| E shtune, 23.01.2010, 05:22 PM |
(Esse)
“U nisa
drejt teje në agimin e jetës,
Si fëmijë
i larë e i ndërruar.
Ecja.
Shpresat ushqeja: një ditë do të mbërrija tek ti.
Cikloni i
tmerrshëm ma mjegulloi rrugën.
Më fal, poezi!”
Nga Jorgo Telo
Ashtu si deti pranë të cilit u lind dhe u rrit poeti
Dalan LUZAJ, edhe shpirti i tij u mësua të kreshpërojë nëpër gjithë vorbullën e
mjegullnajën e viteve nëpër të cilat kaloi jetën ai vetë dhe familja e tij…
Na bashkon vërsnikëria (bashkëmosha).
Aktualisht të dy i takojmë moshës së tretë, porse njëri i lindur në mal e
tjetri në bregdet. Njëri ka pirë ujë Dhëmbeli e Çajupi, tjetri është larë me ujë
deti e ka shuar etjen me ujin e Ujit të Ftohtë e Kusbabasë… Ndërsa në lëmin poetik, nëse unë u ushqeva me
tharmin e poezisë çajupiane, Dalani afërmendsh është ushqyer me trokun e
muzikalitetin e poezisë së Ali Aslllanit e sa e sa të tjerëve…!
Çuditërisht përkojmë disi të përafërt
me gushtin. Poeti i vërsës sime në javën e parë të gusht është lindur, kurse unë në javën e parë të këtij
muaji jam martuar. Viti 1963 na paska diplomuar të dyve me cilësinë e mësuesisë..
Dhe të dy pedagogjikas, veçse ai në Vlorë e unë në Gjirokastër.
Nuk njihemi nga afër.
Unë njoh një pjesë të
konsiderueshme të krijimtarisë poetike të Dalanit. Ai mundet njeh diçka nga
pena ime, falë meritës së mikut tim të letrave,
publicistit sheperiot, emigrantit të mençur, Eduard Dilo, pinjoll i të
madhit gjuhëtar, Ilia Dilo Sheperi.
(Për rastësi a nuk e marr me mend
se si, sonte që po hedh këto rreshta në kompjuter, jam duke pritur nga një shtëpi
botuese në Tiranë përgjigjen për kalimin në shtyp të librit “Fiksimet e paqme të
moshës”.Ndiej, se duke u menduar, duke medituar rreth poezive të shumta që kam
lexuar nga poeti shpirtlirë, pas kalvaresh të pambarimta vuajtjesh, orët sikur
ikin pa u kuptuar.)
Veç poezive që kam gjetur ne faqet
shqip të internetit, sapo rashë në kontakt me një tufë të përzgjedhur poetike të
këtij autori emigrant politik. Pothuajse u familjarizova papandehur me to. Të
ishin faktorë të kësaj ngjizjeje të vetëdijes sime poetike me ato që sapo lëçita Përqasja e stilit të të shkruari? Do kenë qenë
ndjesitë e shumta të dhimbjeve që ato përcjellin, apo foca e vargut dhe shëndeti
i plotë i fjalorit të pastër që gjen bukurisht një përdorim të zhdërvjellët e
me doza të dukshme e të bindshme atdhetarie, liridashëse e ngulmuese për një
jetë e ardhmëri larg vrastaritetit kobëtar të shpirtrave njerëzorë të etur për
liri të vërtetë, arsyet që më afruan artistikisht e ndjeshmërisht me produktet
e penës e të shpirtit luzian…
Si bir i filozofit të mirënjohur
Prof. emeritus z. Isuf Luzajt, Dalani,
me sa shohim e ndiejmë, po ditka mirë dhe besueshëm ta mbajë lart e ta lartojë
më tej emrin e të atit të nderuar.
Shumë e më shumë dinë intelektualët
shqiptarë për Isufin, se sa për Dalanin dhe mbeten të shtangur teksa lexojnë
prurjet e tij poetike tejet të frymëzuara
e mjaft je tësore si dhe të drejpërdrejta në përzgjedhjen e motivit më të qenësishëm
që shpërthen si vetvetishëm prej një zemre të ndezur, që nuk mund të mbajë më,
veçse të pëlcasë prej marazit, teksa ka ndeshur me një jetë e mjedis të përçudnuar,
i dënuar, i përbuzur dhe i përndjekur mizorisht, vetëm e vetëm se ishte trashëgimtar
e një mendjendrituri, siç ishte i ati Isuf…
E si mund të ndihej një frymëmarrës
i lirë Dalani, përderisa gjallonte vite me radhë nën peshën e rëndë mbytëse të
mantelit ogurzi të të deklasuarit?!
Sipas kujtimeve të një
mësueseje të fëmijëve të tij: “Kemi jetuar në të njëjtin fshat, në
Qishbardhë për disa vjet. Kishte fëmijë të mrekullueshëm. Kishin një shtëpi të
vogël e te bardhë që e shoqja,Buqja e mbante si nje kopsht të bukur.Me të
jetonte edhe e ëma e tij, Zonja Drita.Një ditë unë dhe një mësuese tjetër,Fatbardha
Deromemaj,po dilnim nëpër familjet e nxënësve për të biseduar direkt me prindërit.Dhe
kalojmë edhe tek shtëpia e Dalanit.Në qoftë se në shtëpite e tjera ne futeshim
brenda dhe mund të pinim edhe ndonje kafe,ju e dini mikpritjen e artë te
shqiptarit, aty po nguronim, sepse po te futeshim ishim te sigurta që do të na
thërrisnin ne byronë e partisë së fshatit, aq më tepër qe Fatbardha ishte disi
e deklasuar dhe unë nga burri Vranari kishim probleme në biografi. Zonja Drita,
e ema e Dalanit na thotë me buzëqeshje:
“Po ejani
brenda e pini nje kafe, se nuk do t’u hedh helmin e reaksionarit!”
Vargjet
e Dalanit kanë aftësi magjike të të degdisin ku s’ta prêt mendja.. Ata si të
magjishëm i japin krahë imagjinatës dhe befasohesh teksa e sheh poetin në
kushtet e nje personazhi migjenian:
“Xhepa të ftohtë,
xhepa të shpuar,
era e mëngjesit
i flladit,
era e mbrëmjes
u hedh pikëllim.
Digjet
shtrati nga avujt e nxehte,
ndërsa buka
shkëlqen
në vitrinë.
Këtë
dënduri epitetesh e shohim qartë te kjo poezi me titullin “VITRINË”, ku nuk
mungojnë dhe antitezat me forcë sugjestionuese (xhepat kalojnë brenda disa orësh
nga flladitja në pikëllim…)
Kjo
antitezë duket se paraprin antitezen me te mprehte: urinë e frymorit brenda një
shtrati dhe shkëlqimi i bukëve pas xhamit të një vitrine…
Në
çaste romantizmi poeti mitologjikisht e shndërron veten në gjysmëperëndi, që ka
aftësinë të bëjë hije atje ku ka dritë e të japë dritë atje ku ka hije, pa
hequr dorë nga vërshimi i antitezave, që i ka mjaft për qejf e që vetvetishëm i
kalojnë deri në kufinjtë e similitudës:
“I qasem
lules.
Kur e
mbaj në duar
është e
gjitha imja.
E mund
t’i jap hije atje ku ka dritë,
e mund
t’i jap dritë atje ku ka hije.
Duke bëlbëzuar
fjalë prej fëmije.”
(I QASEM LULES)
Edhe
më bujshëm do të shohim së toku më poshtë (le pastaj në dhjetra poezi të tjera,
që nuk i kam përfshirë në këtë pjesë të esesë) vërshim figurash të bukura të
stilistikës poetike, të shprehura me një gjuhë të pastër shqipe e me një mendim
të qartë e të drejpërdrejtë njerëzor. Ndeshim hap pas hapi, nga poezia në poezi
e nga vargu në varg befasinë, sfidën, spontaneitetin e improvizimit, pjekurinë
e moshës, bukurinë e shpirtit, kaltërsinë e qiellit, vetminë vrastare, flakën e
shpirtit të brengosur, ngecjen e emigrantit “në pjesën që gabon”, pashërueshmërinë
e plagëve të hapura, blerimin e pyllit, mosplakjen e syve, focën e dashurisë,
deri te braktisja e pantallonave të internimit, lënia e tyre varur në një gozhdë
të ndryshkur.
Kujtimet
në jetën e njeriut e veçanërisht ato të një poeti të mirëfilltë kanë ngjizje të
fortë me shpirtin e tij e përfshijnë në vete edhe mbresat e bukura e të ngrohta
të një ndjesie të mbetur në mjegullnajë, por që ka pasur aftësinë t’ia ndezë
flakë shpirtin e ndjeshëm:
“Kjo
është për ty që mbete larg;
në mund ta sjellësh pak ndër mend
një
shpirt i ri që digjej flakë,
një
gur që ende s’ka zënë vend.
Mëe
vjen e shkuara ndër kujtime,
ekran
i mjegullt, me pakë natë;
një
ditë me diell ish jeta ime,
kur ty të njoha.
Çast
i artë.
(NJË DITË ME DIELL)
S’kish
se si të ndodhte ndryshe për një të internuar, për një të persekutuar e të
deklasuar politik:
Unë
di, që Dalani, jashtë atdheut, ka botuar
një libër të veçantë për jetëshkrimin e vet për vitet e vegjëlisë, të
shkollimit e më tej me titull “Fati na gjeti vetëm” (1995).Porse çfarë ka brenda
faqeve të tij nuk dimë gjë.
Ka
botuar dhe librat “Diej të
largët”(1996), “Pa rrugë” (2002) e të tjerë. Jemi në gjuajtje të këtyre libravë
për të mësuar përhere e më tepër per jetë e krijimtarinë e poetit Dalan Luzaj.
Përpak
desh u nguta në mendim, se mos ndoshta Dalani,
përmes modestisë që e karakterizon, është mjaftuar vetëm me forcën njohëse
që jep vargu poetik, pa kaluar në historira e në statistika të thata?
Kaq e kam hëpërhë hapësirën e njohjes për poetin shumëvlerësh emigrant, tashmë Kryetar i një shoqate dinjitoze, SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE SHQIPTARO – AMERIKANË.