Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kadri Sherifi: Një perime nga toka ime

| E marte, 12.01.2010, 09:06 PM |


Një perime nga toka ime

Nga Kadri Sherifi

E kam në mendje atë perime
Që del nga gjiri i tokës sime
Në ato rrafshe, në ato shpate
Toka e shqipes rrit mirë patate

Nuk do shirëse, nuk do mulli
Pa mundim, me shumë lehtësi
E kthen tokën në pasuri
Sjell ushqim, sjell pavarësi

Bëhet bukë, e zëvendëson bukën
E mbush tavën, pjatën, lugën
E bën ëmbëlsirën, e bën sallaten
Ja pse e do shqiptari pataten

Kur kjo perime piqet n’oxhak
Kërcet prushi tak, tak, tak
Pomfrit, pure, e zier, e pjekur
Është e lehtë për t’u tretur

Importimin mund ta frenojmë
Tokën e të parëve ta nderojmë
Nëse pataten e kultivojmë
Kombin mbarë e përparojmë

E kam në zemër atë perime
Që del nga gjiri i tokës sime
Në ato rrafshe, në ato shpate
Arbëria ime rrit mirë patate

Kadri Sherifi jeton në Montreal, Kanada. Shkruan sidomos në frëngjisht. Është anëtar i këshillit administrativ të PEN Qendrës së Kebekut (Centre Québécois du PEN International www.penquebec.org )