Me manifestime të ndryshme përkujtimore në Kosovë dhe diasporë
SHËNOHET 28-VJETORI I MARTIRIZIMIT TË JUSUF GËRVALLËS, KADRI ZEKËS E BARDHOSH GËRVALLËS
Nga: Milazim KADRIU
Në 28-vjetorin e martirizimit të Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës në vende të ndryshme të Republikës së Kosovës dhe në disa qendra të mërgatës po mbahen manifestime të ndryshme tematikë e përkujtimore. Kështu po përkujtohen : Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, tre bijtë e Kosovës, të cilët më 17 janar të vitit 1982, në Untergrupenbach, në rrethin e Shtutgartit, në Gjermani, u vranë mizorisht e pabesisht nga dora gjakatare e regjimit titist-rankoviqist.
Martirizimi i këtyre tre veprimtarëve të përkushtuar të çështjes shqiptare, ishte një goditje pas shpine, e projektuar dhe e realizuar nga UDB-ja dhe nga disa mercenarë shpirtshitur shqiptarë, të cilët fatin e Kosovës e konsideronin të zgjidhur përgjithmonë në kuadër të Jugosllavisë dhe në politikën e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë.

Sot, 28 vjet nga dita kur u vranë mizorisht: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, pozita e shqiptarëve në Ballkan është më e favorshme, por jo e zgjidhur përfundimisht. Amaneti i këtyre tre bijve të Kosovës dhe Shqipërisë, ashtu sikur amaneti i Legjendarit, Adem Jashari dhe i mijëra dëshmorëve të tjerë ende nuk ka shkuar në vend, meqë trojet e Shqipërisë vazhdojnë të jenë të ndara e të copëtuara nga fqinjët grabitqarë, të përkrahur kurdoherë nga disa qarqe antishqiptare të Evropës.