Poezi satirike nga Nehat Jahiu
| E hene, 28.12.2009, 07:55 PM |
NEHAT JAHIU
NE ZYRE TE MINISTRIT
Mbi tavolinë djathë
Rrush të thatë
Meze me raki
Për ballë zonja Selvi.
Ngrihen gotat
Rrotullohen filxhanat
Në zyrë ndalohet hyrja
Shikojnë fatin ministri e Selvia.
SAHANLEPIRESAT
Për një koc të lëpirë
Shesin trup dhe fytyrë
Gjuhën porsi qen e qesin
Lehin edhe pasi të vdesin!
KUR TE FRYJNE ME LEVDATA
Kur të fryjnë me lëvdata
Shiko mirë
Para e mbrapa
Shiko globin,
Kujto korbin
Kujto dhelprën
Edhe djathin
Pastaj mate mirë hapin.
ZAGARET
Qeni i stanit
Të bën hatanë
Të lehu,
Hiqu menjanë
Por kur ndeshen me zagarë
Thonë:
Lehin, por nuk hanë,
Sidoqoftë, mba shkopin pranë
Se vërtet ata nuk hanë
Ata çe do, se të tërbojnë!
MIQTE DHE FIQTE
Sa ke në bahçe
Rrush e fiq
Mos i llogarit për miq
Sa ka pula
E quramana
Dëgjo bir,
Tu bëftë nama
Ki kujdes
Se janë jarana
Që nuk kanë
Jo hall për ty
Po për para e pasuri.
KAM NDERIN
Kam nderin kur jam me ty
Kur ti shoh vetulla e sy
Ti më je zonjë e bukur
Lozonjare si një flutur.
Shpesh të më vish në zyrë
Të ti shoh hiret më mirë
Eja,engjëllushë, mos u vono
Tjetërkund më mos shko!
Të jap fjalë e besë
Vendin e punës ta kam gjetë
Me ty do të jem në punë e ndeje
Kam nderin, kur jam pranë teje.
Do të nxjerr unë ty në dritë
Se kam nam e kam pozitë
Nuk do ta ve askend mbi ty
Rrushi i pjergullës, rrushi i zi.
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.