Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Luan Xhuli: Intervistë me shkrimtarin Leon Lekaj

| E premte, 08.01.2010, 09:42 PM |


Leon Lekaj
Leon Lekaj
Kur një “Shpirt i Braktisur” hesht...

(Sipas fragmenteve që u betuam se nuk do t’i shkruanim asnjëherë)

Nga Luan Xhuli

...Është  i njohuri im i hershëm, edhe pse takimet tona u kryqëzuan në një vend që as në ëndrra s’i kishin lakuar.  Babanë e tij, dikur e kisha mësues dhe sa e sa herë atëherë  kisha menduar se sa fatlum ishte ai bir, që kishte për prind Zef Lekën, të adhuruarin tim. Leoni ishte i përzgjedhuri. Veç, ëndërrimet e asaj kohe s’kishin flatra, hijet dhe metodat komuniste të rritjes së brezit të ri, na detyruam të braktisim vetveten, ëndrrat, miqtë, shokët dhe të dashurit.
Leon Lekaj, i bashkëngjitet një kategorie të veçantë karakteresh...
Erudit në njohje dhe i pa fjalë në arritje, i heshtur përballë sfidave dhe i pa lodhur përballë përpjekjeve, ai është besniku më fanatik i dashurisë, që s’lejon braktisjen e ndjenjave dhe arratisjen. Pa më të voglin kompleks do ta përkufizoja atë si shëmbëlltyrën e njeriut të sotëm modern, që shumë shpesh koha që jetojmë, nuk i jep rëndësinë e duhur...E ruaj dhe e respektoj etalonin e karakterit të tij!

-Si autoportretoni vetveten..?

Si një krijesë të brishtë, të cilën fati e ka shkapetur pamëshirshëm në xhunglën e jetës, ku më tepër se sa prej “bishave” të frikshme, duhet të ruhesh prej rreziqeve që nuk shihen, një qenie, të cilën e dëmtojnë ndjenjat me po atë intensitet që një uthull dëmton enën e vet dhe më në fund, një prind dhe një bashkëshort të cilit i duhet të çajë nëpër këtë xhungël rrugën në kërkim të një jete më të mirë.

-I heshtur dhe i pa zgjedhuar në fushën e letrave, edhe pse me vlera në oktava sipërore. Ku sheh Leon Lekaj qytetar, shkrimtar, poet?

Mendoj se njihet utopizmi i shkrimtarëve. Shpesh ata ndërtojnë një ngrehinë inekzistente, e cila qëndron mbi themelet e ndjenjave të tyre dhe raporteve që ata krijojnë me të bukurën. Por tashmë ka kaluar më tepër se një shekull, që kur “Poetët e Mallkuar” e kanë denoncuar botën si të paaftë t’i mirëpresë ata. Madje poeti italian i fillim shekullit të kaluar Sergio Corazzini, shkon më tej, kur e akuzon shoqërinë se tashmë ajo i refuzon idetë e poetëve. Paskëtaj mendoj që bota ka hyrë në një periudhë të rrezikshme, ku çdo gjë interpretohet materialisht e ku opinioni i një artisti me xhepa të zbrazur nuk i vlen më kurrkujt... 

-Shpesh, pa pasur etiketën e edilit, të portretizoj një akil mithologjik. Kush është Leoni i vërtetë shqiptar?

Le të mos përdorim superlativa. Nëse më quan akil tek unë do të gjesh shumë “thembra”, të cilat do të më zhveshin automatikisht prej lëvdatës. Ndërsa për sa i përket të qenit shqiptar jam i mendimit se nën një backrauond me tone evropiane, kombësia e një artisti duhet të jetë çështje e dorës së dytë. Jam shqiptar, këtë e theksoj, por të pasurit një identitet kombëtar nuk mendoj se ka fort lidhje me të qenit artist apo shkrimtar. Hapësira e një artisti është vetëm fusha e tij e artit, kombësia përbën vetëm një veçori në hullinë e personaliteti të tij artistik.

-Vetëm tri ditë përpara daljes së tij në pension babai juaj arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg me nenin e agjitacion-propagandës. Si e gjykoni sot mbas tridhjetë vjetësh.

-Si një lëvizje të vonuar të regjimit të atëhershëm.

-Më konkretisht.

-Im atë i përkiste një brezi nxënësish të Kolegjit Saverian të Shkodrës, që ishte shuar. Shokët dhe profesorët e tij, që shiheshin si kundërshtarë të egër të regjimit komunist, ose ishin arratisur, (Martin Camaj, Sami Repishti etj) ose qenë burgosur, (Gjon Shllaku,-helenist Mark Dema -përkthyesi i Virgjilit, Arshi Pipa-burgosur e më pas arratisur) ose ishin pushkatuar. (Mark Çuni, At Gjon Shllaku, imzot Frano Gjini At Daniel Dajani etj.) Shtoi kësaj edhe lëvizjen e parë antikomuniste të Postribës, tek e cila ai merr pjesë dhe të tjerat kuptohen…

-Muzikant, mësues, pastaj hamall, tornitor, dhe tani emigrant ekonomik. Ç pjesë të karakterit tuaj rriti apo zvogëloi demokracia e lirë e fjalës.

-Ka edhe të tjera për të shtuar, por që nuk është koha të merremi me to. Mendoj që liria tek një pjesë e madhe e njerëzve si unë rriti dëshirën për një barazi ideale, por degradoi mundësinë që kjo gjë të bëhej realitet. Zvogëloi hapësirat e censurës politike, për të rritur atë të persekutimit ekonomik. Është si një rregull matematik, që edhe kur ndryshohen faktorët, përfundimi mbetet po ai.

-Ç’ është letërsia për ju?

-Drejtpeshimi im shpirtëror, ajo që rregullon raportet e botës reale me ato ireale, mjeti i vetëm që mund të zbusë mospërfilljen tirane të ekuilibrave të thyer, në një botë, ku absurdi i rretheqarkut përgjon çdo lëvizje tënde të pa llogaritur. Kur marr prej saj, pra kur lexoj diçka që më pëlqen, mbushem deri në grykë me një lëndë të panjohur, e cila më mpin si prej efektit të ndonjë hapi stimulues, ndërsa kur jap, pra kur shkruaj, deri diku zbraz ndjenjat e asimiluara ndërmjet dy krijimeve.

-Romanin tuaj të parë “Shpirt i Braktisur”, lexues dhe studiues të ndryshëm e kanë klasifikuar një meditacion të gjallë të ndjenjave që vriten...Ku qëndron rrethi magjik i fabulës së veprës?

Natyrisht, që alfa e magjisë së romanit (nëse më lejohet ta quaj kështu), mendoj që është gërshetimi i elementeve autobiografikë me faktorin fantazi, të cilat i japin narracionit një individualitet krijues. Nuk është rastësi që tek dy opinionet e mjeshtrave të mëdhenj Fadil Kraja dhe Miho Gjini, në komentin që i bëjnë romanit, përdoret fjala “simfoni”. Është një fjalë që nuk shfaqet kurrkund në vepër, por që unifikon faktorin dhimbje. F. Kraja e krahason atë me simfoninë e Fatit, ndërsa mjeshtri Gjini shprehet se “...vepra i ngjan pasazheve të një simfonie shpirtrash...”. 

-Të njoh dhe të ndjej si një qytetar të pozicionuar në shoqëri. Ju, mund të rrihnit gjoksin dhe të kërkonit shpagim, për çka u morën pa të drejtë. Mos vallë Leoni ka harruar atë lloj grabitje?

-Absolutisht jo! Edhe të dua ta bëj atë nuk do të mundesha, pasi vetë pozicioni im pothuajse i pezullt, ma kujton orë e çast të shkuarën. Destabiliteti i një shpirti të ndjeshëm mendoj se është ndëshkimi më i papranueshëm për një krijues. Por gjithçka e jetës moderne nuk mund të dalë jashtë thënies së Samuel Becketit “...bota është një asgjë katastrofike, kundra së cilës është e kotë të rebelohesh”. Ç vlerë ka britma rebeluese e një intelektuali përballë një tranzicioni konfuz, të paskrupullt, e denigrues. Fatkeqësisht, “shpagim” përfituan vetëm ata, të cilët nxorën prej sepeteve flamurët e tyre të fshehur dhe i tundën fort...Krijuesi i mirëfilltë, duke qenë përherë në vazhdim të kërkimit të një shoqërie sa më të civilizuar, kam bindjen se mbetet përherë opozitë e të gjitha pushteteve.

- Cili është pozicioni juaj në botën krijuese.

Gjithçka përtej modestes. Do të isha tepër i kënaqur nëse në mozaikun e pafund të letërsisë të mund të vendosja një “gur”, qoftë ky edhe mikroskopik....

-Në ç’stacion periferik qytetërues udhëton letërsia shqiptare?

Mendoj që tangjentja e saj sapo ka prekur orbitën e duhur. Që edhe ajo të jetë një yll konceptualisht i dallueshëm do t’i duhet mjaft punë.

-A konkurron fantazia e letrave shqiptare, në papiruesin modern të botës..?

Papiruset e kanë prejardhjen nga lashtësia, ndërsa shkrimi ynë i parë daton me mesharin e Gjon Buzukut në vitin 1555. Nuk janë pak vite, apo jo? Fjala konkurrencë kërkon pranë vetes një start të barabartë, i cili, për arsye të shumta, (nuk është koha as vendi t’i përmend) i mungon letërsisë shqiptare. Askush nuk do të guxonte të më kundërshtonte kur do të theksoja me dhimbje se papirusi modern fsheh brenda vetes edhe atë të vjetrin...

-A e pranon Leon Lekaj egoizmin krijues?

Sigurisht që po. Pa ego profesionale nuk mund të bësh asnjë hap përpara. Ajo ka qenë dhe do të mbetet promotor në krijimtarinë e çdo artisti. Por personalisht mbetem fanatik i shprehjes “...liria ime mbaron atje ku cenohet ajo e tjetrit...”. Egoizmi im lidhet me një lloj antagonizmi që krijohet me alter egon. Është një luftë e brendshme, e cila shpesh herë është rezultateve, edhe pse sfilitëse dhe dërmuese për veten. Askush nga “të tretët”, si thoni ju, nuk është objektiv për tu mbërritur. Çdokush lakmon majat. Mundësia është tjetër gjë, por drejt majave të shtyn vetëm talenti dhe egoizmi.

-Mbaruat shkollën e lartë në një kohë që të tjerët e përkufizuan si mosha e djegur e një studenti. Edhe pse s’të mungonin diplomat e mësuesit, e muzikantit, e mekanikut, ju ia dedikuat veten dijes. A nuk do të qe më mirë të kërkonit karrierë politike?

Jam i bindur që nuk e keni seriozisht. Në vitet ’90 është e vërtetë që unë kam kontribuar me të gjitha forcat e mia për heqjen e barrierave komuniste, por asnjëherë nuk e kam menduar veten në rolin e politikanit. Emri i tij është i lidhur historikisht me mjaft epitete, prej të cilave karakteri im gjendet larg. Madje duke dashur që të mos përmend emra të përveçëm, do të doja të theksoja se përfshirja e shumë prej artistëve dhe shkrimtarëve në politikë mund t’iu ketë dhënë atyre privilegjin e reklamimit të veprave duke përdorur kartelën e politikanit, por mendoj se njëkohësisht u ka ulur ndjeshëm edhe reputacionin e tyre tek artdashësit e mirëfilltë.

-Çfarë pritet nga Leon Lekaj në një të ardhme të afërt?

-Jam në procesin përmbyllës të një vëllimi me tregime, dhe paralelisht po punoj për një roman të ri.

Suksese dhe faleminderit!

 

Albania Press - Për ZSH: Këze Kozeta Zylo