Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sinan Sadiku: Poezi origjinale me vlera të mirëfillta artistike

| E hene, 25.01.2010, 08:30 PM |


POEZI ORIGJINALE ME VLERA TË MIRËFILLTA ARTISTIKE

Sabit Rrustemi “Paqja e brishtë”, botoi “Rozafa” Prishtinë 2007, fq.78

Nga Sinan Sadiku

Sabit Rrustemi është një shkrimtar i veçantë, një poet i talentuar i cili tashmë e ka krijuar individualitetin e vet dhe është bërë emër i njohur në suaza gjithëkombëtare. “Paqja e brishtë” është libri i gjashtë me poezi i këtij autori, në të cilin libër janë sistemuar 33 poezi të cilat e trajtojnë një spektër të gjerë të temave të cilat e kanë preokupuar mendjen dhe shpirtin e tij dhe të cilat ngjarje,  fenomene e procese e kanë përcaktuar të tashmen dhe deri diku edhe të ardhmen e njeriut të këtij trolli. Sabiti është një poet origjinal i cili në krijimtarinë e vet ka ditur të shërbehet me margaritarët e mendimit dhe shprehjes popullore, veçmas të rrethit prej nga vjen, ka ditur t`a asimiloj përvojën më të mirë poetike dhe të gjitha këto me një inteligjencë të rrallë t`i përdor për ta gjetur fjalën e zgjedhur, për ta krijuar vargun, poezinë dhe librin në tërësi. Andaj mund të themi se poezia e librit “Paqja e brishtë’ është një poezi origjinale dhe autoktone si në aspektin semantik ashtu edhe në aspektin estetik. Veçantia, origjinaliteti konsiston në mendime dhe ide personale e veçmas në mënyrën e shprehjes së atyre ideve, mendimeve dhe botëkuptimeve. Pra ai investon përkushtim, talent, mjeshtri, përvojë dhe mençuri edhe në anën semantike e edhe në anën estetike të poezisë dhe rezultat i kësaj janë poezitë vërtetë të bukura të cilat janë një kontribut i rëndësishëm në zhvillimin dhe pasurimin e poezisë së sotme shqipe. 

Portreti i shqiptarit – temë bosht e librit

Temë bosht e librit janë atdheu dhe shqiptarët. Andaj libri hapet dhe mbyllet me temën e atdheut. Poezia e parë titullohet “Atdheu i rilindur”, ndërsa e fundit “Kodi mbrojtës i atdheut”. Në poezinë e parë në një farë mënyre tregohen vështirësitë, peripecitë e shumta dhe të ndryshme nëpër të cilat ka kaluar njeriu i këtij trolli për ta ruajtur atdheun, shenjat e identitetit dhe për të ardhur deri te “Atdheu i rilindur” siç shprehet autori. Gjuha e poezisë është asociative dhe t`i  rikujton disa periudha të errëta nëpër të cilat kanë kaluar atdheu, atdhetari dhe në përgjithësi shqiptari.
Në poezinë “Kodi mbrojtës i atdheut” autori si një ciceron na shëtit nëpër viset e ndryshme të atdheut ku kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme historike, gjegjësisht beteja të rëndësishme, na flet për dedë gjon lulët e bacë idrizët, për fusha e lumenj, po edhe për pasuri e vlera të tjera karakteristike. Ai shprehet:
Atdheu ka dhe emër
Dhe votër
E motër
 Te kjo poezi i gjejmë edhe vargjet interesante: 
Atdheu
Eh atdheu
Është edhe pjesa ku shkelim
Ku shkulim ku herrim
Por liria e atdheut mbetet e pagjetur “Pa ia falë Palcën e Gjakut/ Palcës së Dheut” shkruan poeti. 
Duket që autori në këtë libër është përpjekur ta realizoj një portret sa më të plotë, sa më të gjithanshëm e më të kompletuar të shqiptarit, në radhë të parë një portret shpirtëror e kulturor po edhe fizik të tij, duke na ofruar të dhëna të bollshme për karakterin dhe temperamentin e tij, për sjelljet, shprehitë, mënyrën e jetesës, mentalitetin, vetitë e mira dhe të këqija, për të kaluarën dhe të tashmen e tij.  Për ta realizuar këtë ai i kthehet edhe historisë,  shkon mijëra vjet para ardhjes së Krishtit , ndalet në disa ngjarje historike, e jep portretin e malësorit shqiptar të gjysmës së shekullit 19 i përshkruan ngjarjet tragjike dhe vështirësitë e shumta për ta ruajtur identitetin, del te personalitetet shqiptare të kohës, kthehet te ata që i përkasin të kaluarës  e të tjera. 
“Portret që s`kornizohet” është një poezi në të cilën ndërtohet  një portret interesant, mbresëlënës dhe real i shqiptarit. “Mijëra e mijëra vjet pas tyre/ erdhi Krishti/ me të atin/ e të birin” janë vargjet e poezisë në fjalë të cilat e paraqesin lashtësinë tonë. Nga rrebeshet historike
Shqiptarët i shpëtoi thellësia
Ama e nana
Dhe ati dhe lama
Dhe stogu i sanës 
Dhe shtëpia buzë mali
Në këtë portret interesant autori nuk i përshkruan vetëm anët e ndritshme të shqiptarit por edhe veset, shprehitë dhe zakonet e mbrapshta të cilave jo rrallë ua ka pa sherrin. Megjithatë përgjithësisht shqiptarët kanë tipare dhe veti të mira, aftësi, gjeturi dhe vitalitet të cilat ua kanë mundësuar mbijetesën.  Kjo është një poezi sintezë e tipareve të shqiptarit, tipare këto të cilat konkretizohen në poezitë e tjera të librit dhe mund të themi se thuaja të gjitha poezitë e këtij libri kontribuojnë në realizimin e portretit të kompletuar të shqiptarit, kuptohet ndonjëra e trajton vetëm këtë tematikë, tjetra e trajton edhe këtë temë e edhe ndonjë temë tjetër, ndonjë e tretë e trajton ndonjë temë tjetër zakonisht aktuale po e jep ndonjë kontribut të tërthortë edhe në këtë drejtim. 
“Kandilat e Dokës” dhe “Udha e Dokës” janë dy poezi në të cilat përshkruhet rruga jetësore me plot vështirësi, drama e sakrifica e një malësori shqiptar të besimit katolik, e Dokë Karadakut nga fshati Terzijaj, njërit nga të syrgjynosurit e viteve 1846-48 që vet e mbijetoi torturën por e humbi gruan, të cilën turqit ia hodhën në det. Doka arrin të mbijetoj dhe ta ruaj identitetin kombëtar e fetar, mënyrën e jetesës dhe në përgjithësi moralin, traditat dhe zakonet e shqiptarit. Poezia përshkohet nga fryma e poezisë sonë popullore në disa përbërës të saj dhe në vete përmban diçka nga baladat, elegjitë, legjendat dhe mitologjia jonë, të gjitha këto të asimiluara dhe të përpunuara me mjeshtri nga autori. Në poezinë e dytë përshkruhen karakteri dhe temperamenti i veçantë i Dokës, pastaj mënyra e jetesës, e të menduarit dhe e të perceptuarit të tij, që është tipike për një malësor shqiptar. 
Në aspektin tematik poezitë e librit “Paqja e brishtë” përshkohen nga dy vija  kryesore. Njëra është paraqitja sa më besnike e portretit të kompletuar të shqiptarit dhe tjetra është shprehja e reagimeve të folësit lirik ndaj disa ngjarjeve aktuale të cilat e shqetësojnë jo vetëm atë por thuaja çdo shqiptar, veçmas të Kosovës. Këto dy vija janë shumë të gërshetuara mes veti dhe mund të themi se janë dy anë të të njëjtës medalje. Derisa ndaj të kaluarës së njerëzve të këtij trolli autori nuk shpreh ndonjë qëndrim të theksuar kritik kur janë në pyetje ngjarjet aktuale të viteve të fundit vijnë në shprehje edhe pakënaqësia edhe kritika  edhe ironia, po edhe mesazhi dhe kërkesa për korrigjime.
Te poezia “Oxhaku i  qendrës multietnike”, i gjejmë vargjet:
Tymi i këtij oxhaku nuk villet jashtë
Nxinë vetëm muret
E mushkërive tona
Një poezi e cila ka të bëj me pakon e Ahtisarit e mban titullin “Pakja para pakos së pritur”. Vet titulli i poezisë e tregon edhe përmbajtjen e saj., sepse ajo pako vërtetë iu ka shkaktuar pakje shumicës së shqiptarëve.

Shprehja poetike 

Poezitë e librit “Paqja e brishtë” nuk janë poezi tradicionale as sa i përket vargut, as sa i përket figuracionit, as sa i përket ndjeshmërisë e as sa i përket filozofisë jetësore dhe në përgjithësi botëkuptimeve të autorit mbi çështje të jetës dhe artit. Sa i përket ndërtimit të vargut dhe strofave vetëm një poezi edhe atë poezia e titulluar “Qyteti i Beqës” (një poezi kjo interesante kushtuar qytetit të Gjilanit) mund të themi se është tradicionale, sepse e ka rimën e rregullt dhe strofat katërvargëshe. Megjithatë te pjesa më e madhe e poezive janë shumë të pranishme rima dhe asonanca. Duke e përjashtuar poezinë e lartshënuar te të tjerat rima nuk ka shtrirje në tërë poezinë por vetëm në disa pjesë më të mëdha ose më të vogla të saj, edhe atë e gjejmë në një pjesë të poezisë pastaj mungon, shfaqet përsëri e të ngjashme. Te disa poezi është më shumë e pranishme te të tjerat më pak. Të shumtën e rasteve  rima dhe asonanca e  disa herë  edhe rima e brendshme e shoqërojnë njëra tjetrën, bashkëjetojnë mes veti dhe në një masë të madhe e përcaktojnë stilin e librit, veçantinë dhe origjinalitetin e saj. Pikërisht mendimi, mënyra e shprehjes së tij e sublimuar nga shfrytëzimi i margaritarëve të mendjes dhe shprehjes popullore dhe rimat e asonancat të cilat në shumë raste të befasojnë apo më mirë të themi të mrekullojnë jo vetëm me eufoni, muzikalitet dhe ritëm të papritur e dinamik por edhe me ngarkesat  kuptimore që bartin dhe artikulojnë janë tiparet më origjinale të poezisë së librit në fjalë. Më duket se autori shkëlqen kur është fjala te mjeshtëria e ndërtimit dhe përdorimit të rimave dhe asonancave, e ndonjëherë edhe të aliteracioneve. 
Poezia e librit “Paqja e brishtë është autoktone, sepse edhe mendimi, edhe përjetimi, edhe perceptimi, edhe konceptet mbi jetën, edhe mënyra e shprehjes, edhe ritmi, edhe muzikaliteti... të gjitha tingëllojnë shqip.
Shprehja gjuhësore e poezive të librit “Paqja e brishtë” në shikim të parë është mjaft e hapur dhe komunikuese. Interpretimi, gjegjësisht gjetja e kuptimeve, ideve a mesazheve elementare nuk kërkon ndonjë dije ose përpjekje të madhe. Megjithatë këto janë poezi  bashkëkohore në të gjitha aspektet, poezi me nëntekst të pasur dhe si të tilla lejojnë, gjegjësisht japin  më shumë mundësi interpretimi, sepse fjalët, figurat, vargjet e edhe poezitë rrezatojnë shumëkuptimësi dhe në këtë aspekt sa herë që i lexojmë nxjerrim diçka të re, aq më tepër kur e lexojmë librin si tërësi, që është një tërësi mirë e menduar dhe e organizuar. Kur jemi te kjo çështje, pra te ana kuptimore  të themi se ky libër është një minierë e pasur me ide, kuptime, mesazhe, përshkrime, vizione… një minierë e pashtershme në të cilën sa më shumë që të gërmosh aq më shumë do të gjesh pasuri të larmishme me vlera të çmueshme dhe asnjëherë nuk do të mbetesh duarthatë. Këtë e mundëson shprehja gjuhësore figurative përmes simboleve, alegorive, aluzioneve, metaforave, analogjisë së ngjarjeve e personaliteteve historike me ato të kohës së sotme, pastaj shprehja asociative, asonancat e më rrallë aliteracionet, përsëritjet  e të tjera. Poezitë e librit “Paqja e brishtë” janë poezi të mendimit te të cilat vjen në shprehje maturia sa i përket shprehjes së ndjenjës, te të cilat mendja ka përparësi në raport me ndjenjën e cila shkon pas mendimit dhe e kompleton atë. Megjithatë këto poezi nuk janë të ftohta. Përveç mendimit dhe njëlloj urtie ose gjeturie, te këto poezi apo thënë më mirë në disa vargje të tyre, herë herë e qet kokën një dozë e kontrolluar e humorit, e talljes e edhe e ironisë të cilën nganjëherë e shkaktojnë rimat  dhe veçmas asonancat e çuditshme të cilat e dinamizojnë shprehjen poetike, e përcaktojnë ritmin dhe stilin e poezisë dhe të librit në tërësi, po e pasurojnë dhe e kanalizojnë edhe kuptimin. Janë këto elemente apo përbërës të cilët poezisë i japin gjallëri e freski, ritëm e frymëmarrje, ia shtojnë shijen dhe e bëjnë më të këndshme, më mbresëlënëse, më interesante dhe gjithsesi më të bukur. Libri “Paqja e brishtë” është një vepër e mirë origjinale dhe autoktone, që përmban në vetvete vlera të mirëfillta poetike, dhe si e tillë është një kontribut me vlerë që autori ia dhuron poezisë shqipe.

Dardanë, 10 janar 2010