Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Kulla e Murat Tahirit në Popovë

| E merkure, 27.01.2010, 09:13 PM |


KULLA E MURAT TAHIRIT NË POPOVË

Nga Qazim Namani

Bazuar në kujtesën e familjarëve këtë kullë e kanë ndërtuar mjeshtërit dibran. Ndërtimi i kullave dhe shtëpive nga mjeshtër dibran edhe në kufirin e sotëm verilindor të Kosovës si: Herticë, Keqekoll, Krilevë, Popovë, Gumnishtë dhe fshatra tjera në Shalë të Bajgores, Llap e Gallap tregon më së miri për shtrirjen e së shkollës popullore shqiptare të arkitekturës nga Dibra. Dibranët si ndërtues të objekteve të banimit me shumë gjurmë dëshmohet se ishin të pranishëm edhe në Sanxhakun e Nishit. Nga respekti që kishin banorët e këtyre anëve për dibranët si ndërtues të njohur të kohës shumë familje i pagëzuan fëmijët e tyre më emrin Dibran. Sot disa familje të kësaj ane dhe familje të ardhura nga Sanxhaku i Nishit e mbajnë mbiemrin Dibrani. 
Nazif Murati pronar i sotëm i kullës tregon se kjo kullë është ndërtuar në vitin 1906. Kulla është dy katërshe me dimensione 10.30 x 8.00 m. Trashësia e mureve të kullës është 75cm. Kati i parë i kullës i tëri ishte ndërtuar prej guri. Muret e katit të dytë në anën lindore dhe veriore ishin të punuara prej guri ndërsa muret e katit të sytë në anën jugore she perëndimore ishin të punuara me tulla të pjekura.
Kulla i kishte pas dy hyrje. Hyrja kryesore e kullës kishte qenë në anën veriore, ndërsa hyrja tjetër ishte në anën perëndimore. Në katin e parë të kullës ishte shtëpia e zjarrit. Në anën veriore në të djathtë të derës së hyrjes në shtëpinë e zjarrit kishte qenë oxhaku i shtëpisë. Kulla në anën jugorë i kishte 3 dritare me qemerë në katin e sipërm dhe një në katin e parë. Në anën perëndimore në katin e sipërm të kullës ishte vetëm një dritare e vogël me qemerë kurse dy dritare tjera ishin zgjeruar për të fituar ndriçim. Në anën lindore një dritare me qemerë ishte mbyllur kurse tjetra ishte zgjeruar. Dera nga ana veriore më vonë ishte murosur. Kulla më vonë kishte pësuar ndryshime dhe ishte adaptuar sipas shijes së pronarit. Oxhaku në shtëpinë e zjarrit në katin e parë dhe oxhaku i odës në katin e dytë ishin mbyllur. Shkallët e drurit ishin zëvendësuar me shkallë të betonit. Kulla kishte pësuar ndryshime në katin e sipërm ishte mbyllur avdesorja. Oda e burrave ishte ndarë në dyshe dhe ishin fituar dy dhoma gjumi, po ashtu edhe dhoma tjetër ndihmëse ishte zgjeruar në korridorin e katit të sipërm.

Dera në anën perëndimore të kullës është me qemer, mbi qemer ishte një rozetë e gdhendur në gurë, kurse anash vëreheshin se ka pas dhe dekorime tjera, Kulla kishte pasur një numër të madhe të frenxhive të cilat ishin mbyllur, por disa vëreheshin nga ana e jashtme. 
Në fshatin Popovë më parë kishin ekzistuar më shumë se 6 kulla tjera por vetëm kjo arriti ti shpëtoj kohës dhe luftërave të shumta që u zhvilluan në këto anë. E njohur në këtë fshat kishte qenë edhe kulla e Hys Popovës në të cilën kullë u ngrit flamuri kombëtar në vitin 1909. Këto kulla kishin shërbyer si strehimore të fshatit në luftë e sidomos në vitin 1921 kur pikërisht këtu filloi ekspedita për vrasjen e shqiptarëve prej Popove e deri në fshatin Prapashticë. Në kullën e Murat Tahirit në vitin 1921 ishin strehuar  banorët e 3 familjeve. Gjate ekspeditës së vitit 1921në Popovë vritet pronari i kësaj kulle Murati dhe nipi i tij Maliqi. Në Popovë u vra edhe Sherifi i lagjes së Rexhajve. Mbi 40 burra të fshatit pasi ishin lidhur për tu pushkatuar shpëtuan pasi Osman Rexha i gjuajti ushtrinë serbe me arme nga mali. Pas këtij rasti ushtria serbe tërhiqet ne veri kah fshati Segashë dhe atje i vrasin 27 shqiptar ,kurse anëtarët e një familje të gjithë pasi i lidhen për një sane i dogjën të gjallë. Banorët e Popovës i kujtojnë rrëfimet e familjareve se si nj grua shtatzënë pasi e prenë në barkë ia nxjerrin fëmijën me bajoneta. Në oborrin e shtëpisë së tyre pasi i therin edhe shtazët kishin filluar të vallëzojnë dhe këndojnë.
Në kullën e Murat Popovës kanë qëndruar shumë figura të shquara të popullit shqiptar. Këtu u bënë edhe kuvende të ndryshme për çështje kombëtare nga banorët e kësaj ane. Në këtë kullë ka qëndruar Isa Boletini, Azem Bejta, Mehmet Konjuhu , vëllëzrit Bajçinovci, Ukshin Kovaçica etj.
Si toponime të rëndësishme në fshat shënuam se janë: Kalaja e Popovës të cilës i vreten muret, Suka e Kodralive, Gurina e Kishës, Kodra e Kunovikut, Përroi i Ahishtës etj.