Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Aktuale sot e kësaj dite lidhur me vrasjet e atdhetarëve tanë nga kriminelët e stalinizmit shqiptar

| E diele, 10.01.2010, 06:55 PM |


Kolonel Ahmet Krasniqi, viktimë e terrorit komunist
Kolonel Ahmet Krasniqi, viktimë e terrorit komunist
AKTUALE SOT E KËSAJ DITE LIDHUR ME VRASJEN E ATDHETARËVE TANË NGA KRIMINELËT E STALINIZMIT SHQIPTAR (Dokumentim historik)
 
Kush jane vrasësit?

--------------------------------------------------------------------------------

Ne kete teme qe po hap deshiroj te hedhim ketu gjithcka qe dime per vrasjet qe kane ndodhur kto vite ne Sjhqiperi e Kosove. Ju ftoj me cka dini te pasurojme kte faqe te zeze te historise tone..Le te jete si nje KUJTESE per te ardhmen, si nje respekt per te vraret dhe si nje AKUZE per kriminelet..Po filloj me opnionet qe po cfaqin keto dite njerez atdhetare me rastin e vrasjes se Tahir Zemajt.
------------------

Shkruan Besim KRASNIQI (2003)


PO VRASIN ATA QË E MBAJNË VULËN E KRIMIT...
PSE PO NA VRASIN, ATA QË DUAN TË NA VRASIN?

8 janar 2003.

Njerëz të zhveshur nga çdo lloj karakteri njerëzor, të mbushur me plot urrejtje ideologjike ndaj progresit të Kosovës, ndaj mirëqenies sonë të përgjithshme, ndaj çdo individi apo grupimi politik i cili është shprehur kundër monizmit, kundër ideologjisë së tejkaluar enveriste, janë ngritur në këmbë dhe po i mprehin dhëmbët e tyre për të na kafshuar tinzërisht e në pabesi. Këto vrasje politike në Kosovën e pasluftës nuk mund të konsiderohen ndryshe veçse si tradhti e hapur ndaj idealeve të të rënëve për lirinë e Kosovës, si tradhti e hapur ndaj idealeve të dëshmorëve për Pavarësinë e Kosovës, por edhe si tradhti e hapur ndaj vullnetit të lirë të popullit shqiptar të Kosovës. Për ata të cilët i përkrahin qeniet që janë puthur zyrtarisht me shovenizmin serbian, ata që komunizmi shqiptaro-greko-rus ua ka hequr arsyen njerëzore, për këta njerëz që mund t'i quash edhe bisha të egra, nuk ishte i mirë Komandant Ahmet Krasniqi, nuk ishte i mirë as Komandant "Drini", nuk ishte i mirë as Komandant - Parlamentari Smajl Hajdaraj, nuk ishin të mirë as intelektualët e rrallë si Xhemajl Mustafa e Enver Maloku, nuk ishin ushtarë të dalluar të UÇK-së Bekim Kastrati, Besim Dajaku e Adem Zekaj?!?! Sa ka vend këtu për patriotizëm e atdhetarizëm?

A janë të vetëdijshme këto krijesa të errëta se çfarë dëmi janë duke i bërë popullit shqiptar të Kosovës, sidomos në këto rrethana aq të vështira politike për Kosovën, kur nga ne kërkohen standarde mbi standarde, që nuk janë parë e as dëgjuar ndonjëherë në ndonjë shtet tjetër në krijim e sipër!? A janë të vetëdijshme këto krijesa amorfe se me këto vrasje politike ato bëhen mbrojtëse të drejëpërdrejta të interesave serbosllave, dhe me këtë njëkohësisht po bëhen krah i fortë i Serbisë në rikthimin e saj në Kosovë? Këtu edhe qëndron uniteti i vrasësve kriminelë me pretendimet e Serbisë fashiste ndaj Kosovës dhe popullit të saj!

Pse po na vrasin kur të duan, ata që duan të na vrasin? A mos ndoshta sepse jemi të mjerë? Apo sepse kemi shumë fjalë e pak punë? Sepse nuk jemi të bashkuar sa duhet? Sepse nuk dijmë të (vetë)organizohemi? Nëse janë këto arsyet që të na vrasin kur të duan, atëherë zhgënjimi dhe mllefi ynë nuk do të ketë kufinjë. Ç'është kjo heshtje e intelektualëve të Kosovës? Ç'është kjo heshtje e subjekteve politike që e kanë besimin e popullit të Kosovës? Ç'është kjo heshtje e shoqërisë sonë ndaj krimit të organizuar politik? Pse ky dështim i shoqërisë sonë demokratike para kaosit politik, para krimeve politike, para të keqes së përgjithshme? Ku janë intelektualët, akademikët profesorët, shkrimtarët, gazetarët që iu ka humbur zëri? A e vlen të jetohet gjithmonë me frikë? A e vlen gjithmonë të jetohet në mënyrë servile?

Cila lëvizje politike në Kosovë ishte ajo që i bashkoi interesat politike të shqiptarëve? Dihet mirëfilli nga të gjithë se ishte dhe vazhdon të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës! Cili është lideri shpirtëror që u sakrifikua dhe po sakrifikohet për një të ardhme të pavarur të shqiptarëve të Kosovës? Padyshim se është Presidenti i Kosovës dr.Ibrahim Rugova. Prandaj, pse të kemi frikë të shprehim mendimet tona publikisht dhe ta shkruajmë historinë ashtu siç ka qenë? Vetëm pse na vrasin pas shpine?! Vetëm pse dikujt për inate bajraktariste i teket ta quaj tjetrin "tradhtar"?! Këto sfida të rënda duhet tejkaluar kolektivisht, pavarësisht çmimit që duhet paguar, përndryshe Liria në Kosovë nuk do të ketë kuptim dhe Demokracia do ta humb kuptimin e vërtetë të saj.

Kosova dhe populli shqiptar nuk kanë nevojë për një "vis major" siç ishte për shumë vite Serbia, por as për diktatet e atyre që ia kanë shitur shpirtin enverizmit dhe nanoizmit sllavo-ortodoks, e aq më pak tani kur populli shqiptar i Kosovës sakrifikoi çdo gjë për t'u çliruar nga robëria serbosllave dhe ka arritur që falë urtësisë së tij të krijojë miq e aleatë të çështjes së Kosovës. Derisa rrugëve të Kosovës ecin lirisht figurat monstruoze, që po ia zënë frymën çdo entuziazmi, çdo gëzimi, çdo suksesi e çdo përparimi në të gjitha sferat e jetës, Kosova do të lëngojë edhe për një kohë të gjatë nën presionin e kriminelëve ekstremistë, të cilëve iu ka zgjatur jeta vetëm për shkak të mosefikasitetit tonë si dhe për shkak të neglizhencës së tepruar të organeve të sigurisë ndërkombëtare dhe atyre të vendit.

-------------------------------------------------------------------

Tahir, Enis e Hasan Zemaj sot u varrosën me nderime të larta para dhjeta mijëra qytetrarëve të Kosovës

Strellc/Deçan, 8 janar 2003 - Me pjesëmarrjen e dhjetra mijëra qytetarëve nga mbarë Kosova, zyrtarëve të lartë të LDK-së, disa ministrave e kryetarëve të komunave, si dhe të familjeve të të ndjerëve, sot në Strellc të Epërm të Deçanit u zhvillua ceremonia mortore e varrimit të kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit, kushëririt Hasan Zemajt, kryetari i degës së Forumit të Rinisë së LDK-së në Deçan.

Sot fshati i lindjes së Tahirit e Hasanit, qyteti i Deçanit me rrethinë, ishte i pikëlluar si kurdoherë më parë. Rrugët që çonin në këto anë ishin të mbushura me njerëz nga të gjitha viset e Kosovës, të cilët kishin ardhur për t'i dhënë lamtumirën e fundit bijve të dalluar të kësaj ane - ushtarakut e lufëtarit të lirisë Tahir Zemajt dhe veprimtarit politik dhe luftërarit Hasan Zemajt.

Ndërkohë që në orët e paradites në fshatin Strellc janë bërë homazhe për të ndjerët, duke parakaluar para arkivoleve të tryre me mijëra qytetarë për t'u dhënë nderimet e fundit.

Poashtu në selinë e degës së LDK-së në Deçan është mbajtur një mbledhje përkujtimore kushtuar Tahir, Enis e Hasan Zemajt, në të cilën funksionarët lokalë të LDK-së kanë folur për veprimtarinë ushtarake e politike të Tahir e Hasan Zemajt.

Në këtë mbledhje folësit kanë dënuar ashpër vrasjen e trefishtë në Pejë dhe e kanë quajtur me motive me politike, të drejtuar kundër përparimit, ardhmërisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Në binën e improvizuar ishin radhitur tri arkivolet e pranë tyre fotografitë e të vrarëve, ushtarët e dikurshëm të brigadës "Mërgimi" të rreshtuar dhe flamuri i brigadës 134. Në lëndinën e madhe, që shtrihej në të dalë të fshatit Strellc kishin ardhur me dhjeta mijëra njerëz për t'u dhënë lamtumirën e fundit kolonel Tahir Zemajt, djalit të tij Enisit dhe kushëririt Hasan Zemajt.

I pari foli Agim Mehmeti, ish-zëvendësministër i Mbrojtes i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Mehmeti mallkoi kriminelët dhe madhëroi figurën e kolonel Tahir Zemajt si një strateg i artit ushtarak e si një burrë i madh të Kosovës. Kriminelë janë ata që kanë vrarë kolonel Tahir Zemajn, tha ai.

Ata që vranë Tahir Zemajn janë frikacakë të natës sepse ditën nuk ua mbante që të ballafaqoheshin me kolonelin, tha Agim Mehmeti Shumë nga pjesëmarrësit e luftës që ishin nga radhët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe figura të ndritura politike, u shanë, u maltretuan, u vranë...

Me këto ngjarje po ndrydhet egoja e popullit, shpresa për një të ardhme më të mirë. Por pjesa dërmuese e popullit me të drejtë pyet deri kur më kështu?, tha Mehemti.

Anëtari i Kryesisë qendrore të LDK-së Nimon Alimusaj, pasi dënoi këtë vrasje, kërkoi që autorët të nxirren para organeve të drejtësisë. Ai tha se vrasjet e këtilla dëmtojnë arritjet në Kosovë. "Kjo vrasje si dhe të gjitha ato që u bënë më parë është jo rast por dukuri. Është një dukuri të cilën nuk mund ta kualifikojmë ndryshe veçse terror kundër lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës", nënvizoi Alimusaj.

Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK-së Lulzim Zeneli në fjalën e tij theksoi se ata që vranë Tahirin, Enisin dhe Hasanin kanë bërë një akt terrori kundër vlerave të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Ata që kanë qëlluar mbi ta kanë tentuar ta vrasin ardhmërinë e Kosovës, kanë provuar ta largojnë gëzimin nga fytyrat e fëmijëve, kanë synuar dhe janë përpjekur që të fshijnë çdo gjurmë të të arriturës në Kosovë, tha z.Zeneli dhe theksoi se "ata kanë dashur që Kosovën ta paraqesin para nesh dhe botës si vend i krimit dhe terrorit".

Ndërkaq duke folur për figurën e kryetarit të FR të LDK-së në Deçan, Zeneli tha se "Hasani dallohej si njeri i urtë, i ditur, luftëtar i lirisë, lider i të rinjve në komunën e Deçanit për dy mandate me radhë, udhëheqës i Shtabit zgjedhor në zgjedhjet e fundit, dhe anëtar i Kryesisë së LDK-së në Deçan".

Poashtu ai theksoi "Hasani ishte i afërt me të gjithë, nje njeri që shquhej me kreativitet të pashoq. Hasani Zemaj ashtu siç ishe besnik ashtu edhe mbeti deri në ditën e fundit të jetës, Hasani besonte në Kosovën e pasluftes, në Kosovën e lirë".

"Hasan Zemaj është i riu i parë që u bëri thirrje të rinjve të LDK-së, strukurave të FF të LDK-së që të rreshtohen në radhët e UÇK-së. Kështu e kemi njohur Hasan Zemajn, njeriun që la pas vetes një një aktiviteti dhe veprimtari të pasur atdhetare", tha Zeneli.

Njerëzit si Hasani janë kalitur për më shumë se një dekadë për të gjitha peripetitë e mundshme, kanë mbijetuar beteja të shumta në luftë, kanë punuar pa ndalur për jetësimin e vizionit të tyre në paqe, kanë mbijetuar atentate, kërcënime të shumta", tha mes tjerash Lulzim Zeneli.

Në këtë ceremoni mortore foli edhe akademik Mark Krasniqi, i cili tha se "Tahir Zemaj më ka thënë disa herë: 'unë nuk kam plumba për shqiptarë, unë kam plumba vetëm për armikun, Serbinë", tha akademik Krasniqi. "Edhe komandantët e luftës mund të vriten në paqe e në liri, por jo edhe ushtria.

Kolonel Tahir Zemaj është vrarë por nuk do të vritet kurrë ushtria e tij, ushtria e Kosovës. Nuk do të vritet kurrë as e ardhmja, liria dhe pavarësia e Kosovës", tha në mijëra shqiptarëve të mbledhur në Strellc të Deçanit akademik Mark Krasniqi.

Shpend Shala, oficer dhe bashkëluftëtar i Tahir Zemajt, tha:
"Ata që të vranë ty birin tënd dhe kushëririn, ata e vranë edhe personalitetet e tjera para teje ata janë trashëgimtarë të bandave të Vlorës.

Ata gjetën strehim qysh në kohën e luftës në Drenicë dhe Dukagjin ata janë banda që e bënë shkrumb e hi Shqipërinë; ata iu vërsulën Kosovën si qentë e tërbuar... ata janë rebelë që masakruan ushtarët e brigadës Mërgimi; ata janë dora e ligë që duan ta gllabërojnë Kosovën...".

Pas fjalëve mortore, ushtarët e brigadës "Mërgimi" me arkivole në duar morën rrugën drejt varreve të reja të Strellcit e të Kosovës.


Prapa arkivoleve, vajza e vogël e Tahair Zemajt, Florentina, ishte e fortë dhe kreshnike sepse vetëm ajo nuk derdhte lot dhe vetëm ajo e thirrte me zë kolonel Tahirin: 'Babi ku je babi! Dua të shkoj te babi! Unë e dua babin!"

Në këtë tubim mortor edhe Halil Geci, Hafiz Gagica etj. Trupat e të ndjerëve i lëshuan në varr bashkëluftëtarët e kolonel Zemës.


-----------------------------------

Sa herë duhet të vritet liria e Kosovës

8 janar 2003 / Shkruan: Mevlyde SARAÇI / QIK - Opinione

E shtuna e parë e vitit të Ri ma ndali frymën. Në pritje të dritave isha strukurë si hije prapa një drite të qiririt duke u munduar me ato syzet e leximit të lexoja një poezi që kisha shkruar kohë më parë. Heshtja ishte bërë mbretëreshë në dhomën time.

Gjysmë ore para orarit të caktuar papritmas erdhën dritat dhe sigla e ditarit të mbrëmjes së RTK- së e theu këtë heshtje të tmerrshme.

...U vra ish komandanti i UÇK- së Tahir Zema me të birin Enisin 20 vjeçar dhe Hasan Zema, kryetar i Forumit rinor të degës së LDK-së në Deçan, në një pritë në Pejë...

O Zot e paskan vrarë kolonelin, bërtita me sa zë që pata !

E trembur sillesha nëpër dhomë duke mos dashur ta besoja këtë lajm kaq të hidhur.

Dhe vërtet nuk kisha arësye edhe të besoja një gjë të tillë pikërisht në kohën kur duhej të përvjelim edhe më mëngët që ta bëjmë pavarësinë realitet.

Më del para sysh fytyra e ushtarakut të spikatur, buzëqeshja e Hasanit, i cili ishte plotë vullnet për punë e jetë, e mendoja Enisin e ri, edhepse nuk e kisha parë ndonjëherë më parë dhe e lusja Zotin që të më ruante mendjen ...

Më kujtohej dita kur erdhi koloneli Tahir Zema në Gjakovë dhe i pata thënë :

Zotëri kolonel, sot Gjakova është gëzuar për vizitën tuaj si ditën e lirisë së Kosovës, si ditën kur qindra djem u liruan nga burgu, sepse ju kishit bërë gjithë atë rrezistencë për ta jetësuar lirinë e Kosovës. Krenohemi me ty dhe bashkëluftëtarët tuaj...

Mbase kjo nuk ishte pëlqyer nga të gjithë njerëzit njësoj, të cilët e komentuan në mënyra të ndryshme.
Dhe tani mendja më turbullohet dhe të gjitha më dalin para sysh...

Kush e bëri këtë vrasje të trefishtë ? Kush e bëri këtë krim kaq të organizuar ?

Pse gjithnjë mungojnë faktet kur vriten burrat e mëdhenj ? Ku tretën dëshmitarët ? Ku mbetën gjurmët e krimit ?

Përse, përse duhet të ndodhin këto krime në këtë tokë mjaft të përgjakur !

Sikur ... sikur ... sikur ... mundohem të gjej arësye që ata të mos vriteshin.

Po pse a mos varej tani diçka nga unë që gati po humbja torruan.

Për një çast më renditen të gjithë ata që u vranë dhe figurat e tyre më bëhen si një shirit filmi ku ta dijë sa i gjatë dhe sërish më këthehen para sysh për t'më këthyer shumë shpejt kujtesën time të ndrydhur dhe për t'i lidhur këto ngjarje dhe krime me një emër.

Dhe të gjithë ata që kanë zemër, mish e gjak njeriu duhet ta dënojnë këtë akt makabër, të kërkojnë zbulimin e kriminelëve, të kërkojnë dënimin e merituar për ta, të kërkojnë ideatorët dhe gjurmët e krimit, të kërkojnë drejtësinë për drejtësinë...

Sa të varfër mbetëm përjetësisht vetëm nga një çast i tmerrshëm.

Sa e varfër Kosova pa kolonelin dhe luftëtarin, pa Enisin që i kishte futur tmerrin në palcë kriminelëve.
Dhe ne nënat që dhamë gjithë mundin e djersën për një ditë të bardhë akoma duhet të përbijmë dhembje sa bjeshka...

Deri kur ? Kush e ka rradhën ? Stop dhunës? Të zbulohen kriminelët ?

Këtë pyete ia kisha bërë vehtes ditën e varrimit të kryetarit të komunës së Therandës, Ukë Bytyqit, kur e shoqja e tij Kimetja në fjalën e vet para arkivolit të të shoqit uroi që vrasja e Ukës të jetë e fundit .

Dhe kjo nuk ndodhi për fat të keq. Përkundrazi të gjithë ata që u vranë sikur po i përpin toka. Në pikë të ditës e pa gjurmë ?

Vërtet gjurmët duhet ti hulumtojmë të gjithë së bashku se Kosova nuk na duhet pa shqiptarë.
E nëse jo atëherë kush po i vret dhe pse po i vret.

Kosova na duhet vetëm me të vërtetën.

E pse atëherë gjithë kjo misterie ?

Ku ngeli e vërteta. Po e cilit do të duhej të jetë më shumë se e tjetrit hisja e Kosovës ?

Po kush është pronar i jetërave tona ? A duhet të jemi pre e krimit të organizuar ?

Prej kujt duhet të ruhemi tani kur duhet ti ruajmë e mbrojmë vlerat ?

Kosova do të ecë në rrugën e vet të pavarësisë, por e gjymtuar pa kuadrot dhe intelektualët e vërtetë që do t'i mungojnë në çdo çast e që u kriminalizuan në pikë të ditës rrugëve të Kosovës ?

Dikush do të duhej ta paguaj gjithë këtë tmerr. Mallkuar qofshin ata që i frymëzuan, ushqyen dhe i ushtruan krimet mbi njerëzit e pafajshëm, mbi figurat që i dhanë emër lirisë, mbi kolosët e kombit .

Dhe ne me peshën e dhembjes do të ecim me ngulm që t'u çjerrim maskat atyre që duan t'ia verbërojnë sytë fëmijëve tanë, atyre që duan gjithëherë ta mbajnë peng lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, atyre që do duhet të përfundojnë aty ku e kanë vendin .

Kur mos u përsëritsh o kob i zi që erdhe si rrufeja dhe godite zemrat tona.

Dhe ti o kolonel me tët bir dhe nipin do të jetoni sa jetërat e jetërave dhe veprat tuaja do të na frymëzojnë në çdo çast edhepse kurrë nuk do të besojmë se keni ikur në lartësi.

Kosova nënë do ta përballojë edhe këtë dhembje kaq të madhe në emër të lirisë e pavarësisë.

(autorja është deputete në Parlamentin e Kosovës)


--------------------------------------------

In memoriam

Krimet s’mbulohen me krime

Sefedin KRASNIQI

Kush merret sado pak me shkrime, e di sa vështirë është të qiten në letër kujtimet e një gëzimi. Edhe më vështirë të një dasme. E si të shkruhen atëherë kujtimet, për një njeri, pas vdekjes tij nga një vrasje mizore? Si të shkruhen kujtimet për një njeri që e ke njohur ndryshe nga ata që për katër vjet rresht përgaditen publikun për vrasjen e tij. Për vrasjen e madhe me breshëri plumbash, të kalibrit të madh. Çdo vrasje është krim, por kur ajo lajmërohet e proklamohet me vite të tëra e trash krimin. Bëhet edhe më tragjike kur tentohet të mbulohen krimet me krime, për të cilat drejtësia e ka thënë fjalën e vet. Vrasjes me atentat kundër komandantit Tahir Zemaj, të datës 04 janar 2003, i kanë parapri edhe disa tentimatentate tjera.

Ato nisën ditën kur komandanti u betua para flamurit kombëtar se do të luftojë për çlirimin e Kosovës nga ushtria e Millosheviqit. Kur e goditën kriminelët në gushtin e vitit 2002, pasi nuk qëllova në Kosovë, i telefonova për t’ia lehtësuar dhimbjet e plagëve, për aq sa mund të lehtësohen dhimbjet me fjalë. Pas disa dite u takuam në Prishtinë. Takimi qe i shkurtër. Megjithatë, nuk u durova pa i thënë; komandant ti ke bër shumë për çlirimin e Kosovës, edhe në liri po bënë shumë për mundjen e frikës, por po merrte pak. Shumë pak ! Sepse, edhe atë ditë kishte qenë vetëm me Hasan Zemajn dhe me një person tjetër që emri tash nuk më kujtohet. Jo, me të birin Enisin nuk ishte. Me të mbaruar këto fjalë, u përshëndetëm. Sikur t’a kisha ditur që ky do të jetë takimi jonë i fundit do të hallashtisesha duke i thënë të m’i bëj t’fala Bacës Ahmet. T’i thotë që e kam kuptuar se, « rruga për liri qenka e gjatë dhe krejt labirint ».

Si u njoha me komandant Tahir Zemajn ?

Gjatë Luftës për çlirimin e Kosovës të viteve 1998/99, sidomos pas mbarimit të saj, nuk kam besuar se shumë lidhje të vjetra mes miqësh do të shkëputen aq rrëmbyeshëm, e shumë të tjera do të lindin.
Me Komandantin Tahir Zemajn gjatë luftës kemi komunikuar indirekt. Fati e deshti të takohemi dhe të njihemi më mirë pas mbarimit të saj. Këtë takim e kam pritur me kurreshtje të madhe. Për komandantin, tashmë, kishin shkruar në mënyrë shumë denigruese gazeta e agjensi të ndryshme lajmesh, që për redaktorë e gazetarë kanë enveristët më të regjur dhe më të pamshirshëm të Kosovës. Të tjerë gazetarë e gazeta kishin shkruar ndryshe, për trimëritë e tij prej komandanti e çlirimtari. Imazhin e vërtetë për komandant Zemajn i krijova kur ish-ministrin i Mbrojtjes, Ahmet Krasniqin, e dëgjoja se si fliste me pietet të lartë për te, për hyrjen e tij në luftë, për profesionalizmin e tij në mbrojtjen e Llukës, për udhëhëqjen e Betejes së Loxhës, për kazermen e Prapaçanit. Shkurt për trimëritë që kishte treguar në Rrafshin e Dukagjinit duke luftuar kriminelët e Millosheviqit.
Çdo gjë do të përfundonte këtu, sikur komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Tahir Zemaj, pas luftës t’a kishte mbyllur gojën për t’i lënë gjakhumbur ushtarët që ia kishin vrarë, siç thoshte ai, me tradhëti pas shpine. Sikur t’i kishte lënë në harresë dëshmorët e Betejës së Loxhës. Sikur të mos i kishte ndie në shpirt vuajtjet e ushtarëve të brigadës „Mërgimi“. Sikur t’a kishte sharë eprorin e tij Ahmet Krasniqin, ashtu siç kanë bërë të tjerë për një leckë, për një gojë bukë. Por, ja që komandanti foli dhe tha të kundërtën. Denoncoi krimin në shumë intervista dhe në dy librat e tij të titulluara, "Kështu foli Tahir Zemaj", vëllimi I dhe II.
Komandant Zemaj ka lënë pra dy libra, deshmitë e të cilave do t’a mundin heshtjen e dhunshme, e cila një ditë mund t’a pllakosë Kosovën që terrori i kuq enverist po mundohet t’ia përgadis. Rrëfimet e tij për luftën nuk janë përralla fantastike. Janë rrëfime të veçanta, të përjetuar fizikisht e shpirtërisht. Kur them shpirtërisht, më kujtohen emocionet e komandantit kur fliste për ushtarët dhe eprorët të rënë dëshmorë, apo për dredhitë dhe kërcënimet, që përveç luftës me serbët, i kishin ardhur nga taborri i atyre, të cilët pretendonin se kishin vulën për çlirimin e Kosovës. Të gjitha i ka thënë në mënyrë kronologjike dhe perfekte siç i ka hije një komandanti. Ai i ka vënë vulën mrojtjes së Llukës, Betejës së Loxhes, shpëtimit të 60000 civilëve në Rrafshin e Dukagjinit. Jam thellësisht i bindur se sa herë të flitet për këto beteja e të mos përmendet emri i komandantit Tahir Zemajt, është njësoj sikur të thuhet: Zot ka, por Zotit s’i besoj. Pra, ja pse e vranë komandant Tahir Zemajn! Për t’ia vjedhur famën e çlirimtarit. E vranë për t’ia mbyllur gojën, por le t’a dinë se i kanë hapur njëqind gojë tjera.

Historia e Brigadës "Mërgimi"

Shumë tronditëse është historia e dhimbshme e Brigadës “Mërgimi”. Lufta sjell humbje dhe tragjedi. Kur ato t’i shkakton armiku përballohen më lehtë. Por kur t’i kurdisin ata që ua ke shpëtuar jetën, siç ka dëshmuar komandant Tahir Zemaj, ajo është tragjedi e veçantë. Dihet botërisht se brigada “Mergimi” ishte më e përgaditura: si me ushtarë edhe me teknikë luftarake e moderne. Për herë të parë para gjithë botës, me proçesverbal të nënshkruar, komandant Zemaj ka dëshmuar për armatimin që ka disponuar ajo brigadë dhe çfarë ndodhi me atë armatim. Veç kësaj, një zot e di sa lexues janë neveritur kur kanë lexuar se si forcat shqiptare të Shqipërisë së Fatos Nanos e kishin rrethuar Brigadën “Mërgimi” të UÇK-ës për t’a çarmatosur, për t’a poshtruar. Por kjo nuk është e tëra! Fatin tragjik që ka pësuar kjo brigadë gjatë rrugëtimit nëpër Shqipëri, sidomos pas hyrjes së saj në Kosovë, është shumë trishtues.

Një skenë të ngjajshme trishtuese, siç e ka përshkruar edhe komandanti Zemaj, e kam parë me sytë e mi në Pejë, në afërsi të ish-shtëpisë së mallrave. Kjo ka ndodhur vetëm pak ditë pasi kanë hyrë forcat e NATO-s në Kosovë. Nga një kamion i ndalur në rrugën kryesore, në pikë të ditës, zbritnin ushtarë me shenjën e UÇK-ës në ballë, të cilët shaheshin, çarmatoseshin dhe maltretoheshin, nga ushtarë po të UÇK-ës. Të dy palët flisnin shqip. Çfarë tmerri! Duke parë këtë skenë makabre, nuk munda pa e pyetur një njeri, ç’po ndodhte? Pasi rrudhi krihtë më tha: "Kanë ardhur ata të Drenicës, e po i çarmatosin tradhëtarët e Kosharës".
Më vonë e kuptova realitetin; as nuk ishte UÇK e Drenicës që maltretonte e as ushtarët e maltretuar nuk ishin të Koshares. Kuptova se lufta po hynte në drejtimin prej ku kthim prapa s’ka, pa vrasje politike për pushtet. Dhe vrasjet vazhduan, herë me ritëm më të shpejtë, herë më të ngadalshëm, herë vritej një e herë më shumë veta, herë komandantë të UÇK-së herë politikanë, por gjithmonë sipas listave të zeza, të përgaditura gjatë luftës. Edhe komandantin Tahir Zemaj, të birin e tij Enisin dhe kusheririn, kryetarin e FR të LDK-së së Deçanit, i vranë ata që Komandanti Zemaj ua ka shpëtuar jetën me ushtarët e vet. I kishte shpëtuar kur ishin gjetur në rrethim të hekurt nga forcat serbe. Çka të thuhet tjetër, veçse vrasje sipas radhës së shkronjave të alfabetit. Sa shumë shkronja ka edhe ky alfabeti jonë!?…
Komandantit Tahir Zemaj, djalit të tij Enisit dhe kusheririt Hasanit, u qoftë i lehtë dheu i Kososvës! Ai dhé që e çliroi vetë komandant Zemaj për gjeneratat e ardhshme, për fëmijët e bukur të Kosovës!

----------------------------------

Presidenti Rugova: Tahir Zemaj punoi për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës

Prishtinë, 7 janar 2003 - Me rastin e vrasjes së se kolonel Tahir Zemajt, birit të tij Enisit dhe Hasan Zemajt, kryetar i Forumit të Rinisë dhe anëtarit të Kryesisë së LDK-së në Deçan, në organzizim të FR të LDK-së, sot në rezidencën e Presidentit të Kosovës në Prishtinë, u mbajt një mbledhje përkujtimore.

Merrnin pjesë funksionarë e aktivistë të LDK-së, deputetë dhe zyrtarë të tjerë, si dhe anëtarët e familjes së ngushtë të ndjerëve.

Në këtë mbledhje përkujtimore foli Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.


"Ju kam ftuar në këtë Mbledhje përkujtimore për t'i bërë nderimin tonë kolonel Tahir Zemajt. E kam ftuar këtë tubim përkujtimi së bashku me Forumin Rinor të LDK-së, që të përkujtojmë edhe Hasan Zemajn, kryetar i këtij Forumi në Deçan", tha në fillim të fjalës së tij Presidenti Rugova.

"Kur e gjithë Kosova gjendej në kremtimin e festës së Vitit të Ri, në atmosferë gëzimi që po përmbyllnim një vit të frytshëm të lirisë së Kosovës dhe kur po bëheshim gati për një vit tjetër më të frytshëm, ditën e shtunë morëm lajmin tronditës për vrasjen makabre të kolonel Tahir Zemajt, të birit të tij Enisit dhe të Hasan Zemajt, që gjendeshin në shoqëri të tij, të kryer nga kriminelët vrasës".

"Kjo vrasje e trefishtë na vjen më e rëndë, kur Kosova ende nuk i ka shëruar plagët nga vrasja e kryetarit të komunës së Therandës, Ukë Bytyçit, kur të gjithë gëzoheshin për përfundimin me sukses të zgjedhjeve të dyta lokale. Këta janë kriminelë të cilët duan ta vrasin gëzimin dhe lumturinë e popullit të Kosovës. Por nuk do t'ia dalin", theksoi zoti Rugova dhe vazhdoi:

"Ne të gjithë sot kemi dhembje të thellë dhe po ashtu ndjenjën e krenarisë për veprën dhe personalitetin e kolonel Tahir Zemajt që ua la brezave që do të vijnë. Zemaj ishte njeri, i cili mbi të gjitha e donte Atdheun e vet, Kosovën. Gjatë luftës, në vitin 1998, Zemaj hyri në Kosovë dhe ishte Komandant i Zonës së Dukagjinit.

Si ushtar profesionist dhe patriot ai punoi në kuadër të institucioneve me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ai dëshironte të kryente pjesën e vet të detyrës si ushtarak në mbrojtje të vendit. E njihte Komandantin Suprem simbas Kushtetutës së Republikës dhe strukturat e tjera shtetërore.

Kolonel Zemaj edhe gjatë luftës u tregua si burrë i sinqertë dhe njeri i pajtimit më të mirë të atdheut. Nuk i pranoi konceptet provokuese, por punoi në mbrojtjen e vendit dhe të popullit. Ai nuk u kthye në Kosovë, pas 12 qershorit të vitit 1999, kur hynë trupat e NATO-s, KFOR-it, vetëm për të ruajtur situatën pozitive që po krijohej.

Ai u kthye në Kosovë në qershor të vitit 2001 për t’i kontribuar progresit që po shënonte Kosova. Me këtë rast e prita në Rezidencë, e falënderova për punën që kishte bërë dhe ia dhurova një Medalion të Artë të Nënës Tereze. Kjo e gëzoi shumë dhe më tha: 'Se mos është kjo shumë për mua'! I thashë: 'Jo, sepse Ju meritoni më shumë, po tash për tash ende nuk i kam përgatitur medaljet zyrtare".

"Edhe pas luftës kolonel Zemaj u tregua si njeri i pajtimit dhe i matur. I respektoi institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet. I premtova se do ta emëroj këshilltar për siguri dhe emergjencë në Zyrën time. Për shkak të procedurave administrative, prisja ta bëja këtë brenda këtij viti", nënvizoi Presidenti.

"Kolonel Zemaj ishte një burrë i madh i Kosovës që punoi për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Ai është shembull i ushtarakut me kulturë shtetërore, gjithmonë i gatshëm për të mbrojtur e nderuar vendin e vet. Njerëz të tillë i duhen Kosovës edhe në kohë të paqes".

"Sot e përkujtojmë edhe Hasan Zemajn, bashkëluftëtar i kolonel Zemajt dhe Kryetar i Forumit Rinor të LDK-së dhe anëtar i Kryesisë së LDK-së në Deçan. Hasan Zemaj, si i ri, ishte një aktivist i shquar në Deçan. Këto ditë ai priste të mirrte diplomën e Fakultetit të Elektros në Universitetin e Prishtinës, por kriminelët i shuan jetën e tij të re. Vrasja e tij është vrasje kundër rinisë së Kosovës, kundër ardhmërisë së Kosovës", tha Presidenti Rugova për të theksuar:

"Vrasja e kolonel Zemajt dhe e Hasan Zemajt është kundër progresit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Kjo vrasje e trefishtë është akt terrori nga kriminelët dhe padronët e tyre politikë e jopolitikë".
"Ne si popull dhe shtet duhet t'i izolojmë këta kriminelë që veprojnë kundër pavarësisë dhe prosperitetit të vendit tonë.

Ne duhet të marrim edhe masa preventive përmes pajtimit, respektimit të ligjit, që të ndërpriten krimet e tilla në Kosovë". "Institucionet e Kosovës së bashku me UNMIK-un dhe organet e drejtësisë do të marrin masa në ndjekjen dhe vënien e kriminelëve para gjyqit", theksoi Presidenti dhe në fund tha:

"Në historinë më të re të Kosovës, vepra dhe figura e Tahir Zemajt do të mbeten si shembull si duhet vepruar për të mirën e vendit. Kolonel Zemaj do të kujtohet gjithmonë si burrë trim, luftëtar i lirisë, pra hero i Kosovës.

U qoftë i lehtë dheu i Kosovës së lire!

Zoti e bekoftë Tahir Zemajn me të birin Enisin!
Zoti e bekoftë Hasan Zemajn!
Zoti e bekoftë familjen Zemaj!
Zoti e bekoftë Kosovën!"

Në fund të kësaj mbledhjeje i vëllai i Tahir Zemajt, Ramë Zemaj falënderoi Presidentin dhe të pranishmit për pjesëmarrje dhe tha se "Tahiri e deshi Kosovën dhe çmoi Presidentin, e çmoi popullin e vet, i deshi fëmijët e Kosovës, por më së shumti e deshi pavarësinë e Kosovës dhe popullin e saj".

----------------------

Presidenti Moisiu thotë se vrasja e Tahir Zemajt dhe dy të afërmit të tij, është një goditje e rëndë për Kosovën

Tiranë, 7 janar 2003 - Me rastin e vrasjes së kolonelit Tahir Zemajt dhe të afërmëve të tij presidenti shqiptar Alfred Moisiu i ka dërguar një telegram ngushëllimi presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.

Sipas njoftimit për shtyp të zëdhënësit të presidencës, presidenti shqiptar ka theksuar në telegramin e tij se vrasja e Tahir Zemajt, djalit Enisit dhe kushëririt të tij Hasan Zemajt në Pejë është humbje e madhe jo vetëm për familjet e të ndjerëve, por edhe për mbarë Kosovën.

Moisiu vlerëson se ky akt kriminal është një goditje e rëndë për progresin e bërë në Kosovë, për proceset e filluara demokratike dhe për imazhin e Kosovës në tërësi.

"Me këtë rast të dhembshëm më lejoni që në emrin tim dhe të popullit të Shqipërisë t'ju shpreh juve dhe nëpërmjet jush familjeve, bashkëluftëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre ngushëllimet e mia të ngrohta", përfundon telegrami i presidentit të Shqipërisë Alfred Moisiu, dërguar presidentit Rugova.

-----------------------------------------------------

Zyra gjermane ka dënuar aktin e vrasjes së Tahir Zemajt, birit dhe kusheririt të tij

Prishtinë, 7 janar 2003 - Aktin e vrasjes së kolonelit Tahir Zemaj dhe të afërmëve të tij e ka dënuar edhe shefi i Zyrës gjermane në Prishtinë, Peter Rondorf. Në deklaratën e tij ai ka theksuar se imazhi i Kosovës sërish është dëmtuar shumë.

Rondorf thekson se duhet të ndërrojë koha në të cilën konfliktet politike përfundojnë me armë. Zyra Gjermane në këtë deklaratë thekson se ka ardhur koha që të gjitha partitë politike në Kosovë të marrin një qëndrim të fuqishëm kundër frikësimeve, dhunës dhe terrorit politik.

-------------------------

Zyra e Shteteve të Bashkuara dënon vrasjen e Tahir Zemajt

Prishtinë, 7 janar 2002 – Z. Alec Mally, përkohësisht shef i Misionit pranë zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, fuqimisht dënoi vrasjen e z. Tahir Zemaj, birit të tij Enis Zemajt, dhe nipit të tij Hasan Zemaj, udhëheqës i Forumit Rinor të LDK-së në Deqan, më 4 janar në Pejë. Duke u shprehur nga zyra e SHBA-ve, Z. Mally tha:

"Jam i shokuar dhe i pikëlluar nga vrasja e pakuptimtë e z. Tahir Zemaj dhe dy anëtarëve të familjes së tij në mbrëmjen e 4 janarit", thotë z. Mally.

"Se a janë këto vrasje një akt terrori politik apo kanë bazë tjetër mbetet ende për tu përcaktuar. Megjithatë, këto vrasje tregojnë se disa njerëz ende shohin dhunën dhe frikësimet si të ligjshme në Kosovën e pasluftës.

"Eshtë posaçërisht problematike që kjo vrasje ndodh pas gjykimit në të cilin z. Zemaj ishte në cilësinë e dëshmitarit. Se a është vrasja e tij e lidhur me atë gjykim apo jo mbetet të shihet. Në çdo rast, një vrasje e tillë, në këtë kohë, nuk mund të ndihmojë, por frikëson të tjerët të cilët do të mund të bashkëpunonin me autoritetet ligjore në vendosjen e sundimit të ligjit nëpër rrugët e Kosovës".

"Qeveria e SHBA-ve nxit çdonjërin që ka informata në lidhje me këto vrasje të paraqitet dhe ndajë informatat që ka me policinë. Ne të gjithë duhet të bëjmë çdo gjë të mundshme për të sjellë autorët e krimit para drejtësisë.

"Ka ardhur koha që të gjitha partitë politike dhe grupet në Kosovë të marrin një qëndrim të fuqishëm kundër frikësimeve, dhunës dhe terrorit politik. Dhuna politike ishte dashtë të ndalej shumë kohë më parë. Njerëzit e involvuar në dhunë, qoftë ajo e natyrës së terrorit politik apo aspekt i krimit të organizuar, janë armiq të demokracisë, armiq të Kosovës, dhe armiq të Shteteve të Bashkuara.

"Në emër të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe zyrës së SHBA-ve, unë dënoj këto akte të paramenduara dhe qyqare, si dhe i shpreh ngushëllimet tona më të thella familjes Zemaj. Mendimet dhe lutjet tona janë me ju", thuhet në fund të deklaratës së zotit Alec Mally.

----------------

Robert Doll i bëri thirrje UNMIK-ut që të ndriçojë sa më shpejt rastin e vrasjes së Tahir Zemajt dhe të afërmëve të tij

Uashington, 7 janar 2003 - Aktin kriminal që ndodhi në Pejë ku persona të panjohur vranë Tahir Zemajn, birin e tij Enisin dhe kushëririn Hasan Zemaj e ka dënuar ashpër edhe senatori amerikan Robert Doll.

Senatori Doll, i emëruar kohë më parë nga presidenti Rugova ambasador nderi dhe përfaqësues i lartë i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i ka bërë thirrje administratës së UNMIK-ut që të ndriçojë sa më shpejtë këtë rast dhe t'i nxjerrë personat përgjegjësit para drejtësisë.

Vrasjet e së shtunës, thotë ambasadori Doll janë identike me një sërë vrasjesh tjera me motive politike, që UNMIK-u nuk ka arritur t'i ndriçojë, megjithëse faktet nuk kanë munguar. Senatori Doll pastaj thekson se vrasësit synojnë ta tërheqin Kosovën në nivelet e tyre të mafias, por nuk do të kenë sukses.

Kosova ka hedhur poshtë anarkinë, korrupsionin dhe marrjen e pushtetit me dhunë, duke hyrë në rrugën e lirisë dhe të demokracisë, duke përkujtuar UNMIK-un për obligimet e veta që ka marrë për sigurinë e Kosovës, thotë zoti Doll.

------------------
Lavdi atdhetareve te vrare ne Pabesi nga Kriminelet staliniste mafioze !

Nga Forumi Shqiptar për Zemrën Shqiptare: Baki Ymeri