Sami Islami: Pse ankohet Gjuha Shqipe?
| E merkure, 30.12.2009, 08:53 PM |
PSE ANKOHET GJUHA SHQIPE?
Gjuha shqipe seriozisht
Vendosi të ankohej publikisht!
Dhe tha: „Shqiptarë, një hall të madh kam
Nuk e di se kush jam“,
Fjalë të huja më kanë vërshuar
E ndjej veten si të pushtuar!
Nuk di kush qe ai satrap
Që “grimin” ma bëri “make up” (1)
Ndoshta mendoi se më ndihmoi
Më këtë veçse më gjymtoi
Një tjetër për “ushqim të shpejtë”
Ma futi “fast food-in” (2)pa të drejtë
Dhe tha: Në daç merreni në daç lerne,
Po dijeni, se kjo është fjalë moderne!
Fjalë t’huaja më futni, ky është fakt
Në vend të „goditjes“ ma ndërroni „impakt“
Me këtë, disa “lart” po më çmojnë
Pjesa tjetër as që më kuptojnë.
Tani që po jetojmë kohë të reja
VIP-it (3) kuptimin ec e gjeja!
Po thonë se është fjalë angleze
Që shqipes „vërtetë“ po i jepka rreze
Po t’i them të gjitha me rend
Frikohem se këtu s’do të ketë vend
Jam gjuhë e pasur, s’jam e varfër,
Por, ju lutem, më ruani të pastër!
____________________________
1.Lexo: mejk ap
2.Lexo: fast fud
3.Very Important Person ( nga angl. Person shumë i rëndësishëm)
Sami ISLAMI
Londër , 29.12.2009
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.