Kujtim Mateli: Thëllëzat
| E hene, 28.12.2009, 08:33 PM |
Kujtim Mateli
Thëllëzat
Retë u hodhën maleve gunën e bardhë,
Kafshë dhe shpezë nxituan të ulen tatëpjetë,
Ndalën pranë shtëpive të para të fshatit,
Thëllëzat ndalën në kufirin mes tokës së mbuluar nga bora
Dhe lirishteve që iu shmangën borës së parë.
Aty në tufa ia nisin këngës dhe bëjnë gati vendbanimin e ri,
Duket kënaqësia që ndiejnë,
Fryn era e jugut, po u largon acarin,
Nën shoqërinë e shapkave u drejtohen pellgjeve të vegjël,
Zogj të tjerë gjejnë atje, formojnë një mozaik ngjyrash.
E kuqja në puplat e thëllëzës ka ndryshuar peizazhin,
Do të ketë pak dritë në errësirën e natës.
Disa zogj do të flenë sonte me komshinj të rinj,
Mirënjohjen ua shprehin duke u qëndruar afër,
Secili ia merr këngës sipas programit të vet,
Nuk gjendet kush të bëjë organizimin,
Dëgjon njëherësh këngë nga të gjitha grupet e zogjve,
Ngjajnë lirishtet me një skenë festivali,
Improvizuar enkas për ardhjen e thëllëzave.
Në këtë mjedis të ri do të kalojnë stinën e dimrit,
Për t`u ngjitur përsëri në majat e maleve,
Para se barinjtë të çojnë tufat e dhenve.
Me asgjë tjetër nuk e ndërrojnë atë banesën verore,
Ku tufat e çajit ngjajnë në hyrje si porta shtëpie.
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.