Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Hajdin Morina

| E marte, 19.01.2010, 08:22 PM |


Hajdin Morina


MUJË KRASNIQI ËSHTË NJË

Në qendër të qytetit
Një Mujë e ka qyteti im
Vetëm një si Diellin
Vetëm një si Lirinë

I vetmi që nuk pushon
24 orë ballin mbi re

Përditë e përqafojnë
Fëmijët nënat e dëshmorëve
Dhe shqiponjat

Pastaj në ditë festash
Para kamerave para mikrofonave
Mbajnë fjalët e rastit duartrokasin

Seç e zvogëlon përditë
Atdheun e partive politike
Lirinë seç e rrit 

Vetëm një është ai
Si Dielli si Liria si Flamuri

Një Mujë e ka qyteti im
Vetëm një si Diellin
Vetëm një si Drinin


LIRIA IME

Si të të përqafoj
Ti kokën nuk  e përkul
As sa një fije kashte

Mbi cilin qiell syri yt pushon
Nuk ta putha ballin as dje as sot
Ti kokën lart e më lart


GJAKU I ZANËS

Në një pranverë
Një Zanë e dhunuan barbarët
Dhe gjaku i saj i thau lulet
Dhe loti i saj i shteroi krojet


SHQIPONJAT

A kanë Shqiponjat
Mjaft qiell për fluturim
Nëpër hapësirat e Lirisë
Dhe Në fushën e kuqe
Të Flamurit të moçëm