Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Rugova i përjetshëm

| E premte, 22.01.2010, 09:59 PM |


Rugova i përjetshëm

Nga Ndue Ukaj

Misionari nuk vdes. Ai, si orakull, predikon për misionin, bashkon grigjën rreth idesë së shenjtë të misionit dhe shkon në Përjetësi, duke lënë pas vete shpirtin, frymën e misionit, që enden si shkëndija udhërrëfyese për breza të tëra.
Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, iku, në një janar të akullt, në një janar që i ngrinte lotët e shumtë që vërshonin rrugëve të Prishtinës dhe kudo kishte shqiptar.

Ai iku, mirëpo la pas shumë, mbase më shumë se çdo politikan, sepse ai më së paku ishte politikan. Ai ishte një humanist i pashembullt, i prirur nga idetë me sublime të etikës dhe politikës, të cilat i sintetizoi drejt një ideali sublim, që kapërcente kufijtë e pavarësisë dhe rikthente shqiptarët në shtratin e tyre natyral perëndimor, pa ekoivoke e interpretime deshakëqija. Rugova ishte një artist i mirëfilltë, i cili njohu eksperiencat më të sofistikuara të artit botëror e shqiptar. Rugova ishte një moralist i madh, sa për shumëçka tejkalonte edhe vetë predikatoret e ndryshëm religjioz. Ai ishte një filozof, i cili fjalën e latonte aq mirë, sa brenda saj shtresoheheshin shumë domethënie, që bota për rreth tij vështirë i kuptonte. Rugova ishte një studiues i jashtëzakonshëm, i traditës dhe i modernes, i pakompromis me dukuritë degraduese në art e letërsi- një studiues që letërsisë sonë i mungon edhe sot. Dhe pra, Ai ishte një politikan karizmatik, që këtij domeni kaq shumë të urryer ndër shqiptar, i dha dimension tjetër, duke e përmbush me shpirtin e fisëm të thellësive filozofike e letrare, etike e nacionale. Kësisoj, u bë përjetësisht një Ikonë Kombëtare.

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugov iku, e mori një janar i akullt, një janar i trishtë, mirëpo shpirti i tij jeton e do të jetojë përjetësisht. Ndërkaq, ata lotët e ngrirë para katër vite, ende pikojnë nga sytë e mërzitur të shqiptarëve, që e deshtën dhe e duan aq shumë. Dhe sot, në janarin e akullt, të përvjetorit të katërt të ikjes së tij fizike nga kjo botë, shpirti i tij, mençuria dhe virtytet e tija, rrezatojnë triumfalisht mbi botën vobektë politike shqiptare, tamam si Ylli i përjetësisë Biblike, ai ylli i Davidit, të cilin e mishëroi në flamurin e tij shumë domethënës, si shenjë e shënjues të shtetësisë dhe ardhmërisë së Kosovës dhe shqiptarëve. E, të cilin flamur e përbuzën ca injorantë.

Ibrahim Rugova, emri i përveçëm i politikës dhe kulturës shqiptare,  kishte tiparet e misionarëve të mëdhenj të njerëzimit, të atyre që lënë gjurmë e përjetësojnë kohët.

Puna dhe veprimtaria e Rugovës, i ngjason aq shumë profetit Biblik, Mojsiut. Sikur Ai, edhe Rugova e nxori popullin e tij nga kthetrat sllave, por nuk e përjetoi pavarësinë, atë tokë të premtuar, për të cilën bëri shumë, aq shumë sa do të duhen kohë për ta njohur thelbësisht. Kjo për faktin, sepse ai ishte i frymëzuar nga parime profetike. Kishte diçka profetike në qenien e tij, në fjalët e tija, që tingëllonin si kambana alarmuese për një botë të tërë, që bënte heshtje karshi çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve. Fjalët e tija, si gurë të çmuar e xhevahire të shtrenjta, tingëllonin si njato kambanat e panjohura, që përhapin lajme të kobshme. Dhe kështu, përçoi çdo kund ku duhej, mesazhin e fuqishëm, të pakundërshtueshëm, as nga fuqitë më të mëdha të tokës, se po shkelej mbi Dardaninë antike, po diskriminohej e vritej popull i Shën Florit dhe Laurit, i Gjergj Kastriotit dhe Pjetër Bogdanit, i Nënë Terezës dhe i shumë e shumë figurave që kishin lënë gjurmë në qytetërimin perëndimor, prej së cilit, shqiptarët ishin përjashtuar padrejtësisht.

Rugova kishte dy misione jetësore, të liroi popullin e tij nga kthetrat e Serbisë dhe ta rikthej atje ku duhej, në shtratin perëndimor, me gjitha tiparet autentike shqiptare, duke tund, njëherësh, gjitha shtresimet që i ishin mveshun padrejtësisht. Për këtë, ai krijoi, si askush, marrëdhënie me aleatët e të madhit Gjergj Kastriotit-filozofi kjo të cilën ai e ndjeku në çdo hap të jetës së tij. 

Kosova, shqiptarët dhe bota e moderuar, para katër vite nuk e humbën vetëm një lider të thjeshtë. Sepse kjo ishte humbje e prijësit, misionar dhe ideatori i gjitha ndryshimeve të mëdha që ndodhën në Kosovë dhe më gjerë. Kjo ishte humbje e njeriut që ndikoi në ndryshimin e relacioneve politike në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Filozofia e tij politike, ishte diçka magjike, sidomos për botën perëndimore, e cila dridhmohej nga magjia e filozofisë paqësore, që dilte nga një rajon i stërmbushur me urrejtje, luftëra, krime.

Me dhuntitë e pashembullta, ai doli kundrejt një politike vrasëse, që prodhonte vetëm shkatërrime dhe dhunë, duke ndërtuar një shtet paralel brenda një regjimi të çmendur. Dhe kështu, ngazëlleu zemrat e botës, e të sa e sa prijësve politikë, të kombeve të mëdha, që i dolën zot kombit të tij, ashtu sikurse deshi ai. Është kjo magjia e fuqisë së paqes, e fuqisë së besimit, e fuqisë së drejtësisë, një magji e tipit Promethean, të cilën diti ta jetësoi një njeri si Ai. Po ashtu, kjo fuqi dëshmoi se sa të pafuqishme janë pengesat ndërkombëtare, kur ishte në pyetje domosdoja e mbrojtjes së Kosovës. Bota e tëra u rreshtua pas misionit të tij të përcaktuar jetësor.  
Kalimi i tij i shpejt nga kjo jetë, për t’u bashkuar me të dashurit e tij, që aq shumë i mbante në gojë, si Gjergj Kastrioitin, Pjetër Bogdanin, Gjon Palin e Dytë, Nënë Terezën, ishte një shenjë e përjetësimit të profetit e heroit, që kryen punën dhe ikën. 
Po a nuk është ky fat i gjithë heronjve të mëdhenj!?
Si prodhim i filozofisë, urtësisë dhe strategjisë së tij, Kosova sot është shtet i pavarur, ndërkaq sendërtimi i idealeve të tij, është bërë, por pa të. Mirëpo, është një dëshmi e fortë se puna dhe vepra e tij po përjetësohen, kudo ka shqiptar, Ai nderohet me pietetin më të lartë, jo vetëm si nderohen politikanët. Ai është përjetësuar në art e kulturë, duke u bërë, tamam hero i Kosovës së djeshme, i Kosovës së sotme dhe sidomos hero i Kosovës së dëshirave të nesërme. 
Dr. Ibrahim Rugova ishte dhe do të mbetet ideator i një politikë moderne, jo vetëm shqiptare, por universale. Mjafton të riciklojmë në strategjinë e tij brilante, Kosova e Pavarur, Integrim në Strukturat Euroatlantike dhe Miqësi permanente me SHBA-të. Me urtësinë e tij, Ai në çdo takim me rëndësi, në çdo fjalim, fjalët i ruante si visare të çmueshme dhe përshëndeste miqtë e liderët botëror, që nga SHBA-të deri të Vatikani. Një vizion, që edhe nëpër shekuj duhet të ndiqet.
Presidenti Ibrahim Rugova nuk ishte, dhe nuk do të mbetet në kujtesën tonë kombëtare e botërore, vetëm si lider i përmasave të thjeshta politike, të tillë që bota ka shumë. Në panteonin e vlerave të mëdha, figura e tij mbetet, mbi të gjitha, me dimensionet e një mendimtar të madh, që politikë si dha dije, ide, filozofi e kulturë. Ai e krijoi një model kulturor të jashtëzakonshëm, admirues për gjithë botën e përparuar. Së këndejmi, Ai do të mbahet mend si një iluminist që mishëroi dimensionet etike me ato politike, një personalitet me shpirt të gjerë dhe human, një dijetar i madhe i shkencave shoqërore dhe një kritikë letrar me dije enciklopedike, një shpirt rilindësi- dhunti këto të cilat diti mrekullisht t’i funksionalizoi, në të mirë të idesë së demokracisë, lirisë, pavarësisë dhe integrimeve.

Në një beteje të rëndë, me sfida të rrezikshme, Ibrahim Rugova niset me besimin e tij, si një forcë shtytëse, me dijen e tij, si një pasuri, që i dha mundësi të argumentoi një kauzë, me përcaktimin e tij të pa alternativë, si virtyt i pashoq që u admirua nga gjithë bota e civilizuar. 
Janë këto virtyte dhe vlera kolosale që këtij njeriu i japin përmasa universale.

Në një rrugëtim të gjatë, Ibrahim Rugova u nis tamam si prijës, misionar e profetë. Me urtësinë sokratiane, me dashurinë për atdheun, të frymëzuar nga modeli e ati i tij shpirtëror, Pjetër Bogdani, së cilit ja kushtoj një pjesë të punës intelektuale; i frymëzuar nga vlerat e filozofisë jodhunore të njohura në Botë, Rugova u bë Ikona e Shqiptarëve dhe e botës së përparuar në këto dy dekada. 
Duke qenë krenar se i përkiste atdheut të madhit Gjergj Kastriotit - Skënderbe, të së madhes Nënë Tereza, ai asimiloi dijen, guximin dhe besimin, me zërin e thellë të ndërgjegjes kombëtare dhe tundi pluhurin shekullor që kishte mbërthyer qenien shqiptare. Ai filloi t’iu rikthej dinjitetin shqiptarëve, të rilidh ato aleanca të vjetra, me aleatët e Gjergj Kastrioti- Skënderbeut. Këtë mision e realizoi dhe e bëri shkollë nacionale.
Presidenti Rugova ishte, është dhe të mbetet Hero, ashtu siç njihen në histori heronjtë e mëdhenj të cilëve njerëzimi ju beson. Si i tillë, ai është një hero, sepse politikës i dha shpirt artistik, angazhimeve kombëtare ju dha dimensione universale. Kështu që, personaliteti i tij do te jete i papërsëritshëm, sepse heronjtë janë Një, dhe vetëm si të këtillë kanë kuptim. Nuk do te kishte kuptim civilizimi ynë t’i ketë dy Dante Aligera, dy Xhorxh Uashingtona, dy Gjergj Kastriota, dy Pjeter Bogdana, dy Shekspira, dy Nene Tereza, dy Papa Gjon Pali II, dy Ibrahim Rugova. Këta në histori mbesin të vetëm, pa shëmbëlltyra. Si të këtillë, janë unikat dhe shpirtra që udhërrëfejnë grigjën.