Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dibran Demaku: Pavarësia ekonomike

| E premte, 08.01.2010, 10:59 PM |


PAVARËSIA EKONOMIKE

Nga Dibran Demaku

Në prak të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës (me 17.02.2008) një mik gjerman i ishte drejtuar autorit të këtij shkrimi me fjalët:-Kam dëgjuar këto ditë në media të ndryshme vizive se vendi nga vjen ti do të shpall pavarësinë.Të them sinqerisht kjo gjë më gëzon edhe mua.Sepse siç kam dëgjuar edhe nga të tjerë njerëz të ardhur këtu në Gjermani,nga vendi juaj,ju keni vuajtur shumë nën sundimin serb.Por,desha të të pyes për një gjë:Pas shpalljes së pavarësisë ploitike,vendi juaj a është në gjendje të ekzistojë si i pavarur edhe ekonomikisht?! Apo thënë më mirë vendi juaj a është i zhvilluar ekonomikisht në mënyrë që të mbahet vetë në këmbët e veta? Sepse po nuk patët pavarësi ekonomike unë nuk di se si do ta menagjoni pavarësinë politike?!
Autori i këtij shkrimi në fillim kishte heshtur sepse nuk e kishte pritur një pyetje të tillë nga miku i vet gjerman.Edhe ai,ashtu si edhe shumë qytetarë të Kosovës,i preokupuar gjithnjë vetëm në pavarësinë politike të vendit të vet,thuajse gati asnjëherë nuk ishte preokupuar për atë që tash po e pyeste miku gjerman.Ai gjithmonë deri në atë moment ishte i bindur se pavarësia politike e vendit të tij do të ishte ai çelësi i artë që do të rregullonte gjithçka.Vetëm pas pyetjes së mikut të tij gjerman i ishte kujtuar koha e shkollës,kur njëri nga mësimdhënësit në një orë mësimi kishte thënë:-„Një vend për të qenë i pavarur politikisht,më parë duhet të jetë i pavarur ekonomikisht!“.
Pastaj duke i buzëqeshur mikut të vet gjerman kishte shtuar:-Le ta kemi së pari pavarësinë politike të vendit tim,ndërsa për të tjerat,shohim e bëjmë!Miku gjerman nuk kishte qenë i kënaqur me përgjigjen e tij,por duke i buzëqeshur kishte kaluar në një temë tjetër të bisedës…
Pas një muaji e ca ne do ta festojmë Përvjetorin e dytë të Pavarësisë së Kosovës.Përvjetorin e pavarësisë politike!Dhe natyrisht që do ta festojmë me gëzim dhe me krenari të ligjshme.Sepse jemi gjenerata më e lumtur e kombit që arritëm që këtë pavarësi ta prekim dhe gëzojmë.Këtë pavarësi për të cilën u sakrifikuan sa e sa gjenerata nëpër vite thuajse gjatë një shekulli të tërë!
Por,tash kur e kemi pavarësinë politike duhet që ta kthejmë shikimin nga pavarësia ekonomike.Duhet që të gjitha forcat krijuese t`i drejtojmë në zhvillimin ekonomik të vendit.Duhet që çdo njëri si individ në veçanti,por edhe si komb i tërë në përgjithësi të gjejmë mënyra të ndryshme për një zhvillim të tillë.Duke e zhvilluar vendin tonë ekonomikisht,e forcojmë atë edhe politikisht.
Sepse siç dihet botërisht ne e kemi fituar pavarësinë politike nga Serbia,por jemi të varur ekonomikisht nga ajo.Edhe pas gati dy vite të pavarësisë politike,ne thuajse të gjitha produktet e konsumit të gjer i marrim nga Serbia.Dhe atë për shkak të fajit tonë.Arat tona i lëmë djerrë,ndërsa marrim grurin nga Serbia,kopshtet tona i lëmë djerrë,ndërsa nga Serbia i marrim perimet e ndryshme.E këtej ankohemi se nuk kemi punë!Ëndërrojmë se puna dhe fitimi do të na vijnë nga qielli!?
E nuk ishte e largët koha,kur me punën tonë merrnim grurin nga arat tona,merrnim pemët nga plantacionet tona,merrnim perimet nga kopshtet tona.Të gjitha këto i merrnim sepse atëherë e punonim tokën tonë,i punonim arat tona! Dhe asnjëherë nuk mendonim dhe deklaronim sikur tash se.“punimi i tokës nuk është me levërdi,se punimi i kopshteve nuk të sjellë fitim!“ etj,etj.
Gati nuk kalon ditë e të mos shohim në ekranet e ndryshme televizive njerëz të moshave të ndryshme që grumbullohen në Prishtinë duke kërkuar punë.Dhe shumica e tyre janë nga fshatra dhe komuna të ndryshme,larg Prishtinës.I lënë tokat e veta të punës djerrë dhe dalin në Prishtinë për të kërkuar punë?!Qëndrojnë me ditë të tëra në diell e në shi duke shpresuar se dikush do t`i ftojë për ndonjë punë,nga e cila do ta fitojnë ndonjë para për kafshatën e gojës.E nuk mendojnë se atë kafshatë të gojës,mbase më mirë dhe më lehtë do ta fitonin duke punuar arat e veta!Por,jo në kokë u është ngulitur mendimi i dëmshëm se punimi i tokës nuk është i levërdishëm,se nuk sjell para!Sikur buka e nxjerrur nga punimi i tokës nuk qenka para,sikur perimet e nxjerrura nga punimi i kopshteve nuk qenkan para etj,etj.
Mbase për të gjithë këtë kaos të krijuar në vend,një pjesë të fajit e kanë edhe udhëheqësit e ndryshëm shterërorë,apo udhëheqësit e partive të ndryshme politike,gjatë fushatave të ndryshme të promovimeve të veta politike,apo fushatave të ndryshme zgjedhore,premtojnë se do të hapin vende të reja pune?! Dhe pas përfundimit të atyre fushatave çdo gjë bie në heshtje,ndërkaq njerëzit shpresojnë se akcila ministri do të hap kaq e kaq vende pune?!Dhe shpresat rriten e rriten deri në zhgënjim!Dhe asnjëri nga këta udhëheqës nuk del dhe ta thotë të vërtetën se ka kaluar ajo kohë kur shteti hapte vende pune.Tash është iniciativa e tregut të lirë dhe secili duhet të kujdeset që të sipas mundësive të krijojë vende pune së pari për vete e pastaj me zgjërimin e kapaciteteve,edhe për të tjerët.Dhe se kjo është e vetmja mundësi për punë!
Kur të gjithë ta kuptojnë këtë dhe secili t`i kthehet profesionit të vet(pse jo edhe në bujqësi)atëherë do të fillojë që të rritet edhe baza ekonomike individuale dhe karshi kësaj edhe shtetërore.
Atëherë,po edhe ne do ta kemi pavarësinë ekonomike,nga vendet tjera.Dhe duke pasur pavarësinë ekonomike,do ta rrisim e forcojmë edhe pavarësinë politike të shtetit tonë…