REÇAKU I DHEMBJES, KUJTESËS DHE I KRENARISË KOMBËTARE
Nga Milazim KADRIU
Në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, u shënua 11 vjetori i ngjarjeve të përgjakshme, kur forcat serbe patën vrarë 42 civilë shqiptarë. Ish shefi i Misionit vëzhgues të OSBE-së, ambasadori Uilliam Ualker, këtë ngjarje e pati cilësuar si "krim kundër njerëzimit".
Me rastin e 11 vjetorit të Masakrës së Reçakut, kur forcat vrastare ushtarake e paraushtarake serbe, vranë e masakruan 42 banorë kryesisht gra fëmijë e burra të moshuar, sot në komunën e Shtimes janë zhvilluar aktivitete, tematike, kulturore e përkujtimore.
 |
Homazhet |
Masakra e Reçakut njihet si një nga ngjarjet kryesore që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke i paraprirë proceseve që çuan deri tek fushata e bombardimeve të NATO-s.Masakra e Reçakut ishte pikë vetëdijesimi e bashkësisë ndërkombëtare për reagim më të shpejtë në Kosovë. Ish shefi i Misionit vëzhgues të OSBE-së, ambasadori Uilliam Ualker, këtë ngjarje e pati cilësuar si "krim kundër njerëzimit".
Duke përkujtuar Masakrën e Reçakut, kur 11 vjet më parë forcat policore dhe ushtarake serbe vranë e masakruan barbarisht 42 civilë shqiptarë në mesin e tyre edhe gra e fëmijë, i mbijetuari nga ky fshat, Agron Mehmeti, ka thënë në mes tjerash se përkujtimi i kësaj ngjarje është sa i dhembshëm aq edhe rrëqethës. Është tmerruese të kujtosh njerëz të vrarë, njerëz të masakruar, njerëz të pafajshëm të vrarë prej një okupatori siç ishte ai serb. I vetmi ngushëllim për ne tani është kur e shohim Kompleksit Përkujtimor, që jemi të lirë dhe që mendojmë të ecim tutje.
Në Orë Përkujtimore në sallën e Shkollës së Mesme “ Naim Frashëri” në Shtime,duke shprehur mirënjohje për të gjithë të rënët në vendin tonë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se për Qeverinë e Kosovës dhe për gjithë qytetarët e saj, 15 janari i vitit 1999 vazhdon të jetë një kujtim i dhimbjes dhe i krenarisë.. " Për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës 15 janari i vitit 1999 është një pikë e dhimbjes, një pikë e kujtesës sonë, por edhe një pikë e krenarisë sonë kombëtare. Në Reçak u tregua shumë qartë se me kënd kishim të bënin ne dhe shkalla e gjenocidit që bënte një popull, një ushtri apo një polici e një populli okupues mbi një popull tjetër. Në Re?ak ishte pika e vetëdijesimit e vet bashkësisë ndërkombëtare për reagim më të shpejtë në Kosovë", ka thënë Kuçi.
 |
Akademia |
Kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismaili, ka vlerësuar në mes tjerash se masakra e Reçakut është një nga ngjarjet që ka pasur ndikimet më të fuqishme në rrjedhat e atëhershme në Kosovë. tha se kujtimi për të rënët vazhdon të mos zbehet edhe pas 11 vjetësh dhe do të vazhdojë të mbetet i njëjtë edhe më tutje.
Një fjalë rasti në akademin përkujtimore e ka mbajtur edhe ish komandanti i UÇK së për Zonën Operative të Nerodimës, Shukri Buja, i cili tha se ashtu sikurse pushtimi që ishte i rëndë dhe i papërballueshëm, ashtu edhe çmimi i lirisë ishte i shtrenjtë.
Në emër të familjeve të dëshmorëve të UÇK së, Xhavit Jashari ka thënë se pa gjakun e derdhur historia nuk do të lëvizte për të mirën e popullit tonë.
11 vite më parë, forcat të shumta ushtarake serbe të mbështetura nga e gjithë makineria e krimit filluan sulmin kundër popullatës së Reçakut. Gjatë luftimeve në mbrojtje të popullatës, në krye të detyrës ranë heroikisht 11 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandanti i Brigadës 161, Ahmet Kaçiku.
Kompleksi Memorial, ku pushojnë Martirët e Reçakut, ashtu sikurse sot, sikurse viteve të kaluara, edhe viteve të ardhshme, do të mbledhë përherë njerëzit nga të gjitha trojet shqiptare, dhe më gjerë, për të përkujtuar dhe për të shprehur respektin ndaj atyre që nuk kursyen jetën për lirinë e popullit të vet dhe krijimin e themeleve të qëndrueshme të shtetit të pavarur e sovran-Republikës së Kosovës.
Rënia në altarin e lirisë dhe përjetësia në monumentin e ndërtuar, ku pushojnë tani, do t’ju kujtojë brezave të ardhshëm vlerat universale të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e vendit, ndërsa para varreve të tyre do të përkulemi me respekt ashtu siç ka ndodhur deri tani.
Angazhimet institucionale, krahas angazhimeve të tjera, edhe më tej do të jenë të orientuara kah fuqizimi i statusit të familjeve të dëshmorëve, të familjeve të martirëve, të invalidëve dhe të veteranëve të UÇK-së.
Kjo garanton respektimin meritor të vlerave të luftës së lavdishme të UÇK-së dhe përjetësimin e amanetit të gjithë atyre që ranë për liri.
Pjesën artistike të Orës Përkujtimore e ka përcjellur Kori i Qendrës Artistike nga Ferizaji, nën dirigjimin e znj. Lindita Isufi.
 |
Hajredin Kuçi
 | Naim Ismaili
 | Shukri Buja
 | Xhavit Jashari |
|
|
|