Mendime mbi romanin më të ri të shkrimtarit Kristaq Turtulli ''Dëgjo floriri im''
Nga Petraq ZOTO
Me një e-mail nga Toronto shkrimtari korçar Kristaq Turtulli më njoftoi se kishte dalë nga shtypi romani i tij i ri, “Dëgjo,floriri im”, botim i shtëpisë botuese “Globus R”.I thashë se do ta lexoja menjëherë dhe me kënaqësi e kureshtje. Me kureshtje, sepse ndërkohë e dija që po i printe suksesi edhe në Kanadanë e largët e të begatë, ku jeton prej më se dhjetë vjetësh. Qysh në faqet e para përjetova ndjesinë e ëndshme, që na e jep një prozë e bukur.
Fillimi i një romani, sikurse dihet, është tejet i mundimshëm për autorin, pasi, duke qenë pasaportë hyrëse në botën e atij libri, nxit ose jo interesin e lexuesit, pastaj dhe dëshirën për ta lexuar. Romani i Turtullit ka një hyrje mbresuese. Ardi, personazhi kryesor, udhëton me aeroplan dhe sjell në kujtesë gjyshin e çuditshëm Rubin. Njeri i kitarës e i serenatave dhe qejfeve, por edhe ca enigmatik, ai hera-herës zhduket pa lënë gjurmë, një ditë po befas kthehet si një ylber me ngjyrat e përndezura të jetës. Pa ç’i shkon për shtat dhe gjyshja Rudinë! Fantastikë personazhet, i ngjashëm rrëfimi për to, real e ireal, narracion përpirës i njomur me musht poetik, i cili rrjedh e rrjedh si hoje mjalti. Gjithçka e ëndërrt, por e vërtetë, e përralltë dhe prapëseprapë e besueshme.
Në vështrim të parë duket se kjo hyrje s’ka fare lidhje me ngjarjet e romanit, por me simbolikën e vet ajo i parathotë bëmat e pazakontë që ndodhin më pas. Djalë i një qyteti të vogël shqiptar të jugut, befas Ardi gjendet për studime mijëra kilometra larg, në kryeqytetin e madh të një vendi të stërmadh. Në mënyrë disi të habitshme njihet e dashurohet me vajzën Irina, familja e së cilës përjeton një përmbysje vajtuese. Inxhinier i zoti kthehet në qytetin e tij, martohet, jetojnë me dashuri e mirëkuptim të admirueshëm së bashku me prindërit. Mirëpo, diku përgatitet një rroposje sa e tmerrshme, aq dhe e pakuptimtë, jo njerëzore. Është koha kur marrëdhëniet me kampin socialist pësojnë krisjen e madhe. Irina shtatzënë shkon të takojë prindërit, Ardit nëpërmjet Kurrillës, shokut të tij të shkollës, tani në rolin e sekretarit të partisë i kërkojnë jo vetëm ta lërë, por edhe ta denoncojë si spiune. Ai nuk pranon kurrsesi, kështu nis kalvari i tij i pafund. Hetuesia e përbindshme, burgu-minierë i skëterrshëm, jetë që rrënohet e hiqet zvarrë e dregosur...
Sikur të mos e njihja autorin, do ta besoja pa asnjë hezitim se i ka ndodhur atij vetë, aq me vërtetësi e realizëm dhe forcë artistike e ka dhënë gjithë atë mundim mbinjerëzor. Libri s’të lë ta heqësh nga dora. Autori bën t’i shohësh e t’i ndjesh personazhet e tij, vuajtjet dhe përjetimet e tyre, lidhjen e ngushtë me njëri-tjetrin, dëshirën për jetën. Lexuesit i bëhen të afërt e të dashur dhe i ngelen gjatë në mendje. Roman voluminoz, me shtrirje të madhe kohore e hapësinore, mbase do të duhej ndonjë koncentrim aty-këtu, po autori është i përkushtuar në ato ç’ka shkruan dhe, si një skulptor mjeshtër, gdhend me durim edhe detajin më të vogël. Fjala vjen, homazhi te varri i të atit në një fshat të largët, ku e patën internuar, përbën faqe të dhimbshme dhe prozë të mrekullueshme.
Të papriturat s’kanë të reshtur. Vjen demokracia e shumëpritur, ai lirohet e kthehet në qytetin e tij. S’ka më as shtëpi, as prindër, ndërkaq si për ironi të fatit, persekutori i tij, përbindëshi, i paskrupulli Kurrilla, dikur përgjues i puthjeve, shërbyes i hekurt, i pashpirt, tani drejton organizmin që merret me të përndjekurit politikë. Përplasje të tjera me të, pas të cilave Kurrillës s’i hyn asnjë gjemb në këmbë. Lala i paaftë, shoku i zyrës, denoncuesi, bëhet deputet. Ardi s’merret më me ta, as nuk e denoncon. Diktatura paranojake ia shkatërroi jetën, por jo karakterin. Heroi stoik i Kristaq Turtullit është njeri i mirë e i mençur, një nga ata që rëndom i marrin për naivë, madje dhe më keq, por që përbëjnë shtyllën e padukshme e të fuqishme, e cila mban gjallë vlerat e vërteta e të pabjerrshme.
Me këtë roman autori sjell një kontribut të vyer në letërsinë tonë të pasdiktaturës. Duke i sfiduar vështirësitë e emigrimit dhe në kontakt më letërsinë bashkëkohore amerikanoveriore, ai i ka ridimensionuar kërkesat ndaj vetes, sikurse edhe aftësitë krijuese dhe nivelin e krijimtarisë së tij. Romani “Dëgjo, floriri im” e dëshmon më së miri.
Kristaq, të falënderoj për kënaqësinë.