| E hene, 11.01.2010, 10:55 PM |
Mendime rumune për vlerat shqiptare
Hija e pritjes nën diellin e Dardanisë
(Përkitazi me librin e Ibrahim Berishës, Nën diellin që nuk vdes, që del këto ditë në Bukuresht, nën përkujdesjen e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë)
Nga Marius Chelaru
Me lirikën e Ibrahim Berishës jemi takuar për herë të parë në Ishullin e pavdekësisë (Poezi shqipe nga Kosova, botim i Muzeut të Letërsisë Rumune, Bukuresht, 2005). Lirika e tij na duket si një ?pasqyrë? dardane mbi të cilën ujërat e shpirtit dridhen me stuhinë e dramave ?të imta?, por aq të rëndësishme. Ato tunden duke u përkëdhelur me kujtimet e fëmijërisë, kur një kokërr rrushi e vjedh ?energjinë e diellit? i cili e ?mbush me ngjyrë?. Kjo ngjet në një zonë ku koha rrokulliset si një kokërr ari, atje ku dielli nuk vdes, siç thot, poeti, ku ?Kosova është mbushur me hardhija rrushi/ që piqet/ për ta vjelë dorë e huaj?.
Në poezinë e I. Berishës takohemi me fshatin shqiptar, që duket më i afërt me natyrën, me njerëzit dhe bukuritë e tij. Njerëz, që mund të jenë, për shembull, ?të parëndësishëm?, apo që ?do t?i humbin gurët e kullosës?, apo që enden natën në vreshtë, ?me hije të përkulura? që shëmbëllejnë me ?qenjtë endacakë? dhe ?endacakët e natës? (Në vreshtë). Apo ?e mbushin fshatin? me nusërim fjalësh, ku ?shkëlqen syri i pëshpëritjeve? dhe, para një ditë kremteje, ?i vënë kësulat më të reja?, duke i veshur ?teshat më të reja?. Por edhe në kundërbalansim me atmosferën e zotëruar nga ajri i qytetit ?të ngarkuar e të përgjunjur?. Kështusoj duket fshati, përballë të cilit qëndron qyteti si një kundërpeshë e skalitur me një tushë ngjyrash gjithmonë të pamjaftueshme për definimin e portretit të tij. E këtillë duket shëmbëlltyra autentike e fshatit, e natyrës, e hijeshisë. Shpirti i fshatit është i piktu(ru)ar në nyanca të errëta, si një ?depo e përhirtë?, një vend në të cilin ?fëmijët zvarrisin zinxhirët mbi asfalt?. Shkurtimisht, në një vend në të cilin çdo gjë, madje edhe e tanishmja, ardhmëria dhe qielli, duket se burojnë nga ngjyra e zezë.
Dhe, si një ?antitezë e antitezës?, qyteti mund të jetë dhe tjetërsoj në krahasim me të zezën, atëherë kur shndërrohet në një ?qytet të madh të liqerit.? Disa fjalë rivijnë në vjershat e këtij vëllimi, më shpesh përmes çelësave të ndryshëm, si: e verbët, dritare, fat, kujtim (nganjëherë në asociacion ? kujtojmë vetëm titujt e disa poemave ? Kujtim i verbët, Dritare e verbët, Fat i verbët), apo, mbi një platformë tjetër, Njeriu i verbët flet, por edhe shprehje si: ?udhëtim fati me flatra?, ?fat i zi?, ?kujtim i vogël pa erë?, ?në dritare vërtitet ëndërra e shëmtuar? etj., pas të cilit pasojnë singama si rrushi, dielli, gruaja, koha, trishtimi etj. Koha, për shembull, qoftë ?fajtore shkëlqimtare/ gjithmonë e verbët?, qoftë ?duke u rrokullisur si një kokër ari?, për tepër e shkurtë ?për ofshamë?.
Kam thënë se këtu gjendet lumturia
Ibrahim Berisha
Një tjetër fjalë mbi të cilën rivjen autori, edhepse jo shpesh, por sidomos, gjoja se për diferencimin ndërmjet situatave/ gjendjeve, në poemat e këtij vëllimi, është sintgma ?fëmijët?. Kështusoj, si një formë lufte kundër dëshprimit, ndoshta, ka ardhur koha ?të bëni fëmijë?, por ?të mos shpresoni shumë/ në fundin e heshtjes së thatë.? Apo si një masë e brengave, e shtypjes ? ?fëmijët, valixhe të mbushura?. Madje dhe ?në fshat?, ndërmjet pemëve, fëmijët mund të jenë ?të vetmuar nëpër dhomat e ditës?, apo, diku në afërsi të Kopiliqit, ?fëmijët mbledhin/ zërat e erërave?. Në qytet, ndërkaq, çdo gjë është shtypëse, madje dhe fëimjët ?tërheqin zinxhirët mbi asfalt?. Ata faniten edhe në ëndërra, me një kuptim disi kriptik, ?supet e fëmijëve me tetë emblema?.
Kromatika është e ?temperuar? në mënyrë interesante nga Ibrahim Berisha. Universi i tij poetik reflektohet në ngjyra të çelëta, përmes një konstrukcioni me një drejtëpeshim të dukshëm, në të cilin dielli dhe verdhësia mbështeten mbi platformën e peshës, duke ia kundërbalansuar të zezën qytetit, përmes shfrytëzimit, një farë mënyre, të disa fjalëve si ?trishtim? (?gjithë ditën kanapetë e vlagëta të lulishtes/ kanë rënë/ si një trishtim mbi fytyrë?, ?gjendje e dëshpruar në mjegullën e qartë?), ?kohë? etj. Janë sintagma që krijojnë një gjendje të ekuilibrit të fanitshëm, me një shkëlqim ngjyrash të çelëta: Edhepse paraqiten të ?prekshme?, ato nuk mund ta gulçojnë të zezën, por as zëtërimi i përhirtë nuk mund t?i marrë të gjitha në zotërim. Mund të konstatojmë se fuqia, dëshira, lumturia, vijnë për Ibrahim Berishën nga fshati, nga ?zjarri i vatrës?, siç është edhe titulli i një poemi, një farë çelsi i librit, për të cilin thekson autori: ?Kam thënë se këtu gjendet lumturia?.
Ibrahim Berisha posedon prirje për të krijuar, në shikim të parë, impresionin e pastelistit. Dhe kështu është, në një masë të mirë, duke krijuar përfytyrime të një niveli të lartë: ?në vjeshtën e vonë/ dhembja është më e thellë/ bota çvishet/ oborri ynë mbushet me erëtimë ftonjsh?, apo: kur shiu endet i çveshur natën ?rrugëve të së shkuarës?, ?fëmijët nëpër dhomat e vetmisë së shkuar/ pranë tryezave të mendimit/ pinë përmbajtjen/ nga do pemë të verdha?. Por ndoshta është më mirë të themi se pas shpatullave të ?dekorit? rri ajo pasqyrë? përmes së cilës çdo gjë është e interiorizuar, ?e transformuar?, e dhuruar me një farë mase nga syri i brendshëm.Autori i prekur nga flatrat e frymëzimit, shkruan edhe për dashuri, në hipostaza antitetike. Domethënë, me pritjen, kërkimin, por edhe me hijeshinë e saj: ?isha i verbëti/ i dashurisë së gjatë? dhe ?më gjete si një vetëtimë/ grua/ kur më kape për dore?, ?nuk kam tjetër interes përveç se të të dua?, apo, kur pa dashuri, pa qenjen e dashur, thot autori, ?isha një mal i ndarë/ pa dëshirë/ e dashur/ isha një fushë e ndarë/ dhe një diell i ndarë/ pa dëshirë, e dashur?. Apo, e kundruar me sytë e shpirtit të së dashurës, që e lag shtratin ?me njëmijë pika/ dashurie?. Por edhe e kundruar përnga spektri gri apo madje dhe i zi i jetës, në poezinë Njeriu i verbët flet: ?Mbretëron zi e dashurisë/ e urisë së bukës dhe pështymës së thatë?. Apo, dashuria mund të jetë një joshje ?e pamëshirshme përjetë? që të robëron.
Duke ripërkujtuar angazhimin e autorit lidhur me mbarëvajtjen e jetës në rajonin e tij, poema Vreshtat e Kosovës, duke qenë e shkruar para vitit të pavarësisë (2008), reflekton të vërtetën se në këtë zonë të bekuar ?hardhia është plot kodër që piqet/ për ta vjelë dorë e huaj.? Kjo, pra, në opozitë me fshatin, me vendet tejmatanë qytetit, ku ?kodra është plot rrush që piqet?, dhe ?energjia e diellit? e mbush me ngjyrë. Kështu mund të duket një pjesë nga vellot e poezisë së Ibrahim Berishës, i cili nuk e kërkon artificialen, as eksperimentin e konstrukcionit/ diskursit, por, me të gjitha këto, duke ia shpaluar vellon, lexuesi mund të zbulojë vlera lirike dhe kuptime të veçanta. Një vëllim që i ofron lexuesit rumun rastin e takimit me një poet tjetër interesant nga Kosova, në përkthim të Baki Ymerit i cili përmes rikëndimit të tij na ofron një lekturim të këndshëm.