar  – ç’faj kam unë... kur e adhuroi si perëndinë... E dua Martinë... e dua ne një mënyrë të çuditshme.. por e dua... më beson... dhe e dijë se ti, gjithmonë me ke besuar... dhe hapte krahët si fëmijët... ja... kaq e dua...
E shikoja e trishtuar dhe assesi të kuptoja se si mund të ketë diçka të tillë, të mrekullueshme dhe të pa justifikueshme në mes dy njerëzve që nuk njiheshin fare...
I thosha Tunës, - kjo është anormale që të ndodhë Ty... – më shikonte si e zënë në faj, pastaj vente buzën në gaz dhe krenohej me tregimin e vet... dhe qeshte me zë që e tërë bota ta merrte vesh. 
Tuna... në prag të luftës u kurorëzua... me një fjalë u bë Nuse, me burrin që nuk u njoh asnjëherë,  por që e donte tej mase... U fol e u përfol shumë në fshat... Fustanin e nusërisë e ruante në dollap si gjënë më të shtrenjtë që kishte... dhe shpesh e thoshte:
-Do ta vesh... një ditë... këtë fustan, edhe kur nuk do të mundja që ta veshi... 
Letrat vinin edhe më shpesh, e ajo Nusja Tunë, i lexonte me një frymë duke pritur se një ditë vërtet do të preken ëndrrat me buzë të zhuritura.

                                                            *     *      *
-Martinë... më thirri Tuna e trembur. - Ti, vërtet nuk beson se prekën ëndrrat... -Heshta. Nuk desha ta dëshpëroja nusen. Ajo, përsëri me një zë të çjerrë bërtiti, duke u kthyer me tërë trupin nga unë:
-E kam parë Zamirin... -dhe lotët i shkuan faqeve... Ofshana... Dhe... diku lart mbi kokat tona sillej një re e zezë, që nuk më linte të depërtoja deri tek gjykimi real i ndodhisë. E më vonë... shumë më vonë... e diktova se si hija e zezë-futë, më mbështillte si lëkura, tërë trupin tim të lodhur. Ajo, hije e murrme, herë qëndronte vertikalisht pran meje, herë shndërrohej në qilim me njëmijë e një lule që mbulonte horizontet e rinisë fatkeqe, që asnjëherë nuk i patëm me bollëk në mbretërinë e Hadit. E herë-herë, sozi im i shkallmuar nga stuhitë e akullta, shndërrohej në mur betoni dhe i rezistonte jetës katrahurë. Pse shpirtrat binjak ngjajnë aq shumë njëri me tjetrin më thoshte gjyshja. Pse kur ke dhembje Ti... ka edhe kipci yt, po të njëjtat dhembje, e Nusja e pa bërë Nuse, qante në krahët e mi nga dhembja e malli, pa i prekur asnjëherë ëndrrat e blerta.
-Martinë, e di Ti, se unë për çdo ditë takohem me Zamirin- dhe më shikonte drejt në sy... e dinte se me këtë dëshmi, në kokën time krijonte mjegullnajë të pa par, e hetonte se hezitoja për ti besuar. 
-Ti nuk e di, por në kokën time kam caktuar vendtakimin... dhe vërtet unë nuk e kam takuar Burrin tim fizikisht... por unë e njoh Martinë... E njoh... Aq mirë e njoh sa besoi që ai është krijesa më e përkryer në glob... Ai nuk ka imazhin e njeriut që mund të të lëndoi... E dijë se kam me qenë e lumtur me të... po...po edhe tani jam ... Martinë... a nuk e sheh se hija e tij vjen për çdo ditë të lume, të takohej me mua... E di... Martinë se çfarë më ka shkruar ai në një letër... Sa bukur më ka shkruar... Ai nuk është poet... por më ka shkruar më mirë se Zef Serembe, duke më thënë se, për çdo natë rrinë dhe bisedon me hijen time... Dhe... Martinë... sa kamë mall...
E dija se Tuna, shpesh hezitonte të thoshte ”Burri im”, por e dija edhe atë... se vërtet ishte diçka që shkonte tej imagjinatës njerëzore. 
- I kamë dëgjuar zërin... -më tha një ditë. E unë e dëgjoja e shastisur...   
-Më ka thirr në telefon... Martinë... Zëri i Zamirit, nuk është zë i rëndomtë... është simfoni pranverore që më copëton shpirtin në mija e miliona pjesë... që nga ajo ditë që e dëgjova, nuk mundem të gjejë shteg që të vargojë mallin në një tërësi  hyjnore...dhe sytë iu mbushën me lot... u zhgrehë në vaj... Qau... Sa mundi qau... dhe unë nuk e ngushëllova fare... Fundja... e çfarë ti thosha...

                                          *      *      *

Kërciti pushka e parë... pastaj e një milionta... Gjëmuan topat e tanket grisën në miliona pjesë hartën e atdheut. Ranë edhe Tomahovkat e para dhe bënë kërdinë... por ne u gëzuam... se shpirti na kishte ardhur në gryk. U bë apokalipsa...thanë... pulëbardhat fluturuan atje nga kishin ardhur. Hienat pinin gjakun dhe si feniksët ngriheshin ushtaret e strallit për të mbrojtur tokën-nënë. 
Tuna, për çdo ditë tek pragu i derës priste burrin që do i kthehej me fitimtarët, dhe... një ditë i sollën lajmin... që kurrë nuk e pranoi për të tillë... dhe edhe më tej shkruan letra për burrin që kurrë nuk e njohu... por e pret ende në udhëkryqin, që i ka caktuar vendtakimin...se vetëm e madhërishmja tek Zamiri e shenjtëroi Tunen- Nuse.