| E hene, 11.01.2010, 09:48 PM |
Nga Fatos Mahmutaj, Panorama
Avokati Përparim Rama, një nga mbrojtësit e shkrimtarit Ismail Kadare, i akuzuar dhe i paditur nga pedagogu Hysamedin Feraj, pohon se e priste pafajësinë për klientin e tij, duke argumentuar se ndaj shkrimtarit të shquar ishin ngritur dy padi abuzive, një penale dhe një civile me të njëjtin objekt. Sipas tij Kadare kishte përfunduar në gjykatë për një opinion të vetin. Avokati, i bindur për pafajësinë e klientit të tij, sapo ishte njohur me materialet e dosjes ka vendosur ta mbrojë atë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, nëse do të jetë e nevojshme.
Avokat, ndaj shkrimtarit të shquar Ismail Kadare u zhvillua një proces gjyqësor penal i zgjatur, ku ai akuzohej për shpifje. Ju si mbrojtësi i tij, si e vlerësoni procesin dhe vendimin e gjykatës?
Nuk janë zhvilluar shumë seanca gjyqësore, pasi gjyqi u shty për arsye subjektive, herë mungonte prokurori e herë palët akuzuese e të akuzuara. Duke pasur parasysh edhe ngarkesën e punës së gjyqtarëve, mendoj se procesi pati nje zgjatje normale dhe u zhvillua brenda një afati të arsyeshëm. Unë vlerësoj mënyrën se si Gjykata e gjykoi këtë çështje dhe po ashtu vlerësoj vendimin e drejtë, që ajo shpalli në përfundim të gjykimit, megjithëse isha absolutisht i bindur se zoti Ismail Kadare do të shpallej i pafajshëm. Në lidhje me këtë, jo vetëm ne, dy mbrojtësit e Kadaresë që u shprehëm për pafajësinë, por edhe vetë prokurori i çështjes, si përfaqësues i organit të akuzës u shpreh për pafajësinë e shkrimtarit të nderuar. Nuk ka fare elementë të shpifjes në shkrimin e Kadaresë, por është një nga sulmet abuzive në vazhdimësi që i bëhen zotit Kadare, si personalitet i madh. Gjyqtari i çështjes i dha kohë palës paditëse, zotit Hysamedin Feraj që të shprehej dhe të paraqiste në proces të gjithë provat dhe pretendimet e veta. Dhe në përfundim të procesit, nuk u arrit që të vërtetohej fajësia e klientit tonë.
Gjatë procesit u vu re mungesa e të akuzuarit dhe të të paditurit njëkohësisht, Ismail Kadare, si e shpjegoni këtë mungesë interesi nga ana e tij?
Zoti Kadare ishte në gjyq. Ai përfaqësohej në proces nga dy mbrojtësit e tij, av. Vangjel Kosta dhe unë, që ishim të pajisur me prokurë. Akuza ndaj tij nuk ishte reale. Ajo ishte false, abuzive dhe për më tepër edhe vetë paditësi, i dëmtuar-akuzues, mendoj se e dinte mirë që nuk kishte elementë të veprës penale, megjithatë ai e ngriti padinë për probleme që i di vetë ai. Me thënë të drejtën edhe vetë shkrimtari i nderuar nuk kishte dëshirë të merrte pjesë në gjyq. Atë e bezdiste fakti që po gjykohej për një akuzë të pabazë, pavarësisht faktit se kjo akuzë në vetvete nuk përmbante asnjë element të veprës penale të pretenduar nga Feraj.
Zoti avokat, pse pretendoni që nuk kishte vepër penale? Është fakt që Kadare në botimin e vet i ka veshur Ferajt një fjalë që ky realisht nuk e ka shprehur?
Paditësi ka botuar një libër. Ky libër cenon figurën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, ndërsa Kadare ka dhënë thjesht opinionin e tij për këtë botim. Akuzuesi dhe njëkohësisht paditësi Hysamedin Feraj, në padinë civile pretendon se i padituri Kadare e ka ekspozuar padrejtësisht në opinionin e brendshëm dhe të jashtëm shoqëror si mohues dhe denigrues të figurës së Skënderbeut dhe rrjedhimisht si antishqiptar. Në fakt akuzuesi është paraqitur vetë si i tillë. Ai ka botuar një shkrim që ka nxitur shumë polemika në opinion. Ai pretendon të jetë i lirë të shprehë opinionin e tij, ndërkohë që për të tjerët nuk mendon kështu. Në internet, autorë të tjerë kanë folur me një gjuhë shumë të ashpër dhe në disa raste edhe fyese për autorin Feraj, por ndaj tyre nuk ka pasur asnjë reagim nga paditësi.
Meqenëse më jepet rasti, dua të them dy fjalë jo vetëm si avokat, por dhe si qytetar i këtij vendi. Mua më bën përshtypje fakti se si është e mundur që njerëz të tillë, si paditësi mbahen pedagogë në Universitetin Publik Shtetëror, ku ai madje edhe mbron disertacionin, duke cenuar figurat tona kombëtare. Personalisht nuk do të pranoja kurrë që fëmijët e mi të merrnin leksione nga ky pedagog. Nga ana tjetër, libri “Skicë e mendimit politik shqiptar”, në të cilin është përfshirë dhe shkrimi për Skënderbeun, përmban dhe shkrime të tjerë që dhe ato cenojnë figura të tjera të rëndësishme të vendit tonë, nxisin urrejtjen fetare etj. Megjithëse unë jam një përkrahës i fjalës së lirë, në këtë rast dyshoj se ky autor abuzon me këtë të drejtë. Ndoshta dëmtimi i interesave kombëtare dhe nxitja e përçarjes fetare përbëjnë vepër penale, por nuk dua që në këtë intervistë të zgjatem me tej në këtë pikë sepse nuk dua të komentohem si kërcënues ndaj z. Feraj.
Padia ndaj Kadaresë në vetvete është e turpshme dhe unë nuk e di për ç’qëllime është bërë. Padia është aq abuzive saqë Feraj në padinë e tij civile kërkonte dëmshpërblim 50 mijë euro. Kadare ka përdorur fjalën “antishqiptari Skënderbe”. Në fakt Feraj nuk e ka thënë këtë shprehimisht kështu, por ai e ka quajtur heroin tonë më tepër se kaq. Ai e ka quajtur vrasës të shqiptarëve myslimanë, shërbëtor të Bizantit, pengesë për përparimin e shqiptarëve etj. Pikërisht nga kjo është nisur Kadare për të dhënë opinionin e tij. Fjala antishqiptar për Skënderbeun, ndoshta nuk është thënë direkt në gojën e paditësit, por nga fillimi në fund të shkrimit të tij për heroin tonë kombëtar, këtë ka nënkuptuar ky autor. Zoti Kadare jo vetëm si shkrimtar, por dhe si një publicist i shquar i këtij vendi, mendoj se thjesht ka bërë detyrën e tij, madje do të ishte indiferencë e pakuptueshme, fakti nëse Zoti Kadare nuk do të prononcohej në mbrojtje të figurës së heroit tonë kombëtar.
Nëse vendimi i pafajësisë së Kadaresë do apelohet në Shkallë të Dytë, ju do vazhdoni mbrojtjen e tij?
Pse jo?! Unë e falënderoj zotin Kadare që më ka zgjedhur të jem një nga përfaqësuesit e tij ligjorë.