Sabile Keçmezi-BashaSabile_basha@hotmail.com
Malli për Itakën
Malli për Itakën
Me shpejtësi marramendëse
Shumëzohen kameleonët…
Itaka
Ndodhet këtu
As nuk ik
As nuk dorëzohet
Dhembje e bukur
Diogjeni
Zvarrit këmbët, i lodhur
Me fenerin fosforeshent
Përshëndetet me kipcat tanë
Itaka
ndodhet këtu
ende ëndërr e kuqe
për pelegrinë
Sa lehtë është
Të shalosh
Gjethet e rëna për tokë
Ti shkelësh si thneglat
Kohën e zymtë ta zymtësosh
Zymtësi…
Sa lehtë është
Të flasësh për të pabërat
Dhe të shikosh me një pikë
pa e ditur cakun
Të kohës tekanjoze.
Sa lehtë është
Të premtojmë kulla prej guri
Dhe të qeshim
Të përqeshim
Kipcat tanë.
Sa lehtë është…
Trokitje…
Troket në brigjet e pritjes
Koha shtatzënë
Dhe ndrydhë me shputë të grisur
Vije-vragat e rrugës
Mbi ballin e globit
Shalojnë vitet e çartura
Si fëmijët e dëshpëruar
Që presin për të ardhur
Në kohën beronjë
Mallkim
Mos mallko pritjen e stërgjatur
Plis - qumështi im
Se katrahurat dinë si ushunjëza
të na thithin pjalmin
Mos shiko vëngër si acari
Plis - bardhi im
Se lumenjtë rrjedhin
pa na varur fare
Mallkim, mos lësho
Sonte në këto troje
Se mjaft patë shtrëngatë
Mjaft patë furtunë
Plis - kuqi im
Mos ofkëlli
Trim-madhi im
Se rruga tërkuzë
Pëson metamorfozë
Edhe pse është
pranverë e vonuar.
Sikur ta ditshim...
Sikur ta ditshim
Se ditë-dritat lëngojnë si fëmijët
Nata ecën çalamane
Trotuareve të historisë
Sikur ta dijshmi
Eh, sikur ta dijshmi
Se ëndrrat e dhembjeve
Nuk shlyhen me lot
Atje …
ku janë, e ku s`janë
Kulla e lejleku
Në hyrje të kullës
Qëndron lejleku i kuq
Me syrin - monitor
Me sqepin –urë
Magjitë i prish
Që stinët i harruan
Në të lodhur
Shpesh i kam takuar
Kullën e lejlekun në kuvend
Themelet e kullës i gurosnin në blerësi
dhe flijonin dëshirat për kutinë e Pandorës
Pa kullë -thanë, nuk rron dot lejleku
Pa lejlek do të rrënohej kulla
Apoteozë e pambarimtë
Në shekullin e ri
Metamorfozë
Dalëngadalë
Në rrugët tona
Nuk ka më as zhurmë
As nguti
As ankth mortor
Dhe
as stinë të lodhura
Dal nga dal
Kanë filluar
Të qetohen zogjtë
Pulëbardhat nuk kanë droje
Papandehur vjen
Zhurma prej celofani
troket në kthinat tona
Bënë alarmin
Gjymtyrët qëndrojnë vertikalisht
Dal nga dal
do të mësohemi
të mos flasim me magjistare
me gishta mesazhe të mos përcjellim
për hënën që do bëhet nuse.
Dal nga dal...
Peroni pa numër
Në peronin pa numër
Ndodhte një storie mitike
Ofshamat e pritjes
Zhbironin mëngjesin e përhitur
Vaji i fëmijëve
I trembte rrufetë
Dhe në atë stinë pa stinë
Peroni pa numër
Përcillte pelegrinët e fundit
Të ardhur nga dika ...
Kaherë të harruar nga...
Hajt lum mikja, sonte
Po qe se mundesh bjeri në fije
Kësaj kohe katrahurë
Kur qesh e qan...
Me sy të trembur
Treni pa peron
Edhe sot kërkon vend
Për gjymtyrë të lodhura
Që të ndërroi imazhin
Të gruas – nënë
Kipci im
E di se ke dëshirë të madhe
Kipci im
Të fluturosh mbi dëshirat e premtuara
Me kollare të kuqe në qafë
Kipci im
Ti dot se merr me mend
Se edhe lëkura griset
Nga ecejaket e qelqta
Edhe mollët pëlcasin
Nga hipertensioni
Të varura në degë
Kipci im
Pajtohemi
Se unë e ti
Jemi të binjakëzuar
Përsëri do të udhëtojmë
Shekujve të egër
Dhe do të ndajmë
Të njëjtin fat...
Dhe përsëri
Do vonohemi
Për aheng
Kipci im.
Festat
Vijnë e shkojnë
Festat në lagjen time
Motra qëndis flamurin
Për ditën e madhe
Babai im me dënesje qanë.
Për çdo mbrëmje të lume
Historinë e nxjerr
nga Kuti e Pandorës
palë-palë e hedhë në tryezë
dhe më le amanet
“festa nuk do të kemi
po s`u asgjësua
Kuti e Pandorës.”
Babai im
Babai im
Besonte në zot
Besonte në njerëz
Besonte në dashuri
Babai im
Ishte njeri
Malësor krenar
Dhe çdo damar i tij
Lëngonte për blerësi
Babai im
Besonte në miqësi,
Besonte në fjalë
E mbante besën
Epte edhe kokën
Kapte edhe pushkën
Kur i preknin Nënë –Tokën.
Besonte babai im…
Përsëri përcëllimë
Përsëri
Pisku i vapës
Lëngatën lëngon
Kohë çmendurakja
Sa do t? zgjasin
Pikë vlimet
Në Itakën
Me fytyrë purpuri
N? nat?n e gjat?.
Oaza frymon
N? kalldrëmin e shekujve
Ku kuajt i pushojnë
Isë Boletini
Idriz Seferi.
E gjaku përsëri
Vlon n? damar
Kushtrim
Përsëri bie kushtrimi
N? Itak?n e lodhur
Konstandini e shalon kalin
Doruntina në pritje i ha thonjtë
Rrugët në arenë shndërrohen
Itaka dënes në pritjen e saj
Përsëri bie kushtrimi...
Megjithatë shkruhet historia
Edhe në ketë fillim shekull
Përsëri shkruhet historia
Qëndisën flamujt e rinj
Në lëkurën e motit
Koha përsëri
Zvarritet ndër rrasa të zverdhura
Me samar të fryrë
Kapedan
Zgjohu nga dheu
Itaka numëron plagët
Në trupin shtatzënë
Të mbarsur nga dhembjet
Vargu i përgjakur
Atë ditë
Më përgjakën vargun
Pranverën ngjyrosën në të mjegullt
Gjergj Elez Alia
Me nëntë plagë
Mejdanit nuk i largohet
Atë ditë marsi
Frymëzimin ma vranë
Në nyje fatin ma lidhën
Nyje pas nyje
Satanai edhe rrugën
Më përdhunoi
Atë ditë
Më gjakosën muzën
Me bajonetë
Deshën
Edhe stinën ta vrasin...
Nuk dua të sëmurem
Ilaçe nuk durojë dot
As analgin të hidhur nuk preferojë
As operime të më bëni nuk dua
Dhe të sëmurem nuk duroj
Temperatura le të arrij në pikë të vlimit
Leukocitet le të mbrohen nga tharmi i ditës
Infuzion nuk pranon kohë mjegullnaja
E unë
Nuk dua të sëmurem...
Migrena le të lozë tangon e fundit
Aritmia le të bjerë sa daullja të pëlcasë
Dua sot të jetoj si ti
Në Itakë, me Itakën, për Itakën
–mrekulli.
Për Itakën
Nuk ka nevojë
Ama asnjëherë
Të vdesësh për mua
Biri im
Nuk ka nevojë
Të vdiset, ama
As për veten Tënde
Për Itakën
Hëm…
Itakën
E vlen të vdiset
E vlen të jetohet
Reale - Ireale
Endet ëndrra çalamane
Nëpër shekuj
Syri blu
Me vjeshtën e trazuar
Niset në rrugëtim të gjatë
Reale
Ishin betejat për zjarre
Që ngjyrosën shiun në të kuqe
E tani
Në cilën anë të globit
Pranvera frymëzon e mrizon
Itakë
Perspektivë-Retrospektivë
Asnjë buzëqeshje
Nuk i ngjanë qeshjes
Së vogëlushit tim
Kur lozë me rrezet e diellit
Dhe hijen e muros në gurë
Dhe brohorit
-rroftë Itaka –Nënë
-rroftë Itaka-Njerkë
Një copë vjeshtë
Një copë vjeshtë
Nga trotuari i historisë
U futë në albumin tim
Pranvera iku me trokun e kalit
Pa u përshëndetur me nënën- hije
Një copë vjeshtë
Vjeshtë ...
Përtej murit gjembor
Krijoi një oazë malli
Shaloi dhembjet
Dhe fëmija qau
Për hënën e përlotur
Dhe…edhe …
Një copë vjeshtë
U zhagit zhagas
Alpeve shqiptare
Për të prekur me gjuhë
Itakën e lodhur
Dëshirë
Për të shkuar deri në Institutin e Historisë
Më nevojitet një rrotullim i tërë i akrepave të orës
Apo që të shkoja me furgon
vetëm sa një çerek i saj
Por, për të shkuar deri në Itakë
Më nevojitet një fluturim –vetëtimë
Dhe saora përqafojë
Fytyrën e lodhur të nënëlokes
Për t’iu kthyer fëmijërisë
Mjafton të përkëdhel me dashuri
Të dy fëmijët e mi
Dhe ndjej se si qetohem
Si nga një këngë e vjetër
Një ditë
Një ditë ndoshta...
Që të gjithë do të çmendemi
Por nuk do të flasim për këtë
Vetëm Itaka do ta kuptoj të vërtetën
Një ditë ndoshta ...
Të gjithë do të dalim në bjeshkë
Me nga një rrëmetë krahëve
Për ta vrarë ujkun
Itaka do të qeshë nga gëzimi
Një ditë ndoshta ...
Ndoshta një ditë...
që të gjithë do të këndellemi
nga narkotikët
Itaka më në fund
do të pushojë e qetë
në shtratin e saj
Një ditë ndoshta…
Kthimi në Itakë
Shpesh kthehemi
Në pritje
Në veshë e sy shndërrohemi
Shpesh kthehemi
Në fëmijërinë e vonë
Në zemër troket hapi i ikjes
Shpesh kthehemi
E ata...
Ata nuk janë askund
Ata përsëri mungojnë
Në darkën e përshpirtjeve
Itakë pse dhemb...
Vetëm edhe një herë do të pyesja
Itakë pse dhemb
Nata skëterrë
Dëshirat i salvuam Itakë
Buzëqeshjet në fytyra i bëmë tatuazh
Duart në fshesa thithëse i shndërruam
Nga netët e mbarsura
Itakë, në shurdhë-memecë ishim shndërruar
Gjakimet na digjnin si plaga
Dhe s’mundeshim as me bëza
Itakë, athua përsëri do të përcëllon dielli
Që të zvarritemi kah ujëvara
kah vjeshta e fundit,
Për të pasur dhembje, dhembjet e oktapodit
Se si lozin me nusërinë tonë
Do të njohë Itakë
Të harxhuar nga stina
Unë do të vijë
Për të mos ikur…
Kurrë... më...
Nga lëkura jote