Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zaim Beqiri: Ku e ka fundin politika çkombëtarizuese

| E marte, 26.01.2010, 10:56 PM |


Ku e ka fundin politika çkombëtarizuese

Nga Zaim Beqiri

Jam hamendur gjatë  kohë  “Duke pritur Godonë” por ajo nuk erdhi as nga goja e politikanëve,as nga institucionet të ashtuquajtura “Akademi” që duhet të jenë mbrojtësit më fanatikë të çështjes kombëtare,por,as nga penda e gazetarëve që i kemi me shumicë dhe qajnë hallin e të tjerëve.
Unë duke besuar se ka njerëz që  janë  të  thirrur për t`a mbrojtur çështjen e shenjtë kombëtare dhe se ka njerëz shumë më të  zotët se jam unë kam pritur se do t`i kundërvihen shumë fuqishëm politikës çkombëtarizuese që po ndiqet tash e njëzet vjet, edhe më para por në këto njëzet vjetët e fundit kjo politikë bëhet me një egërsi të paparë,duke nisur që nga shkollimi,religjioni,ekonomia,kultura,trashëgimia etj.
Të gjithë protagonistët e këtyre degëve kanë vepruar dhe veprojnë në dëm të çështjes kombëtare.
Këto mendime të shprehura më lartë dua t`i mbështes në argumente që lexuesi të mund t`i kuptoj e jo të jenë të thata,po nisem që nga shkollimi: Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët nuk i lanë që të vetëvendosin se teshat ua kishin prerë fuqitë e mëdha në Konferencën e Jalltës me të cilën shqiptarët kurrë nuk do të pajtohen dhe do të vazhdojnë përpjekjet për t`i realizuar të drejtat e veta si çdo popull tjetër as më shumë as më pak,sakrifikuan me dhjetëra mijëra persona gjatë kësaj kohe kurrë pa e shtrembëruar qëllimin e shenjtë për t`u bashkuar në një shtet dhe të bëhemi të barabartë me të tjerët.
Në këto rrethana edhe pse jo të favorshme për shqiptarët,shkollimi u zhvillua në  gjuhën shqipe,dokumentacioni plotësoheshte në gjuhën shqipe,po të krahasojmë kushtetutën e vitit 1974 me kushtetutën aktuale,do të shohim se ajo ka qenë më e avancuar se e tashmja.
I pyes përfaqësuesit shqiptarë,deri kur do të jemi viktimë e stërkambëzave siç janë  gjuha,flamuri,shkollimi,njëqind vjet e më tepër kaluan,dhe ne jemi rrotulluar si delet e sëmura në një vend. Kur shqiptarët kërkojnë të avancojnë diçka tjetër top po n`a e cungojnë gjuhën, pas një kohe flamurin e kështu me radhë ne nuk bëjmë një hap më përpara por çdo gjeneratë është e detyruar të merret me të njëjtat probleme,thjeshtë mund t`a quajmë punë Sizifi.
Ti kthehem klerit i cili është i thirrur që me anë të fesë t`i mbrojë interesat kombëtare ashtu siç veprojnë të gjithë përfaqësuesit fetar të kombeve tjera. Fenë islame nuk e kemi vetëm ne shqiptarët,e kanë arabët, turqit, kinezët, indonezianët etj. Këto fenë e kanë në shërbim të kombit, pse ne vallë nuk themi xhamia shqiptare, kisha katolike shqiptare, kisha ortodokse shqiptare por çdo gjë ia kushtojmë kombit arab që ka traditat dhe historinë e vet,ne nuk e mësojmë tonën që nuk e kemi hiç më të varfër se të tjerët por lakmojmë të huajën prandaj dhe e kemi humbur rrugën në oborr duke dëgjuar edhe këso morrish nga goja e reisit “zoti t`a bekoj Gruevskin” se ai ka bërë çudira për ne shqiptarët(krime) sa të duash. Mjetet e informimit afër dy dekada po hapen me slloganin për integrimin e shtetit në BE dhe në NATO ,po më ngjajnë sikur në vitet 71-72 me letrën e Titos që për dy vjet çdo lajm fillonte me këtë,pra ishte letra e një Satrapi ushqim për mjetet e informimit. Tash ushqim i preferuar është integrimi në NATO dhe BE dhe me këtë i mbarojmë detyrat duke e mbajtur popullin në iluzion se këto po punojnë pa u lodhur për të mirën e tij.Kombet tjera edhe mund të kenë të drejtë,por shqiptarë nuk e kuptoj se çfarë presim?! Kur them shqiptarët kam parasysh gjithë kombin i cili është në qorrsokak dhe nuk din ose nuk do të dalë. Do të integrohemi në Evropë nëpër xhepat e të tjerëve,atëherë dhe do të ngelim pjesë e xhepave të huaj. Ajo copë shteti që quhet Shqipëri që ne jashtë saj gjithmonë i kemi pasur shpresat tek ajo duke e quajtur Nënë,Atdhe etj. nuk po kujdeset për pjesën e saj legjitime që ia kanë marrë me force por po qanë hallin e sllavëve të cilët ia kanë rrëmbyer më shumë se gjysmën e territorit dhe popullin.
Kjo jo vetëm që nuk e kundërshton këtë në dy dekadat e fundit por po e favorizon duke i falur territore popullit sllav se është shumë i vogël edhe me frymë edhe me tokë pasi ka gjysmën e Azisë dhe gjysmën e Evropës dhe nuk i ka krejt,pra e meritojnë edhe një pjesë të Shqipërisë sepse Shqipëria është e madhe,ashtu e kanë vlerësuar dashamirët e popullit shqiptar, sllavët,mysafirët e ardhur nga pas Karpateve dhe mysafiri duhet respektuar!
Do t`i kthehem këtij shteti artificial i cili gjysmën e ka territore shqiptare dhe,për çudi shqiptarët u rropën që ta futin në NATO dhe në BE për t`ia betonuar themelet dhe për t`ua vazhduar atdhetarëve kalvarin e tyre. Po dalin analistë të ndryshëm të gjithë vajtojnë se pse vallë Greqia e pengon këtë shtet artificial që të hyjë në strukturat Euro-Atlantike?Nuk e dijnë këta mjeranë a kanë logjikë njeriu apo kanë ndonjë logjikë që ndryshon nga të tjerët. Nuk e dijnë se sa i ndjekin deklaratat e përfaqësuesve Europian,siç ishte deklarata e Euro deputetit slloven Jellko Kacin i cili deklaroi se:
”Edhe po të mos ekzistonin këto Maqedonë është dashtë t`i shpikim vetëm e vetëm mos bashkohen shqiptarët “ kjo ishte një deklaratë pasi Greqia përdori veton në Samitin e Bukureshtit. Unë nuk e perceptoj do të se nga kjo deklaratë shqiptarët nxjerrin ndonjë përfundim pozitiv apo shtiren si gomari “bëre zot ëndërr”.
Deklarata tjetër që  shqiptarët duhet t`i zgjoje nga gjumi është,ajo në mes Dora Bakojanit ministre e punëve të jashtme të Greqisë  dhe Antonio Milloshovskit ministër i këtij shteti artificial,ku Milloshoski i drejtohet Dorës me këto fjalë :
“Hajt më shpejt ta zgjidhim çështjen e emrit sa janë shqiptarët duke fletur se,pot ë zgjohen shqiptarët nga gjumi e dini edhe ju edhe ne se si qëndron problemi”.Këto dy deklarata do të mjaftonin që shqiptarët më të kuptonin se “Për kë bien këmbanat” por për fat të keq shqiptarët vazhdojnë avazin e tyre duke mos mangësuar qejfet e tyre dhe duke u munduar që të pasurohen sa më shumë,se pot ë kesh pasuri mund të jetosh edhe si sllav edhe si gjerman edhe si grek edhe si turk,kryesorja të kesh t`a ngopish barkun dhe mos dallosh edhe nga lopët.
Pse vallë nga një kope politikanësh,analistësh,gazetarësh, politikologësh etj. me përjashtim të patriotëve të vërtetë që i kemi deficitarë,nuk dalën me qëndrim konkret dhe me propozim se:Po që se ky shtet artificial duhet të qëndroj atëherë le të quhet “Dardani” emrin që e ka pasur përpara dhe qendër ka patur Shkupin. Në këtë shtet jetojnë Shqiptarët, Bullgarët, Serbët, Vllehët dhe pakica të tjera,me siguri as Greqia dhe as shtetet përreth nuk do të kishin asgjë kundër.Ose mund të quhet “Maqedonia dhe Dardania” ashtu siç quhet “Bosna dhe Hercegovina”.
Po kjo nuk u pëlqen sllavëve të cilët arbitrarisht e kanë shpallur veten Maqedonas,si pasardhës të antikës njëherit edhe sllave, po a ka vallë gomarllëk më të madh se kjo por,ata kanë llogaritë e veta dhe antika u nevojitet se janë autokton dhe sllave se edhe me të vërtetë janë sllave,me përjashtim të shqiptarëve ortodoksë dhe vllehëve që janë sllavizuar në shekullin e fundit. Duke e përfunduar këtë artikull apeloj tek përfaqësuesit shqiptarë kudo qofshin po që se e shohin tê kapshëm këtë propozim le të dalin në përkrahje ose le ta hedhin poshtë. 


Për ZSH: Arben Llalla