Suzana Kuqi
Rënkim
Tung!
Ndërsa zëri i zemrës këndon tungjatjeta
fjala, pasqyrë e thyer
ja ktheu shpirtit imazhin cung
Tungjatjeta
tung, trung, cung
T'u ngjatë jeta!
njeriu njeriut i thosh në kohë të vjetra
Tung!
Jehonën përcollën malet në lisin e gjuhës
tung, goditje sopate mbi degën që mbetet cung
Rënkimin e dhëmbjes nuk e ndjeu kush
rrënjët ja përcollën tokës në honet më të fshehta...
Shënim: Ndoshta i parëndësishëm. Fundja, kush jam unë... që t'i lejoj vehtes të revoltohem sa herë e dëgjoj apo e lexoj këtë fjalë të mrekullueshme e unike të cungohet për mungesë kohe apo thjesht për modë. “Tungjatjeta”... përshëndesnin të parët tanë, përshëndetje e një populli krenar e të lirë që nuk njihte skllavëri e hipokrizi. “Ciao”, përshëndetje që përdoret pothuaj në të gjithë botën. Nuk tingëllon aspak keq, por një pjesë e italianëve të sotëm vonë e kanë marrë vesh kuptimin e saj: “jam skllavi yt”. Dikush tha se... që kur e dëgjoi këtë, nuk mund t'a përdorte më.
“Tungjatjeta”! Popull që në shekuj nuk ke pranuar skllavëri.