Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kostaq Duka: Motive në prag fundviti

| E marte, 29.12.2009, 07:54 PM |


Kostaq Duka

Motive në prag fundviti


Ngutje

-Meditim në  fund dhjetori-

Ngutje….
Një  nxitim, në  tejikje….
Nguten
Të  dashuruarit e ndrojtur
Fjalën magjike : të  dua
Ta thonë  si të  mundin,
Veç ta thonë
Në  çastin e këputjes së  vitit……

Nguten
Borxhllinjtë  e ndershëm,
Paranë  ta kthejnë
Me shpresë  që  e nesërmja
Ti bëjë  dhurues për të  tjerë ….

Nguten
Mashtruesit; hajdutë ,vrasës, politikanë
“Lojën” ta mbyllin
Në  hapjen qelibare të  vitit të  jenë  “ëngjëllorë” .

Ngutje, ngutje
Një  nxitim, në  tejikje….
Një  pacient kanceroz
Pranon  operacionin
Kundërshtuar 364 ditë  të  vitit.

Një  shkencëtar
Ngulmon
Kur sekondat e fundit godasin si vare
Formulës magjike t’i japë  lirinë  e zgjidhjes…

Ngutje, ngutje
Një  nxitim në  tejikje.
Keshtu ka për të  ndodhur gjithnjë
Sa kohë  ndërgjegja njerëzore
Kultivon përtëritje.


Marrëzi dhjetori

364 ditë
S’i mjaftuan
Vajzës që ëndrrën ndillte t’i thosh: Të dua.
364 ditë
Veç në dialog të paprerë e takime imagjinare
Mijraherë sajuar.
Të dua, të dua, të dua
Në mëngjes, në mesditë, natën vonë dhe në gjumë.
E  përsëri
Gjithçka mbetej fillim.
Veç vajza e brishtë , djallëzore
Shikimin ia hidhte tërë dritë e shkëlqim.

Dhe në të 365-tën ditë
Portën dimërore të mëngjezit e hapi ngultas si i marrë
Mes dëborës që tallej me një qeshje të bardhë.

Rendi
Ku ajo shkeli një vit të tërë
Rendi e rendi pas gjurmëve të saj
Gjersa mbeti i ngrirë
Statujë para saj diku në një qoshe, në rrugicë
Duke shkrirë akujt e buzëve
Me fjalët që digjeshin së brendëshmi: të dua, të dua!

 
E dashura ime e parë ishte bora

E dashura ime e parë ishte bora.
Prej saj mbi flokët kaçurrelë pata ledhatimin e parë,
puthjen   mbi buzë
ëndërrimin në pafundësi të bardha qiellore.

E dashura ime e parë ishte bora,
Lozonjarja tekanjoze që vinte e ikte pa fund
Sa nisja ta përkëdhelja e përkëdhelja gjer në lëmim e shkëlqim
Ajo tretej e tretej pafundësisht  duke u bëre ujë….

E dashura ime e parë ishte bora.

Tani vjen e ikën.
Më bën të mbyll sytë, të risjell atë çast kur mbeta rob i saj
I dashuruar……. ndonse fëmijë.