| E marte, 12.01.2010, 09:15 PM |
STROFA BIBLIKE
Vangjush Ziko
DJALI PLANGPRISHËS
Me dorën time që më dridhet
Trokas në porta e shtëpisë.
Në gjoksin tim zemra më hidhet
Si zog i lodhur prej stuhisë.
S' kërkoj as bukë dhe as zjarr,
S' kërkoj as thërrime mëshirë.
Kërkoj në djep të shtrihem prapë,
Ta filloj prapë fëmininë.
S'dua ninullë të më këndoni,
As ledhatime delikate.
Shpërgenjtë që do m'i shtrëngoni,
M'i rripni nga lëkur'e shtatit.
Nuk dua qumësht me beberon,
Në shishkë lotët tuaj mblidhni.
Dot dashuria nuk më mbulon,
Mallkimet tuaja përsipër hidhni.
Hidhni çdo gjë që e harrova,
Hidhni çdo gjë që vet' e humba.
Edhe urreva. Dhe dashurova.
Dhe në mëkate u përkunda.
Në vend të kryqit të pagëzimit,
Të larë me ujë të ndritur,
Më vini zemrën tuaj të prindit,
Veç atë zemër të sfilitur.
DYSHIMI I APOSTULLIT
Dyshim' i tij do të vazhdojë.
Akoma pyetje i bën vetes.
Plaga e hapur nga një gozhdë
E sheh me syrin e së vërtetës.
Kryqet e gjyshërve na flasin
Se jeta është veç një ëndërr,
Se vjen një ditë,se vjen çasti
Çdo gjë mbi botë bëhet zhgjëndërr.
Ne mospërfillës e të verbër
Kalojmë buzës së humnerës.
Ne pëshpëritim veç një emër,
Duam të hapim veç një derë.
Përjetësinë ëndërrojmë
Sikur nuk ka mbi tokë vdekje.
Plagët dhe shekujt s'i numërojmë
Që na rëndojnë përmbi vete.
Dhe kur vjen çasti,kur të tjerët
Gërmojnë djepin ton' të ftohtë,
Dhe të vërtetën e Profetit
Na e mbërthejnë ata me gozhdë.
Për ne flet flaka e qiririt
Që ndrit mbi pllakën e mermertë.
Dhe hiri tonë i mosbesimit
Mbetet përjetë në këtë jetë.
GRAZHDI BOTË
Zotynë u lind në këtë grazhd,
Ku hanin tagji kafshët.
U ndez si dritë e si zjarr
Floriri i verdh' i kashtës.
Magët i erdhë me dhurata
Foshnjës Shpëtimtar të Botës.
Përjashta roje bënte nata
Me yll'e zjarrtë përmbi portë.
Bota në ëndërr po shikonte
Parajsën zbritur përmbi dhe'.
Ajo s'e dinte se do ta zbonte
Zotin nga grazhd' i saj me pleh.
Kafshët do ktheheshin të hanin
Kashtën e larë me flori.
Njerëzit mbi sup kryqin do mbanin
Gjer të rilindë Zoti-Njeri.