Në emër të Presidentit të Republikës dhe në bazë të pushteteve që na janë dhënë, ne ju bëjmë kalorës të Legjonit të Nderit". Zonja Maryse Daviet, ambasadorja franceze në Tiranë, e artikuloi me një emocion të veçantë këtë frazë drejtuar shkrimtarit Fatos Kongoli, në një ceremoni të veçantë organizuar pasditen e djeshme në Ambasadën franceze. Kësisoj u bë publik lajmi se shkrimtari i mirënjohur u nderua me titullin më të lartë që jepet në Francë "Kalorës i Legjonit të Nderit", një vlerësim i akorduar nga presidenti francez, Nikolas Sarkozi. "Vendi im njeh në të gjithë kuptimet e fjalës (të njohësh dhe të shprehësh mirënjohjen) madhështitë e veprës tuaj. Vepra juaj e vështirë, "të bësh letërsi është një akt vuajtjeje dhe vetmie", përshkruan mirë në mënyrë të admirueshme, ashtu si vëllezërit tuaj Primo Levi, Solzhenitsyn-i, Vasily Grossman, njëherazi shkatërrimin e ngulmët dhe të plotë, fatet në shkallën e së përditshmes të individëve, të thyer, të shtypur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, rënien e tyre, por megjithatë njëherazi, dinjitetin e tyre", - tha në fjalën e saj ambasadorja Daviet, duke vijuar se librat e Kongolit të përkthyer në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, spanjisht, italisht etj, "i kanë zbuluar botës, gulagun shqiptar, njëkohësisht, dinjitetin dhe nderin e shqiptarëve, edhe pse të shtypur". Maryse Daviet ka përmendur më tej kontributin që ka dhënë letërsia e Kongolit për njohjen e Shqipërisë në botë. "Vendi juaj ka veçanësinë dhe fatin që ka ushqyer edhe në mjerim shkrimtarë si ju dhe Kadare. Vepra juaj jep ndihmesë për njohjen dhe kuptimin e Shqipërisë veçanërisht nga të huajt. Kjo është diçka jashtëzakonisht e rrallë në botë".
Duke e cilësuar frankofon dhe frankofil që në moshën më të re, edhe pse Francën e zbuloi vetëm në vitin 1989, ambasadorja Daviet përmendi shtatë librat e përkthyer mjeshtërisht në gjuhën frënge nga "miku juaj, nga dyzimi juaj, përkthyesi gjenial, Edmond Tupja: "I humburi", "Kufoma", "Dragoi i fildishtë", "Ëndrra e Damokleut", "Lëkura e qenit", "Te porta e Shën Pjetrit", "Hija e tjetrit", "Jetë në kuti shkrepësesh", botuar nga shtëpia botuese "Payot &Rivages". "Të gjithë ne, - tha më tej ambasadorja Daviet, - shpresojmë me padurim botimin e ardhshëm të librit "Bolero në vilën e pleqve", të cilën Edmondi e ka përkthyer në frëngjisht dhe përhapur në të gjithë botën frankofone.
Në ceremoninë e dhënies së këtij titulli merrnin pjesë një rreth mjaft i ngushtë me të ftuar, miq të shkrimtarit por edhe shtetarë si kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili ka mbajtur një fjalë të gjatë në gjuhën frënge, e ku ka përmendur ndër të tjera edhe kujtime të hershme me Kongolin, profesorin që i ka dhënë mësime matematikë në kohën kur shkrimtari i madh ushtronte profesionin e mësuesit të matematikës. Të pranishëm në ceremoni ishin edhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, zv/ministrja Suzana Turku, përkthyesi i gjithë veprave të Kongolit në frëngjisht Edmond Tupja, deputeti Fatmir Toçi së bashku me Irena Toçin, që drejton tashmë botimet "Toena", e ku janë botuar të gjitha veprat e shkrimtarit Fatos Kongoli në gjuhën shqipe.
Mjaft emocionues ka qenë edhe fjalimi i shkrimtarit, i cili ka rrëfyer me nostalgji të gjitha fijet e jetës së tij që e kanë lidhur me Francën dhe gjithë botën frankofone, që në vitet e rinisë së hershme, kur si pa e kuptuar nisi të mësonte frëngjishten e mandej të lexonte gjithçka që i binte në dorë nga letërsia franceze e më gjerë. Kongoli e cilësoi një histori më se gjysmë shekullore marrëdhënien e tij me gjuhën dhe qytetërimin francez, kulturën franceze dhe Francën. "Do ta quaja një histori adhurimi të heshtur, në largësi", - tha ndër të tjera shkrimtari. Legjioni i Nderit është dekorata më e lartë që jepet në Francë. Ajo është krijuar nga Napoleon Bonaparti në maj të viti 1802 dhe për herë të parë ajo është dhënë në 15 qershor të 1804-ës. Medalja jepet për trimëri në veprimet ushtarake ose për shërbim ushtarak 20-vjeçar të dalluar, por edhe në rastet e civilëve, kur puna e tyre rrit reputacionin e Francës përmes studimeve, arteve, shkencave, politikës etj. Në medaljen e titullit është koka e Napoleonit, ndërsa nga mbrapa shkruhet motoja "HONNEUR" (nder). Urdhri është dekorimi më i lartë në Francë dhe është i ndarë në pesë shkallë të ndryshme: Chevalier (kalorës), Officier (oficer), Commandeur (komandant), Grand Officier (oficer i madh) dhe Grand'Croix (Kryqi i madh). Me këtë titull nderi është vlerësuar edhe shkrimtari i madh, Ismail Kadare dhe përkthyesi i mirënjohur, Jusuf Vrioni.