NEHAT JAHIU
AS UNË NUK E DI SI TË MORI, NUK E DI…
Nënës
Të kërkova dorën e hollë, përkëdheljen e ngrohtë,
ti numërova ninullat që mi këndove…
Por—Oh!.. Ti nënëloke i mbylle sytë dhe nuk më fole,
nuk pate zë më
e vetëm kujtimet, lotët e dhembjen mi fale përgjithmonë.
Njëqind lutje, njëqind thirrje ti thashë, nëna ime,
në asnjërën nuk mu përgjigje,
të thirra, të thirra aty pranë
e ti nuk fole më, nuk pate zë…
Nga duart më ike, zemra ime,
gëzimin ma ktheve në lot e dhembje,
shpejt ike e trete të mos kthehesh më
e në shpirtin tim rëndon plagë e rëndë.
Të vodhi tinëzisht vdekja dinake
para duarve dhe syve të mi,
nuk munda ta ndalë, nënë e dashur,
as unë nuk e di si të mori, nuk e di…
Dhe ende nuk e besoj se nuk të kam
dhe ende nuk e besoj se ke shkuar larg…
do të kthehesh prap…
SYTË E MI DHEMBJE PIKOJNË…
Sytë e mi dhembje pikojnë,
pranë varrit kërkoj
një dritarëz të vogël,
edhe njëherë,
vetëm njëherë të shikoj, nënë
e ta shëroj të mjerën zemër.
Me siguri për ty nuk do të jetë e lehtë
të më shohësh mua
lotët duke më rrjedhë,
po qysh ti ndal unë lotët, dhembjen,
si ta ndal dhembjen,
kur i kujtoj mundimet e rritës sime?!
Qyshkur i mbylle sytë unë qaj përditë
trembshëm zgjohem, jam i paqetë,
duke të kërkuar ty- dashuri e vërtetë –
A thua paska dashuri që të shëron zemrën,
pos asaj të nënës?!
E sytë e mi dhembje pikojnë…
…DHE ZGJOHEM NGA GJUMI
Ëndrroj nënë, nënën ëndërroj,
me portretin e dashur në zemër
ma mbysin lotët gëzimin
Dhe zgjohem nga gjumi
nënën kërkoj,
pështyj ëndrrën që më mashtroi…
Ëndrroj nënë, nënën ëndrroj,
zgjas krahët drejt saj
malli e dashuria më gëzojnë
Dhe zgjohem nga gjumi,
nënën thërras,
pështyj ëndrrën që më mashtron…