Presidenti Topi feston me jetimët
| E marte, 29.12.2009, 08:57 PM |

Presidenti i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëvë z. Ilir Çumani, i akordon Zonjës së Parë Teuta Topi, Titullin “Simbol i Vlerave Humane”Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, në prag të festave të fundvitit, ka organizuar festën tradicionale me 120 fëmijë jetimë nga e gjithë Shqipëria. Në një veprimtari humanitare e Festive, janë argëtuar në një drekë artistike - festive dhe humanitare të organizuar nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë me mbështetjen financiare të kompanisë celulare Eagle Mobile, këta fëmijë jetimë, me rastin e festave të fundvitit. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm fëmijë jetimë të policëve të rënë në detyrë, fëmijë jetimë të gjakmarrjes, fëmijë jetimë të komunitetit rom, nga fshati SOS, Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”, fëmijë jetim të qendrave të ndryshme rezidenciale, shtetërore dhe joqeveritare, si dhe fëmijë jetim në komunitet dhe të tillë të mbetur nga tragjedia e Gërdecit. Të pranishëm në këtë eveniment të zhvilluar në ambientet e Hotel - Tirana – International, ishte edhe Presidenti i Republikës z. Bamir Topi dhe Zonja e parë Teuta Topi, të shoqëruar nga dy vajzat e tyre... Njëkohësisht, të pranishëm në këtë eveniment kanë qenë Presidenti i Çalik Holding për Ballkanin dhe Evropën Juglindore z. Orhan Xhoshkun, Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile z. Ali Ta?k?n (Tashkën), dhe Presidenti i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë z. Ilir Çumani. Në fjalën e tij në këtë program artistiko – festiv, Presidenti i Republikës përshëndeti këto nisma, duke veçuar punën e palodhur dhe të jashtëzakonshmë të bërë në gjithë këto vite nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë për integrimin e këtyre fëmijëve në jetën e Shoqërisë, duke vënë theksin se të gjithë duhet të kontribuojnë në të tilla iniciativa që vënë në fokus fëmijët jetimë. Ndërsa Presidenti i Çalik Holding për Ballkanin dhe Evropën Juglindore z. Orhan Co?kun (Xhoshkun) theksoi se Grupi Çalik Holding ka patur dhe ka në politikat e saj sociale ndihmën e këtij komuniteti. “Fëmijët janë e ardhmja, dhe ne punojmë sot duke menduar për të ardhmen. Çalik Holdig i u ka dhënë dhe u jep rëndësi të veçantë arsimimit të këtyre fëmijëve, prandaj edhe politikat e kësaj Kompanie e kanë caktuar si pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë sociale”, tha Xhoshkun. Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile z. Ali Taskin, ndër të tjerash tha se Eagle Mobile e shpalli vitin 2009, “Vitin e Fëmijëve Jetimë”, dhe në këtë kuadër jo vetëm që ndërmori iniciativën e dhënies së 20 bursave për studime në shkolla të mesme dhe të larta për 20 fëmijë, por u bë shembull për 25 kompani të tjera që operojnë në Shqipëri, duke bërë që edhe ata të japin mbështetjen e tyre sipas mënyrës dhe mundësive përkatëse. Këto aktivitete do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Presidenti i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, z. Ilir Çumani, pasi falënderoi Presidentin e Republikës për prezencën dhe vëmendjen e veçantë të Tij për problemet e shumta që ka kjo kategori e shoqërisë shqiptare, në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi i akordoi Zonjës së Parë Teuta Topi, Titullin “Simbol i Vlerave Humane”, me motivacion për merita të veçanta dhe kontributin e çmuar në fushën e përgjegjësive sociale në ndihmë të fëmijëve jetimë dhe të shtresave në nevojë.Nga ana e saj, Zonja Topi, duke falënderuar për vlerësimin e bërë me këtë rast, vuri në dukje mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të kompanisë Eagle Mobile. Ajo shtoi se, kjo kompani është bërë një shembull ku bashkohet humanizmi me biznesin.Më pas fjala ka qenë e fëmijëve, të cilët janë argëtuar në koncertin me artistë të njohur si Bashkim Alibali, Mefarete Laze, Liljana Kondakçi, Valbona Mema, Kristi Popa, Irma Libohova, etj, të cilët kanë kënduar vetëm për fëmijët e pranishëm. Kjo veprimtari u moderua nga Aktorja e mirënjohur e Filmit dhe e skenës së Teatrit Kombëtar, znj. Ema Andrea.Me skenar te poetit te mirënjohur për fëmijë Jorgo Papingji, u përcollën në këtë veprimtari mjaft mesazhe të qarta, kuptimplote dhe shumë prekëse për të gjithë të pranishmit, ku nuk mungoi edhe interesimi i mjaft mediave elektronike si dhe ajo e shtypit të shkruar.Veprimtaria i çel me Himnin e Jetimëve dhe u mbyll sërish me këtë Himn, autor të të cilit janë Kompozitori i njohur Kristi Popa me vargjet e poetit Jorgo Papingji.Ky aktivitet ka përfunduar me shpërndarjen e dhuratave të përgatitura nga Eagle Mobile dhe Instituti i Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. Kompania rinore Eagle Mobile ka treguar një interes të veçantë për këtë pjesë të shoqërisë. Krahas ndihmesës së dhënë nga kompania, edhe punonjësit e saj individualisht janë angazhuar për të ndihmuar në mënyrat dhe mundësitë e tyre. 
















Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.